Helmimi i çiftit në Librazhd, Policia nuk gjeti prova vetëvrasjeje në dhomë. Flet nëna e dhëndrit: Çfarë zbulova kur shkova t’i zgjoja

Dec 15, 2019 | 18:53
SHPËRNDAJE

Rezarta Hajdari, 19- vjeçarja e martuar vetëm një javë më parë, që humbi jetën të premten nga helmimi, është përcjellë dje për në banesën e fundit.

ciftit

Trupi i saj u tërhoq nga morgu nga i vëllai dhe të afërmit për ta dërguar më pas në shtëpinë e saj, në fshatin Fushë-Buall të Elbasanit, ku iu dha edhe lamtumira e fundit. I vetmi dëshmitar që mund të zbardhë misterin e vetëhelmimit, që pakkush nga rrethi familjar e shoqëror e beson, është bashkëshorti i saj, Olsiani, i cili vijon të mos japë shenja jete dhe ndodhet i mbuluar nga tubat e aparaturat në reanimacionin e Spitalit të Elbasanit.

Të afërmit, miqtë, prindërit, të gjithë kërkojnë një shpjegim për atë që ka ndodhur. Ngjarja është e mbuluar nga misteri dhe askush nuk është në gjendje të tregojë se çfarë ka ndodhur atë natë mes çiftit të sapomartuar apo se kush mund t’i ketë shtyrë në vetëvrasje. HETIMI Oficerët e Policisë që kanë kryer kontroll të imtësishëm në banesën e çiftit dhe në dhomën e tyre, nuk kanë gjetur asnjë gjurmë vetëvrasjeje.

Paraprakisht, ekspertiza mjeko-ligjore pohon se çifti është helmuar me fostoksinë, por Policia nuk ka gjetur gjurmë të këtij helmi apo ambalazhin e tij në dhomën e gjumit. Kanë kaluar 24 orë dhe dhoma është e njëjtë, kuverta e vendosur ashtu siç e la çifti, dollapi pak i hapur, ku vajza kishte vendosur me rregull pajën në banesën e re ku do jetonte me djalin e dashuruar rreth një viti e gjysmë më parë.

Në këtë dhomë, Policia nuk ka gjetur prova të mjaftueshme, që të mund të sqarojë rrethanat e ngjarjes.

ÇIFTI

Çifti që u gjet i helmuar në dhomën e tyre, në fshatin Xhyrë të Librazhdit, ishte njohur në një dasmë të të afërmit të tyre të përbashkët. Pasi kishin kërcyer, ata kishin këmbyer edhe adresat e “Facebook”-ut, duke nisur një lidhje dashurie, të cilën do ta finalizonin me fejesë vetëm pak kohë më pas. Një javë më parë, ata e kurorëzuan me martesë dashurinë e tyre. Gjatë fejesës, Olsiani udhëtonte shpesh drejt Greqisë, ku kryente punë sezonale.

Natën e fundit, siç tregon nëna e Olsianit, Bukuria, çifti ka ngrënë darkë dhe kanë shkuar në dhomë për të fjetur. “Në mëngjes po vonoheshin dhe shkova t’i zgjoj në dhomë, por ç’të shoh! Djali përpëlitej dhe kishte shkumë në buzë. Nisa të bërtas. Lajmëruam ambulancën, ndërsa një fqinj na ndihmoi t’i dërgonim në spital”, rrëfen Bukurie Hajdari, e cila ende nuk ka një shpjegim për ngjarjen.

I gjithë fshati Xhyrë është i shokuar. Familja Hajdari njihej në fshat si e qetë dhe respektoheshin nga të gjithë. Ata nuk besojnë se çifti mund të jetë vetëvrarë nga ndonjë konflikt familjar. Policia i ka marrë në pyetje paraprakisht prindërit e Olsianit, por për të mësuar më shumë rreth rrethanave të ngjarjes, ata do të pyeten sërish në një moment të dytë. I vetmi që mund të zbardhë misterin e ngjarjes është Olsiani, i cili ende nuk ka dhënë shenja përmirësimi në spital.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura