Hartohet ligji për shembjen e Piramidës

Mar 6, 2011 | 11:33
SHPËRNDAJE

Juristët e Kuvendit kanë depozituar në protokollin e Kuvendit, në datën 1 mars projektligjin “Për Ndërtimin e Kompleksit Parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë”. Ky projektligj parashikon ndërtimin e Kuvendit të ri, në vendin ku ndodhet Piramida sot. Në këtë nismë ligjore është parashikuar me një dispozitë tranzitore, koha e prishjes së Piramidës. Ardhja e këtij projektligji për miratim në Kuvend në këtë kohë, kishte të bënte edhe me respektimin e një procedure tjetër. Piramida konsiderohej si monument kulture dhe prishja e saj ishte e pamundur. Por tashmë ajo nuk është më një monument kulture, pasi është çregjistruar nga regjistri i monumenteve. Një lajm të tillë e konfirmoi për gazetën “Panorama” ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, Ferdinand Xhaferri, i cili u shpreh se Piramida nuk është më pjesë e monumenteve, që ruhen me ligj të veçantë. Në këtë mënyrë i hapet rruga prishjes së Piramidës dhe ndërtimit në vend të saj të parlamentit të ri. Nisma e re ligjore e hartuar nga juristët e Kuvendit, por e ardhur në Kuvend nga Këshilli i Ministrave, parashikon se parlamenti i ri do të ndërtohet sipas kushteve të projektit që ka miratuar komiteti i posaçëm, i drejtuar nga Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, por që ka anëtar edhe Kryetarin e Bashkisë Edi Rama dhe kryeministrin Sali Berisha. Këtë javë pritet të nisë edhe shpërndarja e projektligjit në komisionet parlamentare, duke nisur nga Komisioni i Ligjeve, e më pas në komisione të tjera për mendim. Kjo nismë ligjore pritet të rikthejë edhe një herë debatin për shembjen ose jo të Piramidës.
Konkursi
Aktualisht, Kuvendi ka hapur një konkurs ndërkombëtar për projektin më të mirë për parlamentin e ri. Ofertat do të hapen në datën 20 mars. Ende nuk ka një kosto financiare të projektit, por një nga kushtet për fituesin do të jetë edhe kostoja më minimale. Sipas projektit, do të ketë 100 zyra të reja, me nga 20 metra katrorë do të ketë për deputetët shqiptarë. Kuvendi i ri do të ketë kapacitet për më se 250 deputetë. Ndërkohë, do të ketë 400 vende parkimi nëntokësor në kompleksin e ri parlamentar. Ky parkim është parashikuar për makinat e deputetëve dhe punonjësve. Në total do të shpenzohen 351 mijë euro për organizimin e këtij konkursi ndërkombëtar, me qëllim përcaktimin e firmës fituese për projektimin e kompleksit të ri parlamentar. Këto fonde do të shpenzohen për jurinë dhe të gjithë infrastrukturën e konkursit. Projekti përmban edhe një apartament më se 250 metra katrorë për Kryetarin e Kuvendit, i cili do të mund të banojë në të, si dhe të presë homologët e tij në vizita zyrtare. Por, për Kreun e Kuvendit do të ketë edhe një restorant më vete, prej 70 metrash katrorë, me kapacitet prej 30 vetash, për ta përdorur për dreka e darka zyrtare. “Nisur nga eksperienca të tjera europiane, është menduar që brenda godinës së Kuvendit të ketë edhe një apartament pritje-banimi të Kryetarit të Kuvendit, ku në raste të veçanta, kur parlamentin e vizitojnë homologë të parlamenteve të tjera, Kreu i Kuvendit shtron një drekë apo darkë të ngushtë në apartamentin e tij”, – thuhet në vendimin për kompleksin e ri parlamentar. Sekretaria teknike e Kuvendit ka shpallur rregulloren e konkursit, duke përcaktuar afatet dhe kushtet teknike për ndërtimin e ri. Aktualisht, kanë mbërritur në Tiranë përfaqësuesit e disa prej studiove arkitekturore, nga më të njohurat në botë, për t’u njohur nga afër me sheshin e ndërtimit, ku aktualisht ndodhet Piramida, e cila do të shembet. Me shpalljen e projektit fitues, hapet rruga e shembjes së Piramidës, e më pas nisjes së menjëhershme të ndërtimit të Parlamentit të ri në atë shesh.

Projekti i Kuvendit, 17 010 m2 zyra
Kompleksi i ri parlamentar, i cili do të ndërtohet ku ndodhet Piramida, parashikon të ketë më se 17 010 metra katrorë zyra. Projektit i kërkohet edhe një apartament më se 250 metra katrorë për Kryetarin e Kuvendit, i cili do të mund të banojë në të, si dhe të presë homologët e tij në vizita zyrtare. Por, për kreun e Kuvendit do të ketë edhe një restorant më vete prej 70 metrash katrorë, me kapacitet prej 30 vetash, për ta përdorur për dreka e darka zyrtare. Sipas projektit të ri, do të ketë më se 13 salla për komisione parlamentare, si dhe 2 salla për konferenca shtypi. Do të ketë edhe një sallë për mbledhje komisionesh të përbashkëta. Parashikohet të ketë edhe salla për bibliotekën, apo sallë leximi për arkivin e Kuvendit të Shqipërisë.

Braçe: Komision hetimor për Topallin

Partia Socialiste do të depozitojë në kuvend kërkesën e saj për ngritjen e një komisioni hetimor ndaj Kryetares së Kuvendit. Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, i cili ka kërkuar vazhdimisht një hetim të Kryetares së Kuvendit, por që është shtyrë nga ana e grupit socialist, tha dje se javën e ardhshme kjo kërkesë do të zyrtarizohet. Sipas tij, kërkesa e socialistëve do të përfshijë hetimin e aktivitetit politik administrativ, ekonomiko-financiar të legjislativit. Nënkryetari i Grupit PS nënvizoi se kërkesa për një hetim vjen pas raportit tejet negativ të Komisionit Europian për Kuvendin. Sipas Braçes, prej kohësh institucioni i parlamentit ka humbur funksionin e tij, për t’i shërbyer qytetarëve dhe i është kthyer në shërbim të Topallit dhe Berishës. “Bashkë me një grup tjetër kolegësh, kemi marrë detyrën që javën tjetër të formalizojmë në grupin parlamentar të PS-së, në radhë të parë dhe më pas në Kuvend, një nismë për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, që do të hetojë veprimtarinë politike administrativ, ekonomiko-financiare të Kuvendit”, u shpreh Braçe.

 

ERALD KAPRI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura