Ideja e veçantë, arbitrat në stërvitje krah… futbollistëve

Mar 30, 2022 | 10:01
SHPËRNDAJE

Arbitra që stërviten me lojtarët në përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet. Nuk është fantashkencë, por një propozim i mirëfilltë që është paraqitur nga trajneri i Mançester Junajtidit, Ralf Rangnik.

ARB

Ai mendon se rendimenti i “xhaketave të zeza” mund të përmirësohet nëse ata stërviten me ekipet gjatë javës. Sipas gjermanit, kjo gjithashtu do të ndihmonte në ndërtimin e raportit midis dy palëve në ditët e ndeshjeve.

Siç raportohet nga “Daily Mail”, sugjerimi u mbështet kur Rangnik e ngriti atë në një mbledhje të zhvilluar në kohët e fundit që përfshiu trajnerët dhe arbitrat e kampionatit anglez.

Mendohet se ideja e re – e quajtur revolucioni i arbitrazhit – mund të hyjë në fuqi që në sezonin e ardhshëm.

Sugjerimi i Rangnikut do t’i ndihmonte gjithashtu lojtarët të kuptojnë më mirë rolet e “bilbilave” dhe të tejkalojnë keqkuptimet që mund të lindin në ndeshje e sipër.

Një mënyrë që ky propozim të kthehet në fakt është që të bëhet e mundur që arbitrat më të mirë anglez si Majkëll Oliver, Entoni Tejlor e të tjerë, të marrin përgjegjësi për ndeshjet duke filluar që nga stërvitjet në terren me futbollistët që duhet të gjykojnë të dielave.

Gjatë mbledhjes në fjalë, Jyrgen Klopp i Liverpulit, Din Smith i Noruiçit, Frenk Lampard i Evertonit dhe sigurisht Rangnik shprehën të gjithë dëshirën e tyre për zyrtarë të caktuar të VAR-it.

Terminologjia “e qartë dhe e dukshme” kur përmbys vendimet për pozicion jashtë loje duhet gjithashtu të rishikohet në mënyrë që edhe ndërhyrjet e VAR-it të jenë më të kuptueshme për stafet e ekipeve, por dhe për tifozët në stadium.

Gjithashtu, trajnerë si Smith dhe Lampard kërkuan mundësinë për të biseduar me gjyqtarët 30 minuta pas përfundimit të ndeshjeve, por kjo kërkesë do të shqyrtohet kur problemet e lidhura me COVID-in të jenë përfundimisht të mbyllura dhe masat mbrojtëse të jenë lehtësuar

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura