Haxhiu analizon zgjedhjet: Në FSHF duhet rrotacion, Duka frikë nga rivalët

Jan 8, 2018 | 18:45
SHPËRNDAJE

Një muaj nga data e përcaktuar për zgjedhjen e presidentit të FSHF-së, diskutimet kanë nisur. Sipas të gjitha gjasave, me Armand Dukën që do të kërkojë një mandat të 5-të radhazi dhe në pritje të zyrtarizimit të kandidaturave të tjera, kjo është një prej çështjeve që po tërheq vëmendjen maksimale të komunitetit të futbollit. Profesori i futbollit, Mexhit Haxhiu, një ish-lojtar, ish-trajner, me shumë tituj nderi mbi supe dhe një ish-drejtues i Federatës Shqiptare të Futbollit, bën analizën e tij të zgjedhjeve që do të mbahen më 7 shkurt.

Haxhiu

“Mjeshtri i Merituar i Sportit” është i qartë dhe i prerë në atë që thotë: “Rrotacioni në krye të Federatës është i domosdoshëm”. Ndërsa, e konsideron si frikë nga rivalët nxitimin e Komitetit Ekzekutiv dhe kreut të FSHF-së, Armand Duka, për të caktuar datën 7 shkurt për të zhvilluar zgjedhjet.

DATA

“Mendoj se data e zgjedhur është shpejt për një eveniment të tillë që vendos fatet e zhvillimit të futbollit shqiptar për katër vitet e ardhshme. Mendoj se mund të lihej një datë më e vonë për zhvillimin e këtyre zgjedhjeve. Besoj se nxitimi për të vendosur datën 7 shkurt është një frikë e Dukës nga rivalët që do të ketë përballë”, komenton fillimisht Haxhiu përcaktimin e datës 7 shkurt për zhvillimin e zgjedhjeve. I pyetur nëse është momenti për një rrotacion në krye të Federatës, Haxhiu është i prerë dhe i qartë në atë që thotë.

“Mendoj se është domosdoshmëri një rrotacion në krye të institucionit më të lartë të futbollit në vendin tonë. Kjo do të ishte në sinkron edhe të zhvillimeve të futbollit shqiptar në tërësi. Ka pasur një periudhë lulëzimi që kulmoi me pjesëmarrjen në kampionatin europian. Por, mendoj se është momenti i duhur për një shtysë të fuqishme nëse do të kishte lëvizje në këtë periudhë. Ndryshimet janë për mirë dhe do t’i jepnin shtysë zhvillimit”, shprehet Haxhiu.

Mexhiti

Emri i deputetit Bashkim Fino është më i lakuari në media dhe në ambientet e komunitetit futbollistik si kandidati më i mundshëm që do të jetë përballë Dukës. Haxhiu, në analizën e tij në lidhje me emrin e ish-kryeministrit të Shqipërisë, thotë: “Kujtoj që shumë vite më parë, kur Fino ende nuk ishte angazhuar në politikë, ishte shumë i lidhur me institucionet e futbollit. Edhe kur jetonte në Gjirokastër, ishte pranë zhvillimeve të futbollit në atë qytet.

Ashtu siç e thashë, është domosdoshmëri rrotacioni, pasi do t’i japë më shumë shtysë dhe zhvillim futbollit në Shqipëri. Dhe, në këtë rast, qoftë Fino, apo edhe ndonjë kandidaturë tjetër që mund të dalë, do të ishte mirë që të kishte ndryshim në krye të FSHF-së.

Një kohëzgjatje e tillë, si në rastin e Dukës, mendoj se është e ekzagjeruar për institucionin tonë të futbollit”. Duke parë rrethanat dhe ato që pritet të ndodhin, Haxhiu e ka të vështirë të thotë nëse do të ketë apo jo rrotacion. “Është e vështirë të bësh një prognozë sa më të qartë, pasi nuk dimë zyrtarisht kandidaturat dhe, për më tepër, që nuk e njoh klimën aktuale. Por, në raste të tilla ndikojnë faktorë të jashtëm dhe punohet ‘undergraund’, gjë që nuk i dimë dhe nuk mund të bëj një parashikim të saktë”, deklaron Haxhiu.

Ndërsa, i pyetur nëse këto zgjedhje do të kenë ndikim në mbarëvajtjen e garës, ish-anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së nuk e sheh si diçka shqetësuese këtë. “Nuk mendoj se këto zgjedhje do të kenë ndikim në garë, përderisa është një administratë e tërë në Federatë që merret me organizimin e kampionateve. Ata janë njerëz të specializuar dhe që punojnë prej kohësh për organizimin e kampionateve dhe nuk ka arsye që të influencohet në mbarëvajtjen e aktiviteteve”, përfundoi analizën e tij për gazetën profesori vlonjat i futbollit, Mexhit Haxhiu.

BESAR BOZGO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura