Hidrokarburet, KLSH: Janë humbur 504 milionë USD

Jun 28, 2015 | 13:55
SHPËRNDAJE

Mosrakordimi institucional ndër vite mes Ministrisë së Energjisë, Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe “Albpetrol” i ka sjellë dëm të konsiderueshëm buxhetit të shtetit. 

Bujar Leskaj

Në një raport të tij, Kontrolli i Lartë i Shtetit vëren se ngërçi që ka pasur dhe efektin më të madh është ai i marrëveshjeve hidrokarbure, ku kompanitë që kanë përfituar kanë “manipuluar” planet e zhvillimit për të dalë pa fitim.

MARRËVESHJET
Në vendin tonë aktualisht janë miratuar 6 marrëveshje hidrokarbure dhe janë dhënë 16 licenca të tjera për zhvillim e prodhim. Kompanitë që kanë fituar këtë të drejtë kanë pasur mundësinë që pas investimit paraprak të kërkimit nga nxjerrja e naftës në fazën tjetër të përfitojnë duke marrë mbrapsht paratë e hedhura më herët.

Por vit pas viti ka rezultuar që planet e zhvillimit janë ndryshuar duke nxjerrë gjithmonë shpenzimet më të mëdha sesa të ardhurat dhe kështu duke mos derdhur tatimfitim në arkë.

“Si pasojë e këtyre ndryshimeve të Planeve të Zhvillimit kohë mbas kohe, treguesit ekonomiko-financiar të arritur nga veprimtaria e kompanisë kanë pasur mospërputhje, krahasuar me parashikimet e miratuara në Planet Afatgjatë të Zhvillimit (PZH) si dhe Planet dhe Buxhetet e Punës vjetore (PP&B), duke raportuar tejkalim në shpenzime, ndonëse sasia e naftës së nxjerrë ka qenë në rritje në rast se nuk do të kishim ndryshim të Planeve të Zhvillimit, Planeve të Punës dhe Buxhetit të kryer, Shteti Shqiptar do të kishte përfituar deri në fund të vitit 2014, përveç rentës minerare prej 199,4 milionë USD edhe një shumë prej afro 504.55 milionë USD, vetëm nga kompania kryesore që vepron në këtë fushë”, vërën Kontrolli i Larë i Shtetit.

Më tej, raporti ka vërejtur probleme të mungesës së monitorimit kronologjik të aktivitetit të koncesionarëve nga ana e AKBN. Kontrolli monitorues i tre institucioneve AKBN, MEI dhe “Albpetrol” ka qenë pothuajse “inekzistent” e cilëson KLSH. Për të pasur një panoramë të qartë mbi problematikën e përgjithshme të mënyrës se si kontrollohen sot pasuritë e nëntokës, KLSH bëri auditim në tre institucione, duke dhënë më pas edhe rekomandimet.

REKOMANDIMET
Agjencia Kombëtare e Burimeve të Natyrës sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit duhet të kalohet në varësi të Kryeministrit apo Kuvendit të Shqipërisë. Nga ana tjetër theksohet se kjo agjenci duhet të funksionojë me një ligj të veçantë, të specifikuar qartë dhe jo me një VKM të thjeshtë që lë jashtë saj shumë hapësira çka bëhen edhe shkak për abuzime. Një shembull i tillë është ai i kontrollit të AKBN te hidrocentralet që atributi i është kaluar KESH.

“Të rishikohet baza ligjore mbi të cilën funksionon AKBN-ja, veçanërisht në lidhje me monitorimin për realizimin e fuqisë të vendosur të Hec-ve, prodhimin vjetor të energjisë elektrike dhe detyrimin e “Fee koncesionare”, nga shoqëritë që kanë vendosur Hec-et në prodhim, ku AKBN-ja nuk e përmbush këtë detyrimin ligjor, pasi nga ana e AK, kjo kompetencë i është dhënë KESH”, thuhet në raportin e KLSH.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura