“I gabuar e kapitullues. Vrisni gjermanin”- Kristaq Mitro tregon si e ndryshuan filmin “Nusja dhe shtetrrethimi” dhe si i shpëtuan dënimit dy regjisorët

Nov 4, 2019 | 10:14
SHPËRNDAJE

Anila Dedaj / Këto ditë të ftohta tetori që lamë pas, ndërsa po udhëtonte në rrugët e Vjenës, imazhi i përhapur ngado i Rajmonda Bulkut dhe Kastriot Çaushit si partizanë të “Nusja dhe shtetrrethimi”, i ngrohu zemrën Kristaq Mitros, e emocionoi… Î Kanë kaluar plot 41 vite që kur filmi artistik doli në dritë, si një nga realizimet më të mira të dy mjeshtërve vlonjatë të kinematografisë, Mitros e Ibrahim Muçajt, por në këto 4 dekada askush nuk ka tentuar të shkundë pluhurin e harresës e të flasë për vlerat që ky film mbart.

nusja e shtetrrethimi_2019_09_20_22

Derisa një telefonatë e kineastes dhe drejtores së Arkivit të Filmit, Iris Elezit, e njofton Mitron për lajmin e mirë, që edhe kësaj here vjen nga të huajt: “‘Nusja dhe shtetrrethimi’ është përzgjedhur për t’u shfaqur në ‘Viennale’ (25 tetor-4 dhjetor) në retrospektivën ‘Pan-European o Partigiano’, ndërsa pllakati i Azis Karalliut do të përfaqësojë seksionin ‘O partigiano’”. Emocionet e këtij lajmi e shoqërojnë regjisorin edhe këto ditë, ndërsa gjendet në Vjenë së bashku me skenaristen e filmit, shkrimtaren Helena Kadare.

“Nusja dhe shtetrrethimi” u shfaq dje në ngjarjen më të rëndësishme ndërkombëtare të filmit në Austri dhe do t’i ripropozohet publikut në 30 nëntor. Në kuadër të këtij lajmi të mirë, para largimit për në Austri, regjisori Kristaq Mitro rrëfen për “Panoramën” të pathënat e filmit, vështirësitë dhe copëzat e lumturisë në sheshxhirim. Për atë që nga Pirro Mani dhe Ismail Kadare do të konsiderohej në ’78-ën si “një film i madh, një film ndryshe”, rruga për te publiku nuk qe e lehtë. Vështirësitë nisën që gjatë xhirimeve, ku dyshja vlonjate, krahas pengesave materiale, duhet t’i bënte ballë edhe presionit për kohën. “Na përsërisnin vazhdimisht: ‘Po vonoheni, po vonoheni!’… Ne donim t’i bënim gjërat siç duhej, të zgjidhnim me kujdes vendet, që të kishin vlera nga ana grafike, e mizanskenës. Kështu nuk ua vumë veshin, bëmë atë që kishim ndër mend, e fatmirësisht e arritëm”, tregon Mitro.

Ndonëse mundën të fitonin kohën e duhur për të realizuar një film me vlera, fjala e Partisë s’do mund të injorohej, ndërsa kërkonte që fundi i filmit të ndryshohej. Muçaj dhe Mitro kishin zgjedhur që kapiteni gjerman, pas sfidës së guerrilasve të mbetej i mundur, “i vënë në lojë”, pra i vrarë moralisht, por kjo skenë Partisë nuk i qëndronte. “Bëmë një plan të bukur, ku karroca largohej me në krye aktorin e madh Thimi Filipi e në sfond muzikën e Kujtim Laros, po në fund na kërkuan të vrisnim armikun dhe ne e vramë, s’kishim rrugë tjetër”, tregon regjisori.

regjisori_mitroo_kristaq_faqe_18

Këto s’do të ishin të vetmet sfida, Muçaj dhe Mitro do të përjetonin momente dramatike ankthi pas projektimit të parë të filmit. Në sallë pllakos heshtja, dy kineastët përballen me vështrime të ashpra, s’po kuptonin se ç’po ndodhte, ndërsa fjalët e të deleguarit të Ministrisë së Kulturës do të ishin tronditëse: “Filmi është i gabuar, kapitullues”. Mitro rrëfen se si shpëtoi filmi dhe vetë ata, ndërsa bashkë me Muçajn ishin përgatitur për më të keqen.

Zoti Mitro, “Nusja dhe shtetrrethimi”, një film të cilin e realizuat në ’78-ën në bashkëpunim me Ibrahim Muçajn dhe që bazohet në novelën e Helena Kadaresë, me po të njëjtin titull. Nëse kthehemi pas në kohë, e kujtoni si lindi bashkëpunimi me shkrimtaren?

Kujtoj se kishte pak kohë që kishte dalë në qarkullim novela “Nusja dhe shtetrrethimi” e Helenës, e cila ishte pëlqyer shumë, duke bërë për vete shumë lexues. Kështu, në mes shumë tekstesh e zgjodhëm dhe shkuam ta bisedonim me shkrimtaren. Bashkë me Ibrahimin i propozuam që novelën e saj ta bënim film. Ra dakord, edhe pse ishte pak skeptike rreth asaj që mund të arrinte me skenarin. Ne këmbëngulëm duke i thënë se do të kishte edhe ndihmën tonë e do të mund të konsultoheshim vazhdimisht. Dhe kështu ndodhi. Për skenarin punuam bashkë me Helenën, në atë që sot quhet Shtëpia Studio Kadare, kemi shkuar jashtëzakonisht mirë, kishim krijuar tamam një komunikim artistësh. Fillimisht u duk sikur Helena pati disa vështirësi për t’u njësuar me skenarin, pasi ishte tjetër gjini, por u mësua shpejt, aq sa nisi të jepte sugjerime të vyera. Ka qenë me të vërtetë një proces shumë i këndshëm krijimtarie.

Kadare ka qenë i pranishëm gjatë këtyre konsultimeve?

Po, disa herë. Kujtoj se ishte shumë komunikues. Një herë, teksa po na dëgjonte të shkëmbenim ide e që me shumë gjasa kishte lexuar edhe skenarin, i thotë Helenës: Dëgjoji çunat, se i dinë mirë këto punë!

Pas realizimit të skenarit, si vijoi puna më tej?

Së bashku me Ibrahim Muçajn i dhamë një vëmendje të veçantë skenarit, duke qenë se novela na tërhoqi shumë që në fillim, kishim disa ide novative, donim ta trajtonim në një formë tjetër, të patrajtuar më parë në Kinostudio. Stafi mandej e bënte punën edhe më të lehtë. Kishim operatorin Bardhyl Martiniani, një nga gjigantët e Kinostudios, që për fat të keq tani është lënë në heshtje. Na u bashkuan edhe piktorët Alush Shima dhe Azis Karalliu. Kështu, unë Ibrahimi dhe 3-shja e artistëve kujdeseshim për çdo element, vizatonim çdo gjë në kuadër, ndërtonim detajin, ishim të vëmendshëm që çdo gjë të shkonte si duhej edhe nga ana dramaturgjike, e natyrisht që gjithë ajo punë do të jepte frytet e veta.

Ka pasur elemente të filmit që i keni ndryshuar, për shkak se jua ka imponuar sistemi?

Kjo pyetje më bën të zbuloj një histori tjetër. Ne, në fakt, e përfunduam filmin me një fund krejt ndryshe. Nuk donim që ta vrisnim Edgarin, kapitenin gjerman, pasi me sfidën që i bënë guerrilasit ishte pothuajse “i vdekur”. E duke iu përmbajtur kësaj ideje, e montuam filmin herën e parë. Një skenë shumë e bukur, që linte të kuptohej qartë Edgarin e mundur, që humbi luftën.

Edhe ne donim ta trajtonim në mënyrë të tillë, më artistike, më moderne. Mirëpo, nuk na lanë. Thanë që “duhet të vrisni Edgarin”. Kështu, ne e vramë sepse kur urdhëronte Partia, do bëhej siç thoshin ata, nuk kishte rrugë tjetër!

Me Rajmonda Bulkun kishit punuar edhe më herët te “Dimri i fundit”, megjithatë ky ishte një rol që kërkonte përgjegjësi. Një grua që kërkon të dalë partizane dhe që lë jetën vajzërore mënjanë, ndërkohë që aktorja asokohe ishte tepër e re. Ka qenë i vështirë realizimi i skenave?

Të jem realist, ka qenë e vështirë. Vërtet Rajmonda vinte nga “Dimri i fundit”, por atje kishte një rol më të thjeshtë, ndërsa këtu kishte shumë përgjegjësi. Të gjithë ishim të ndërgjegjshëm për vështirësitë e rolit, ndaj mundoheshim ta bënim të ndihej mirë, ta toleronim, të prisnim që të vinte momenti i saj duke sjellë në vëmendje kujtesën emocionale, që është një levë e madhe për aktorin.

Ndihmë të madhe në realizimin e skenave ka dhënë edhe Kastriot Çaushi, i cili sapo kishte përfunduar shkollën e luante për herë të parë në film, edhe pse edhe ai mbarte emocionet e veta, shqetësimin se si duhej të komportohej gjatë xhirimeve, pasi kishte punuar gjithmonë në teatër e kjo ishte përballja e parë me kinemanë. Mirëpo, të gjithë ne përpiqeshim t’i bënim të ndiheshin komodë.

Madje, më kujtohet që gjatë njërës prej skenave, ku duhej të ndihej syri i lagur nga loti i protagonistes, Mondës, neve na u desh të prisnim gjatë që skena të ishte sa më reale. Duke parë që tensioni e emociononte aktoren, Bardhyli na sugjeroi ne regjisorëve të largoheshim, ndërkohë që ai ndenji në pritje për të kapur momentin e duhur. Me dritat hapura e kamerën gati, priti derisa sa loti të dilte e kështu ndodhi. Një operator i një ngulmimi të madh, në çdo film që kemi bashkëpunuar. Vizionar, i cili edhe sot që është në të 80-at, ka atë dëshirën e madhe për të pasur kinemanë përballë.

Ndërkohë, me interpretimin e Llazi Sërbos në film mund të thuhet se kishit një gjerman të vërtetë për rolin e Edgarit…

Interpretimi i gjigantit Llazi Sërbo ka qenë edhe një nga më të vlerësuarit nga ata që kanë përzgjedhur filmin. Ishin shprehur se roli i tij ishte shumë i ndërtuar. Me Llazin kemi bërë edhe një gjest të paprecedent. Gjatë xhirimeve i caktuam një berber, të cilin e paguanim çdo ditë, që Llazi të dukej sa më i kuruar. Me borsetat e prera, kostumin shik, kapelën e mbajtur me kujdes, pra të dukej tamam gjerman. Kujtoj se kur mbaronim skenat së xhiruari, ai nuk fliste me asnjë. Largohej dhe më thërriste… -Si isha? – më pyeste. -Mirë – i thosha,- po ai ishte shumë kërkues nga vetja e në njëfarë mënyre sikur s’e besonte deri në fund. “A isha mirë?” – më pyeste përsëri. Bënte një përgatitje të jashtëzakonshme, ishte shumë i saktë. Një shembull ekzemplar në kinematografinë tonë. Nuk vjen më Llazi Sërbo.

Skena e vizatimit të yllit, pllakati i së cilës përfaqëson sot seksionin “O partigiano” në “Viennale”, është jashtë skenarit, si e realizuat?

Ndërkohë që i xhironim të ndara episodet, ato të grupit gueril mënjanë e me Llazin veç, i them Ibrahimit: – Po sikur të vendosi një yll këtu? -Mirë, – më thotë, – vetë e kemi në dorë, e provojmë, po s’na pëlqeu e heqim.

Po si t’ia bëjmë se nuk e kemi të aprovuar në miratimin e projektit? Kështu i thamë drejtorit, mirëpo asokohe në këtë pozicion ishte një person, që s’kishte lidhje me kinemanë dhe nuk qe e lehtë. Ndërhynë Alushi, Bardhyli e gjithë të tjerët për ta bindur se ishte e nevojshme dhe ia arritëm qëllimit. Gjetëm kamionin, mushamanë, vendosëm edhe vendin, e realizuam. Kur e pamë na pëlqeu, pozicioni, mizanskena, gjithçka dukej bukur, ndaj mbeti. Nga kjo i lind Azis Karalliut ideja të ndërtonte pllakatin, i cili u vlerësua edhe nga komisioni që e përzgjodhi për seksionin “O partigiano!” në “Viennale”.

E kujtoni kur e shfaqët për herë të parë filmin, si u prit?

E kujtoj ende sot kur u projektua filmi. Sapo përfundoi, në sallë pllakosi heshtja. Qe një heshtje e frikshme, paralajmëruese… Unë e Ibrahimi pamë njëri-tjetrin në sy e përpiqeshim të kuptonim se çfarë kishim bërë gabim, çfarë nuk shkonte si duhej. Të gjithë u ngritën në këmbë dhe ikën. Asnjë fjalë, asnjë koment, derisa udhëheqësi artistik na tha: “Do të ulemi ta diskutojmë”, sepse ndoshta edhe ai kuptoi se kishte diçka. Kur dolëm jashtë, disa nga miqtë tanë na jepnin dorën, shumë të tjerë nuk na flisnin, tërhiqeshin mënjanë. Të nesërmen e saj dite mbërriti i deleguari i Ministrisë së Kulturës, na mblodhi në drejtori e na tha prerazi: “Filmi është i gabuar, është një film kapitullues”. U ndjemë sikur na plasi një bombë në duar. Vijoi të argumentonte. Thoshte se filmin e përshkonte një ndjesi e madhe frike, terrori. Ndërkohë ne e kishim humbur fillin, s’po kuptonim ç’ndodhte. Për ne kjo ishte krejt e papritur, edhe pse më herët e kishim parë filmin në një rreth të ngushtë, ku kishte ardhur edhe vetë Kadare. Nga shkrimtari patëm marrë një mbështetje shumë pozitive, duke na thënë se: “Keni bërë një film shumë të bukur, e parashikoj se do të pëlqehet, është një film ndryshe. Mund të ketë debate, por ai mbetet film shumë i mirë. Këtë do ta tregojë dhe koha”. Disa nga miqtë tanë, po ashtu, na kishin thënë të tilla fjalë. Ndërsa tani po ndodhte krejt e kundërta. Ideja se filmi ishte i gabuar filloi të përhapej në të gjithë Kinostudion…

Çfarë ndodhi që filmi shpëtoi, që ju tek e fundit shpëtuat pas një konstatimi të tillë?

Ndodhi çudia. Pas 2-3 ditësh, unë dhe Ibrahimi të shqetësuar shkuam në Kinostudio dhe na lajmërojnë: “Në orën 10:00, një anëtar i Byrosë Politike do të vijë për të diskutuar për filmin”. I kujtoj ato çaste si të ishin sot. Ne u shtangëm, mirëpo disa nga miqtë tanë na qetësuan: “Mos u shqetësoni. Ai e pëlqeu filmin”,- na thanë. U duk sikur erdhi një zë nga Zoti, sikur për ne u hap qielli, pas asaj fjale të bukur e morëm veten menjëherë. Në sallën e madhe të Kinostudios u bë mbledhja ku kishte ardhur Manush Myftiu, i cili tha të parën fjalë: “Filmi është i shëndoshë, s’ka asgjë të gabuar, përkundrazi, tregon se ne kemi luftuar me një armik të fortë”. Pastaj vijoi me argumentet e tjera, madje kujtoj se në mënyrë demonstrative na dha dorën e na përqafoi.

Megjithatë, ju kaluat ditë ankthi, që nuk lidheshin vetëm me të ardhmen e filmit. A ndryshoi qëndrimi i kolegëve pas kësaj, i atyre që “ju kthyen shpinën” apo ju panë vëngër?

Me Ibrahimin kaluam momente tensioni, frike. Në shtëpi e kisha përgatitur time shoqe për atë që mund të ndodhte. Mund të na çojnë gjetkë,- i thashë, -ndoshta në ndonjë punë prodhuese. Ishin vërtet momente të vështira. Gjatë atyre ditëve pati edhe miq e kolegë që na u gjendën. Kujtoj një nga shokët tanë, piktor grimi, afrohet e më thotë: “DO të të them një fjalë Mitro, por mos e bëj muhabet. Tiranën e mbanin dy ushtarë gjermanë e ju ia keni arrit qëllimit, se me gjermanët s’kishte shaka”.

Ish mirë të dëgjoje fjalë të tilla, veçanërisht sepse fanatikët që na thoshin se kishim gabuar, s’ishin të paktë. Mirëpo, është shumë interesante se si pas ardhjes së Myftiut të gjithë ndryshuan qëndrim. Erdhën e na dhanë dorën, na përqafuan. Më ka bërë shumë përshtypje. Mandej, filmi u shpërnda në rrethe. Mbas disa ditësh, takuam së bashku me Ibrahimin pedagogun tim, Pirro Manin, i cili e kishte parë filmin në Korçë së bashku me ca kineastë, shqiptarë të Kosovës. Më ndalon e më thotë: “Keni bërë një film të madh. Kinostudioja nuk ka bërë deri më tani film me vlera të tilla”. U ndjeva mirë, natyrisht.

Si ndiheni pas gjithë këtyre viteve, kur i riktheheni atij filmi?

Të jem i sinqertë, mendoj se është një nga filmat tanë më të mirë, që ka realisht vlera, mirëpo s’di për ç’arsye u harrua, u la mënjanë. Për të nuk u fol më, nuk u vlerësua në asnjë festival, derisa Iris Elezi, në një telefonatë më njofton për lajmin e mirë: “Nusja dhe shtetrrethimi” është përzgjedhur për në Festivalin e Vjenës”. Pata shumë emocion. Përpos kësaj, pak ditë më parë isha në Vjenë për datëlindjen e mbesës sime e të shikoja Pllakatin e filmit në të gjithë Vjenën me logon “O partigiano”, më lumturoi shumë… Filmi është shfaqur edhe në një festival në Athinë, të huajt e kanë pëlqyer dhe vlerësuar, ndërsa në Shqipëri, çuditërisht jo. Në Shqipëri s’e kanë vlerësuar asnjëherë… dhe për këtë më vjen shumë keq.

 *Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura