Humbja e “ëmbël” e çon në finale të Kupës, Alegri: Juventusi e meritoi plotësisht kualifikimin

Apr 24, 2024 | 9:43
SHPËRNDAJE

Fiton një Lacio që mban në mënyrë të shkëlqyer fushën për 70 minuta, duke i trembur jo pak, por në fund, në finale shkon Juventusi, që edhe pse nuk luan bukur dhe nuk duket bindëse, të paktën ka ende forcën për të mos u dorëzuar deri në fund. Gjysmëfinalja e kthimit e Kupës së Italisë në “Olimpiko” përfundon 2-1, por bardhezinjtë presin biletën për në finale falë suksesin 2-0 në Torino.

alegri

“Zonja e Vjetër” duhet të falënderojë Arkadiuzh Milikun, i cili vetëm pak sekonda pas zbritjes së tij në fushën e lojës arrij që të depozitojë në rrjetë një pasim të Timoti Ueah dhe kaq mjafton për t’i dhënë bardhezinjve mundësinë e fitimit të një trofeu, më 15 maj, në të njëjtin stadium. Më shumë sesa ajo që bëri skuadra e tij dje në fushën e lojës, kjo finale ka vulën e Masimiliano Alegrit, i cili rikthehet që të godasë me zëvendësimet e tij, duke qenë se hedhjet në fushë, në pjesën e dytë të Ueah e Milik arritën që të ngrenë në këmbë një ndeshje që dukej se po shkonte drejt shtesave.

Por edhe njëherë tjetër jo, “Zonja e Vjetër” ka edhe pak frymë për të provuar që të mos mbyllë një tjetër sezon dështues, pas atyre dy të mëparshmëve me zero trofe. Nga ana tjetër, Lacio del me shumë pengje, duke qenë se pasi rikuperoi disavantazhin 2-0, me pak më shumë sforco mund t’ia dilte të përmbyste, por mesa duket në këtë fundsezoni benzina është e pakët dhe në fund iu desh që t’u dorëzonte, ndonëse me kokën lart. Nga ana tjetër, Juventusi pret të mësojë sot në mbrëmje, në orën 21:00, se cila do të jetë rivalja e finales së 15 majit mes Atalantës dhe Fiorentinës.

FLET ALEGRI – “Të lutem mister, tani mjaft, qetësohuni pak”. Ishin këto thirrjet e shpeshta në minutat e fundit të arbitrit kryesor dhe atij të katërt ndaj Alegrit, i cili ishte një furtunë e vërtetë në stol, duke e ditur se ndoshta kjo është mundësia e fundit për të shpëtuar sezonin, por ndoshta edhe stolin e tij: “Nuk ishte një ndeshje e lehtë për t’u interpretuar, edhe pse në rastin e golave bëmë sërish dy gabime madhështore, – bën hyrjen e tij Masimiliano Alegri, në konferencën për shtyp, pas ndeshjes.

Por finalja e Kupës së Italisë për ne ishte më shumë sesa e merituar dhe mbi të gjitha ishte objektivi i parë i arritur nga dy që më kishte paracaktuar klubi. E di që vuajtëm shumë, ndoshta edhe më shumë sesa mund ta mendoja, por ky është momenti ynë edhe pse e rëndësishme është që në fund arritëm të shkojmë në finale dhe ta meritojmë atë. Kishim 3 vite që e kërkonim një finale dhe ja ku jemi, por tani duhet ta fitojmë atë. Gjithsesi, deri më 15 maj do të ketë kohë, prandaj kokën te Milani, pasi është ndeshje që mund të na vulosë edhe objektivin tonë të dytë sezonal, kualifikimin dhe rikthimin në Champions”, tha trajneri i Juves.

JETON STAFMOLLA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura