Heronj vetëm për ditë të vështirë

Apr 8, 2020 | 12:32
SHPËRNDAJE


Pellumb nako

Nga PELLUMB NAKO

Epidemitë në përgjithësi, dhe ajo e coronavirusit në veçanti, duke pasur fuqi të madhe kërcënuese ndaj jetës njerëzore dhe kjo e fundit duke mos qenë e mbrojtur nga medikamentet apo vaksinat, bën që të shfaqen fenomene sociale të cilat në një kohë të zakonshme paraqiten mjaft të zbehta. Gjendja e frikshme në gjithë botën i kthehu mjekët dhe infermierët në heronjtë e vijës së parë për të mbrojtur njerëzimin duke e orjentuar shoqërinë njerëzore drejt një pozitiviteti me të theksuar në raport me vlerësimin të punës së tjetrit, në rastin konkret atë të mjekut. E bëri atë të nxjerë dhe nga sirtari thuajse të harruar dhe të valvis me vrull solidaritetin, komuntarizmin, ndihmën humane. Kjo konsederatë për këtë armatë të madhe të mjekëve, nuk mungoi të shprehet me brohorima të shumta edhe në Shqipëri. Më solidarja me masën e tyre në momente të tilla, si zakonisht mbetet qeveria.

Ndërkohë, kthimi i mjekëve në heronj të mbuluar me lloj-lloj konsideratash lavdie në fakt, në vendin tonë, është më shumë ndërgjegjësim masiv i menjëhershëm i publikut për rolin e mjekut në kohë të vështira sesa rritje e cilësive të tij civile. Nëse ky vlerësim do të ishte konstant, edhe në kohët kur kërcënimin  e vdekjes nuk do ta ndjenim kaq pranë, por diku larg në persona të tjerë  tek-tuk dhe më rrallë, shoqëria jonë aktualisht nuk do t’i konsederonte ata heronjë, por thjesht profesionistë që bëjnë punën e tyre. Sepse ajo që po bëjnë ata në fakt nuk është gjë tjetër veçse puna e lidhur me profesionin që ushtrojnë. Nuk besoj se ndonjë mjek deri më sot do të vepronte ndryshe përballë vdekjes.

Është e njëjta gjë sikur ushtarakët tani t’i konsiderojmë të gjithë heronjtë tanë që mbrojnë atdheun, ndërkohë që profesioni i tyre ky është, te luftojnë e të mbrojnë vendin. Vështirësia profesionale nuk është heroizim, por vlerë e shtuar që duhet njohur dhe vlerësuar. Po ashtu edhe puna e mrekullueshme e punonjësve tanë të emergjencave kur ra tërmeti i vitit të kaluar. E njëjta gjë kur në vitin e mbrapshtë 1997 qytetarët e Tiranës vrapuan duke u dhuruar lule punonjësve të policisë që filluan të dalin në qytet me uniforma.

Një lëkundje e tillë masive e vlerësimit për punën e tjetrit e ka kthyer shoqërinë tonë në një lloj burse vlerash morale të cilat kapin pikun e tyre të pozitivitetit në kohë krizash apo epidemish dhe ulen në minimum kur koha ndryshon dhe secili ja del vetë vetes. Ky nuk është civilizimi i duhur.

Nëse do të kishim pak kurajë për të parë të vërtetën në sy dhe të mernim guximin e të shihnim mirë se si janë sjelljet tona në kushte të tjera, me keqardhje do të shihnim se mjekëve që sot adhurojmë u është dashur jo rrallë herë të mblidhen e të protestojnë sepse mjaft nga kolegët e tyre dhunohen fizikisht, kërcënohen e plot sjellje të tilla jo civile. Por nuk është ky problemi më i madh. Problemi real mbetet në sjelljet politike në kohë paqeje, kur mjeku nuk është hero, por një profesionist si gjithë të tjerët me të mirat dhe të këqijat e tij. Dhe aktualisht, në kohën që po jetojmë, nëse në profesionin e tyre ka diçka heroike, është pikërisht ajo që duhej të bënte qeveria, që shumë nga ta nuk kishin masat e duhura mbrojtëse. Por për fat të keq, këta lloj heronjsh ngjasojnë me ushtarët e Ushtrisë së Kuqe që suleshin mbi gjermanët pa pasur armë në dorë.

Për fat të keq, duket që në të njëjta ujëra në të cilat noton sot shoqëria jonë civile, është edhe qeverisja, ndërkohë që asaj i duhet të jetë promotorja e shtyrjes para të vlerave tona shoqërore. Po qeverisja nuk u kthye dot në pararojë pasi deri më sot, nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka pasqyruar idealisht dhe në mënyrë besnike difektet tona sociale. Madje ka bërë të kundërtën duke i përkeqësuar ato.

Janë pikërisht këto nivele  të larta qeverisëse të cilat aktualisht po rrokanisin dynjanë me këshillat që japin duke u mbështetur pas mendimit të specialistëve të mjekësisë, kurse dikur këshillonin gratë e dynjasë të ruanin burrat nga infermieret. Janë këto nivele të larta që në kohë të zakonshme nuk rritën rrogat e mjekëve dhe infermierëve, por i detyruan shumë syresh të shkojnë gjetkë dhe mësa duket nëpër kanalet televizive këto ditë qenkan jo të paktë. Po ashtu të papaisur i lanë edhe punonjësit e emergjencave civile.  Është pikërisht kjo lëkundje e bursës së vlerësimit të punës së tjetrit nga koha e zakonshme në atë të jashtëzakonshme që e bën qeverinë të japë këto ditë 100 euro shtesë mjekëve.

Kurse në medie thuhet se infermierët e Lezhës protestojnë se nuk u është dhënë fare kjo shumë. Kjo do të thotë se qeveria jonë e ka më për mbarë t’i quajë mjekët  heronj e t’u japë dekorata morale sesa t’i quajë profesionistë e t’i paguaj mirë, jo thjesht për orët e zgjatura, por edhe për vështirësitë, rreziqet që u kanosen duke nxjerë një tabelë tjetër pagash për ta. Qeveria mesa duket preferon modelin Fuat Çelën, heroin e verbër skraparlli të punës socialiste që punoi vullnetarisht në hekurudha sesa modelin kapitalist të pagesës së punës së jashtëzakonshme në kushte të jashtëzakonshme.

Kryetari ynë i qeverisë na thotë se është babai ynë. Shpresoj dhe uroj me gjithë zemër të mos i ngjajë babait të mjekut francez Anoine Thibault, në librin “ La Famille Thibault”. Aty ku babai hijerënde, autoritar, vendimarrës për gjithçka, që kufizonte çdo liri dhe shtypte gjithë dëshirë të birit Anoine, mjek kirurg, u sëmur dhe i duhej të birit ta operonte. Kur Antoine u afrua në shtratin e hierarkut të familjes konstatoi se para tij ndodhej një njeri tepër i frikësuar. Egoist në çdo qelizë,  i mbledhur skrupull dhe më përmasa lilipute, pa snjë gjurmë të madhështisë, i zhveshur nga çdo lloj cilësie njerëzore, me sy të shuar që i lutej të birit ta shpëtonte nga vdekja që po i trokiste aq shpejtë dhe të kuptonte se çfarë ishte një mjek.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura