Hetimet 6 mujore që çuan në pranga “të fortët” e Shkodrës, Policia sekuestron dhe resortin në…

Sep 23, 2018 | 13:19
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, goditën në një operacion ditën e djeshme grupin e Safet Bajrit, i njohur ndryshe si “i forti” i Shkodrës.

Operacioni i koduar “Oaz” erdhi pas gjashtë muajsh hetime intensive në Shqipëri dhe Holandë ku fshiheshin dhe vepronin anëtarët e grupit. Koka e tij, Safet Bajri, (Rustemi) u arrestua në Tiranë dy ditë më parë, teksa ishte duke luajtur bilardo në zonën e “Xhamllikut”. Bajri ishte i armatosur, por në momentin e arrestimit është zënë në befasi, duke hedhur pistoletat në dyshime.

Përveç Tiranës, operacioni është shtrirë edhe në Shkodër dhe Roterdam, ku janë arrestuar persona të tjerë. Detajet e operacionit i komunikoi drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, ditën e djeshme në një konferencë për shtyp, i shoqëruar edhe nga drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, së bashku me prokurorin Blerim Tominaj. Të arrestuarit janë: Safet Bajri; Behar Bajri, i kapur në Roterdam; Samet Halluni, i kapur në Roterdam; Ilir Rustemi, i arrestuar në operacionin e Shkodrës më 6 shtator; Emrah Plaku, i arrestuar në Shkodër më 6 shtator; Astmer Bilai, i arrestuar në Shkodër më 6 shtator; Armir Grimaj, i arrestuar dje në Shkodër; Ismet Idrizi, i arrestuar në Shkodër; Fabiol Rexhepi, i arrestuar në Shkodër; Denis Brajoviç ,i arrestuar në Tiranë dhe Klaudio Hoxhalliu, i arrestuar në Tiranë. Policia tha se dy prej anëtarëve të grupit janë shpallur në kërkim dhe po punohet për arrestimin e tyre.

policiaOPERACIONI

Policia dhe Prokuroria kishin kohë që ndiqnin hapat e Safet Bajrit, kreut të grupit famëkeq që dyshohet për vrasje, gjobëvënie, trafik droge etj. Së fundmi, oficerët e Policisë kishin marrë informacion se Safet Bajri kishte lëvizur nga qyteti i Shkodrës dhe ndodhej në një zonë të Tiranës. Duke shkëmbyer informacione edhe me shërbimet partnere, u vendos që të ndërhyhej në mënyrë të sinkronizuar në Shkodër, Tiranë dhe Roterdam.

“Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar, dhe është provuar në javët e fundit, se anëtarë të këtij grupi kriminal kanë kanosur dhe shtrënguar disa shtetas për dhënie shumash të konsiderueshme parash. Ky grup është i dyshuar dhe po hetohet intensivisht për disa nga ngjarjet e fundit të ndodhura në Shkodër”, tha në konferencën për mediat drejtori i Përgjithshëm i Policisë.

Operacioni për arrestimin e Bajrit nisi ditën e djeshme, në orën 21:00, dhe përfundoi me arrestimin e tij në Tiranë, së bashku me dy persona të tjerë në një bilardo të zona e “Xhamllikut”. Ndërhyrja operacionale është koordinuar mes grupeve të posaçme hetimore, në të dy shtetet, duke shkëmbyer informacion intensiv. Gjithashtu, u ngritën dhe operuan në 2 vendet, grupe të përbashkëta operacionale, të mbështetura nga forcat speciale të Policisë së Shtetit dhe atyre holandeze.

“Gjatë ditëve të operacionit për identifikimin dhe arrestimin e disa prej personave të mësipërm, janë shkëmbyer me dhjetëra informacione, jo vetëm mes Policisë së këtyre 2 shteteve, por edhe autoriteteve ligjzbatuese që asistojnë Prokurorinë dhe Policinë, në Gjermani, Kroaci etj”, tha më tej drejtori i Policisë.

Policia sekuestron resortin e Safet Bajrit

Gjatë ndërhyrjes së Policisë, tre prej anëtarëve të këtij grupi iu gjetën në trup 3 armë zjarri pistoletë, ndërsa në banesë lëndë narkotike kanabis sativa. Policia, në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ka sekuestruar një resort-hotel në Velipojë dhe një lokal në Shkodër në pronësi të tyre, pasi dyshohen se janë produkt i ardhur nga aktivitet kriminal. Gjithashtu, janë sekuestruar edhe 3 automjete e një numër i konsiderueshëm celularësh. Policia e Shtetit dhe Prokuroria sigurojnë qytetarët e Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë se do të vazhdojë të jetë të angazhuar për të garantuar qetësi, rend e siguri për ta, duke goditur me ashpërsinë e forcës së ligjit çdo individ të përfshirë në aktivitet kriminal.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura