Hetimi ndërkombëtar i çështjes “Doshi”, domosdoshmëri

Mar 14, 2015 | 12:06
SHPËRNDAJE

PREÇ ZOGAJ

   Intensiteti i pazakontë i hetimit të akuzave të deputetit Tom Doshi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pozitiv në vetvete, i ka të dyja anët e medaljes. Ka shpresën e një hetimi të thelluar, që do fillojë të hedhë dritën në botën e errët të lidhjeve të politikës me krimin, sikurse edhe dëshirën që këtyre lidhjeve famëkeqe t’u ketë ardhur ora e këputjes, e ngordhjes. Nga ana tjetër, është frika e një nxitimi për t’i vënë përsipër denoncimit të tmerrshëm kapakun e parafabrikuar nga vetë Kryeministri Rama sikur gjithçka është paranojë, telenovelë, inskenim i Tom Doshit me shokë. Në këtë kontekst, parada e politikanëve dhe figurave të njohura publike në Prokurori, sa ç’është një risi, ngjan të jetë edhe një show për të kopsitur letrat në sipërfaqe të hetimit. Të kuptohemi: nuk thotë kush se deklaratat e personave që kanë pasur dijeni për ngjarjen në hetim janë pa vlerë. Nga krahasimi i këtyre deklaratave me njëra-tjetrën dhe me informacionet e tjera që ka Prokuroria, mund të çelen pista që ndihmojnë zbardhjen e të vërtetës. Por, nëse hetimi mbetet kryesisht në këtë nivel, pra në nivelin e administrimit të deklaratave, dështimi është i sigurt. Jo vetëm se në raste të tilla deklaratat rregullohen nëse duhen rregulluar, por edhe për një arsye tjetër, që më duket se është specifike në hetimin e kësaj ngjarjeje. Për arsye se ngjarja është qarkulluar e mbajtur gjatë herë si bombë e herë si patate përvëluese në një rreth të ngushtë njerëzish dhe për vetë kokolepsjen që ka pësuar duke u trajtuar jashtë kanaleve ligjore, personat që po pyeten në Prokurori, jo të gjithë pa dyshim, e kanë si të thuash me “detyrim-përcaktim” t’i bien sa më shkurt dhe të thonë “nuk dimë gjë”. Sepse çdo qëndrim tjetër, në rastin kur dinë, i rrezikon të përballen me akuzën e moskallëzimit të krimit. Nuk e di sa është e mundur, por mendoj se hetimit do t’i kishte vlejtur një amnisti paraprake e moskallëzimit të ngjarjes në kohë reale. Sidoqoftë, përtej deklaratave dhe dëshmive të atyre që po pyeten, Prokurorisë i duhet të kërkojë, zbulojë e mësojë me rrugë të tjera si qëndron e vërteta. I duhet të hyjë brenda krimit të denoncuar dhe të hetojë për krimin. Prokurorët e dinë më mirë se askush si dhe qysh. Janë në profesionin e tyre. Por opinioni publik pret që të hetohen në detaje faktet që ka paraqitur në denoncimin e tij deputeti Doshi, tabulatet e bisedave dhe mesazheve telefonike që kanë shkëmbyer në periudhën e dhënë personat e përmendur në denoncim, të dhëna të tjera që intrigojnë njohjen, siç është për shembull pajisja e eksplozivit që Tom Doshi thotë se ka arritur ta fusë në dorë përmes hetimeve që ka bërë vetë.
Hetimi nuk mund të jetë i besueshëm pa një hetim shterues të dinamikës së planit kriminal. A mund ta bëjë këtë Prokuroria jonë? Besimi ekziston, prokurorët që po merren më këtë çështje mund të sfidojnë skepticizmin e krijuar ndër vite nga një Prokurori e tulatur përballë politikës apo krimit të veshur me pushtet. Por vështirësitë janë realisht evidente.
 Vështirësia e parë lidhet me faktin se Meta, që akuzohet si porositës i vrasjeve me pagesë dhe Rama e Tahiri që e kanë mbajtur të fshehtë apo xhongluar në shoqërinë e tyre, janë tre nga pushtetarët më të fuqishëm në vend, të lidhur ndër të tjera në një lidhje numrash (dy të parët), që u siguron mbajtjen e pushtetit.  
 Vështirësia e dytë qëndron në nxitimin e Kryeministrit Edi Rama për t’i vënë vulën këtij denoncimi, duke e popullarizuar edhe si gallatë, ndërkohë që hetimi sapo kishte nisur. Edhe po ta kishte të ngulitur dhe të bazuar në prova të pakundërshtueshme bindjen se jemi para një trillimi, zoti Rama nuk duhej të kishte folur e këmbëngulur pa folur Prokuroria. Ai është kryeministër, është de fakto figura më e lartë institucionale e shtetit, është edhe palë e akuzuar për fshehje të krimit të pretenduar. Sentencat e tij të përditshme se kemi të bëjmë me një trillim skizofrenik i bëjnë presion hetimit, e bombardojnë hetimin. Në këto rrethana, do apo nuk do, njësimi eventual i përfundimeve të Prokurorisë me sentencat paraprake të kryetarit të qeverisë e komprometon hetimin.
Vështirësia e tretë ka të bëjë me faktin se sipas deputetit Doshi, prokurori i Përgjithshëm, Llalla, vë në dijeni njëherësh me Ramën, Tahirin dhe Metën për planin kriminal. Kush e thërret për të dëshmuar zotin Llalla, siç po thirren të gjithë ata që kanë dijeni për ngjarjen? Vartësit e tij? Qofsha i gabuar, po mua më duket se kryeprokurori është në gjendjen faktike të një konflikti interesi në raport me këtë ngjarje.
Një vështirësi e katërt është ajo e pozicionit të ish-kreut të Prokurorisë së Krimeve të rënda, Eugen Beçi. Nuk më shkon bija e mendjes që një funksionar kaq i lartë në institucionin e akuzës të jetë përfshirë në skema kriminale për vrasje, por implikimi i tij, që u pasua me transferimin e menjëhershëm pas publikimit të denoncimit, ngjan të jetë një ekuacion ose një intrigë me shumë të panjohura.
Këto vështirësi dhe të tjera lartësojnë dhe trashin në lidhjen e tyre murin e pengesës përballë transparencës. Disa kolegë, duke referuar parime, këmbëngulin se prokuroria e ka për detyrë t’ia dalë dhe duhet t’ia dalë pavarësisht kë ka përballë. Nuk na kushton asgjë të jemi libreskë. Nuk na kushton asgjë të kërkojmë heronj nga radhët e Prokurorisë. Po të dalë ndonjë apo disa do të jetë një ngjarje e madhe për vendin, një erë e re do të fillojë në funksionimin e shtetit. Por para se te jemi idealistë, duhet të jemi realistë. Sidomos kur analizojmë zhvillime konkrete dhe korrente. Realizmi më thotë së një hetim që ka përballë apo zhvillohet në trysninë e një korporatizmi të trefishtë forcash në pushtet dhe me pushtet, e ka mjaft të vështirë të shkojë përpara në drejtimin e duhur. Dorëheqja e Ilir Metës si i akuzuari kryesor do të krijonte një çarje pozitive në këtë bllok forcash. Njëherësh do të kishte shërbyer për një inkurajim të dobishëm të prokurorëve të çështjes. Në fund të fundit, institucioni i dorëheqjes së zyrtarëve të lartë të shtetit për këtë ka lindur dhe ekziston: për t’u barazuar me gjithë të tjerët para ligjit, për t’u “dobësuar” para drejtësisë në emër të transparencës.
Në kushtet e krijuara, asistenca dhe ekspertiza ndërkombëtare për hetimin e denoncimit të deputetit Doshi është një domosdoshmëri. Nuk do të jetë hera e parë. Në fund të fundit partneriteti, miqësitë, integrimi europian dhe euroatlantik na duhen me shumë se kurrë në nevojë, në ditë të vështira.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura