Hetimi, vdekja e minatorëve, pakujdesi

Oct 31, 2012 | 12:46
SHPËRNDAJE

BULQIZE – Vdekja e dy minatorëve në minierat e Martaneshit konsiderohet nga ana e grupit hetimor si pakujdesi e viktimave. Edhe dje kanë vijuar hetimet, madje janë thirrur në Komisariatin e Bulqizës drejtuesit e subjektit privat ku ndodhi ngjarja e rëndë. Burime policore bëjnë me dije se dy minatorët kanë qenë së bashku me galeri dhe shpërthimi i një granate të paplasur ka shkaktuar tragjedinë. Nga hetimet ka rezultuar se Vebi Stafa dhe Ermal Elezi kanë hyrë pasditen e të hënës për të realizuar shpërthimet e radhës në frontin e punës. “Zjarrmëtari Vebi Stafa ka hyrë në galeri dhe ka vendosur tri mina në ballin e frontit, për të realizuar avancimin e punimeve. Është larguar prej aty për të dëgjuar shpërthimet. Por vetëm dy nga tri minat kanë shpërthyer. Kjo ka bërë që Stafa dhe Elezi të rikthehen në frontin e punës. Stafa ka menduar se mina nuk do të shpërthente më dhe ka nisur punën për çaktivizimin e saj. Teksa ai punonte për nxjerrjen e kallëpit të dinamitit dhe fitilit zjarrpërcjellës, ka ndodhur shpërthimi fatal”, pohuan burime të Policisë. Nga hetimet ka rezultuar se firma zotëronte dokumentacionin e plotë dhe ka kryer sigurimin teknik të punonjësve.             h.p

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura