Ikën Ardian Çipa, në vend të tij shefi i Krimeve të Rënda

Jul 31, 2014 | 12:06
SHPËRNDAJE

Ardian Çipa
TIRANE – Drejtor i përkohshëm i Policisë së Tiranës, në vend të Ardian Çipës, është shefi i Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Arben Dashi është komanduar dje në krye të Policisë së kryeqytetit, pasi drejtuesi aktual ndodhet për një kurs specializimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë thanë se Ardian Çipa është larguar para një jave në drejtim të SHBA, ku do të qëndrojë të paktën edhe një muaj. Sipas burimeve zyrtare të Policisë, arsyeja e komandimit të Dashit në vend të Çipës është se në një situatë të tillë nuk mund të lihej vakant drejtimi i hetimeve për vrasjen e bankierit Artan Santo. Gjithashtu komandimi i Dashit është parë edhe si një mundësi për të mbajtur nën kontroll situatën e rendit dhe sigurisë publike në kryeqytet. Deri në përfundim të specializimit të Ardian Çipës, posti i drejtorit të Policisë së Tiranës do të mbahet nga Arben Dashi. Ky është versioni zyrtar i Policisë së Shtetit, por nga ana tjetër burime konfidenciale sqaruan se ekziston mundësia që Ardian Çipa, pas përfundimit të specializimit të emërohet në një tjetër detyrë të rëndësishme të Policisë. Kjo edhe për shkak se kohët e fundit është përfolur për një kërkesë dorëheqjeje që ai i ka dorëzuar Artan Didit. Por, nga ana tjetër, në rast se bëhej fjalë për një komandim të përkohshëm, detyrën e tij mund ta kryenin njëri nga dy zv.drejtorët që para një jave kur Çipa është larguar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura