I sillnin gjellë nga shtëpia, Davide Pecoreli gënjeu gjithë Vlorën/ Ja ku jetoi biznesmeni italian që inskenoi vdekjen e tij në Pukë

Sep 24, 2021 | 17:41
SHPËRNDAJE

Davide Pecoreli, biznesmeni italian që inskenoi “vrasjen e tij” në Pukë, jetonte në Vlorë. Ai kishte marrë një apartament me qira në zonën e Ujit të Ftohtë, në rrugën “Dhimitër Konomi”, pranë kthesës së Shkollës Tregtare. Banorë të pallatit shumëkatësh, ku ai qëndroi për disa kohë deri para “arratisjes”, tregojnë se italiani ishte akomoduar në një apartament me pamje nga deti në katin e tretë të pallatit, që mund ta shihni edhe në foto.

pecorelli
Pekoreli gjatë një dreke me miqtë vlonjatë ku ai hiqej si shkrimtar

Madje, e shikonin shpesh që të hapte në ballkon edhe rrobat për t’u tharë. Jetonte vetëm dhe nuk kishte as bashkëjetuese. Të paktën kështu thonë banorët, të cilët nuk e kishin parë ndonjëherë të shoqëruar. E tregojnë si njeri të qetë dhe që nuk krijonte asnjë problem apo të linte ndonjë hije dyshimi për përfshirje në veprimtari kriminale.

Shtepia-e-Pekorelit-logo
Pallati ku jetoi ish-arbitri në Vlorë

Si shtëpi të dytë, Davide Pecoreli kishte një bar-restorant pranë tunelit në Ujë të Ftohtë. Lokali gjendet në krahun e majtë në dalje të tunelit, teksa ikën drejt Radhimës, ndërsa në krahun e djathtë ishte plazhi ku italiani merrte rreze dielli.

RRËFIMI I ISH-LOJTARËVE

“Panorama Sport” ishte dje pikërisht aty. Takuam po të njëjtët njerëz, me të cilët Pekoreli shoqërohej çdo ditë nga muaji mars deri në 12 shtator kur edhe humbi kontaktet. Mes tyre edhe ish-futbollistë të Flamurtarit të madh, që rastësia i bashkoi me italianin. Kujtojmw se Peccorelli ka qenw dhe arbitwn nw Itali. Asnjë prej tyre nuk pranon që të identifikohet, as me emër dhe as me foto. Megjithatë, tregojnë për “Panorama Sport” çfarë kanë kaluar bashkë, por edhe për planet që kishin bërë.

Lokali
Lokali ku rrinte me miqtë, shtëpia e dytë e italianit

“Ishte babaxhan. Nuk të jepte përshtypjen se çfarë kishte bërë. Na u prezantua si shkrimtar. Madje, na tha se po shkruante një histori për Kontin e Montekristos të vendosur në ishullin e Sazanit. Paguante ndonjëherë vetë, por nuk e linim ne. Qëndronim për qejfin tonë në tavolinë, ai na vinte shpesh dhe rrinte me ne. Pinim raki me djathë, si dhe konsumonim ndonjë gjellë të gatuar nga shtëpia që mund t’i sillnim ne.

Kuptonte disa fjalë shqip. Jemi njohur në muajin mars dhe na është prezantuar me emrin Kristiano. Bënte plazh këtu, përballë lokalit, si dhe luante futboll në fushat e sportit te Rrapi. Flisnim gjatë edhe për futbollin. I pëlqente Flamurtari i viteve ‘80. Nga filmimet që kishte parë, e tërhiqte Vasil Ruci, Kreshnik Çipi, por edhe Rrapo Taho.

Zona-e-Plazhit
Zona e plazhit ku Peccoreli kaloi verën në Vlorë

Në muhabet e sipër mësoi se legjendat vlonjate do të udhëtonin në Greqi të shtunën më 11 shtator për një ndeshje miqësore në Paramithia. Ai do të vinte, por që në fakt nuk erdhi… Pikërisht një ditë më vonë e telefonuam, por na tha se po merrej me ca dokumente e nuk kishte mundësi të vinte”, shprehen miqtë vlonjatë që janë tronditur nga historia e Pekorelit.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura