Harta e re gjyqësore, probleme të reja në drejtësi

Jan 21, 2022 | 9:22
SHPËRNDAJE

edi halimiNGA EDUARD HALIMI/ Po e them që në fillim se unë nuk jam kundër një riorganizimi gjyqësor me qëllim përmirësimin e shërbimeve në drejtësi, optimizimin e kostove, por pa cenuar aksesin e individit në drejtësi. Por jam shume kritik rreth propozimit të bërë nga KLGJ, që më në fund u bë e ditur për publikun pak javë më parë. Më shumë se 5 vjet nga miratimi i ndryshimeve kushtetuese “Për reformën në drejtësi”, për qytetarët në Shqipëri shërbimi i drejtësisë është akoma edhe më i vonuar.

Është e vërtetë se një numër gjyqtarësh e prokurorësh të korruptuar e devijantë të ligjit janë larguar përmes një procesi jo rrallëherë selektiv dhe problematik, siç deklarohet nga mediat edhe me vetë anëtarët e këtyre komisioneve. Por problemi kryesor mbeten vonesat e tmerrshme në dhënien e drejtësisë nga 3-10 vjet, për shkak të mungesës së burimeve për të plotësuar vendet në Gjykatën e Lartë, Kushtetuese dhe atyre të Apelit Tiranë dhe Admirative të Apelit.

“Koha është gjykatësi më i mirë” i atyre që stigmatizuan zërat kritikë 5 vjet më parë, ndërkohë që ngrinin këto shqetësime që do dilnin pas pak vitesh lidhur me performancën e sistemit, pamundësisë së një vendi të vogël dhe burimeve të kufizuara për të përballuar një eksperiment të tillë, dhënies së drejtë me vonesë nga Komisioni i Venecias dhe partnereve që mbështeten reformën.

Qëndrimet e fundit se kritikat duheshin dëgjuar, janë pozitive për të ardhmen. Por qëllimi im primar, për të cilin u ula të shkruaj, nuk është e kaluara, edhe pse na duhet të mësojmë, por është të shkruaj për “Hartën e re të Gjyqësorit” e propozuar nga KLGJ së fundmi. Për të informuar lexuesin, riorganizimi i rretheve gjyqësore NUK është ndonjë reformë.

Është një proces, i cili duhet të kryhet çdo 5 vjet nëse duhet të ketë ndonjë ndryshim siç parashikohet në ligjin 98/2016 nga KLGJ+ Ministria dhe duhet të miratohet me pas nga qeveria, e cila sigurisht që duhet të zgjidhë edhe implikimet financiare që vijnë nga procese të tilla që kanë të bëjnë me godinat, kostot e ndërtimit, planifikimit, shërbimeve mbështetëse etj. Pikërisht këtë detyrë, për të cilën paguhet KLGJ, duhet ta kishin dorëzuar kohë më parë pasi ta kishte konsultuar me publikun dhe me grupet e interesit, gjyqtarë, avokatë, prokurorë etj.

Propozimi i njohur tashmë për publikun është sa i thjeshtë, aq dhe drastik: Nga 36 Gjykata të Shkallës së Parë ngelen 16. Nga 6 Gjykata Administrative të Shkallës së Parë ngelen 2, dhe nga 6 Gjykata Apeli në gjithë Shqipërinë ngelet vetëm një. E lexova me vëmendje dokumentin para se të ulesha të shkruaja ndaj dhe çmova të informoj lexuesin dhe sidomos kolegët e mi profesionistë lidhur me disa analiza, konkluzione dhe rekomandime.

SFONDI KU ZHVILLOHET DISKUTIMI

Neni 14 i ligjit 98/2016 kërkon që procesi i rivlerësimit të shpërndarjes së rretheve gjyqësore të bëhet bazuar në 3 kritere: a) garantimin e aksesit në drejtësi, që lidhet me afërsinë e individit me gjykatën; b) uljen e kostove, me qëllim përdorimin me efektshmëri të burimeve publike; c) rritjen e cilësisë dhe përshtatshmërisë së shërbimeve të ofruara.

Ky proces sipas ligjit duhet të kryhet me transparencë dhe konsultim me palët bazuar në parimet e mësipërme, gjë e cila nuk është bërë deri tani. (Megjithë insistimin e mediave, gazetarët për të cilët kam dhënë intervista gjatë muajve të kaluar, askush nuk e kishte një draft të tillë, derisa ndoshta me insistimin e ministrit të ri të drejtësisë, më në fund ky dokument prej 170 faqesh është publik).

Produkti është kundërshtuar pothuajse nga të gjithë avokatët ndërsa gjyqtarët e prokurorët ende nuk kanë folur. Aktualisht, 5 vjet nga miratimi i paketës së Reformës në Drejtësi, sistemi i drejtësisë dhe më së shumti ai gjyqësor është i asfiksuar. Pothuajse për 3 vjet ishim i vetmi vend në botë që nuk kishim Gjykatë Kushtetuese, Gjykatë të Lartë dhe prej një viti ato kanë filluar të krijohen.

Pas 5 vjetësh Gjykata e Lartë ka vetëm 9 anëtarë nga 19 që duhet të ketë; Gjykata Kushtetuese ka 7 anëtarë nga 9, ku 3 prej anëtarëve u ka mbaruar mandati, pra, de jure ka 4 anëtarë nga 9; Gjykatat e Apelit nga 78 kanë anëtarë kanë 31 anëtarë, ku me problem paraqitet ajo e Tiranës; Gjykata e Apelit Administrativ ka 5 anëtarë nga 13.

Të ndodhur në këtë sfond pasi ky proces që ka pasur një supermbështetje financiare, sërish ngelet një model reforme që ata që e mbështetën nuk iu rekomandohet vendeve fqinje pasi sjell këto pasoja. Propozimi për riorganizimin gjyqësor vjen në këtë sfond dhe është e rëndësishme të dëgjohen zërat kritikë të avokatëve dhe profesionistëve duke mos përsëritur gabimin e stigmatizimit të kritikëve që u bë me procesin e reformës.

ANALIZA E DOKUMENTIT TË PARAQITUR DHE PROBLEMET ME 3 KRITERET

a. Garantimin e aksesit në drejtësi, që lidhet me afërsinë e individit me Gjykatën; Mbyllja e disa gjykatave është një proces që nuk ndodh për herë të parë. Por kriteri i mësipërm është zbatuar pasi ka pasur zhvillime infrastrukturore dhe zhvendosje të popullsisë ndër vite. Këtë kriter zbatojnë edhe vende të tjera si ne, bazuar në parimet e CEPEJ siç kanë qenë rastet më parë të gjykatave të Librazhdit apo Gramshit për shkak të ndryshimit infrastrukturor 2000-2010 dhe shkurtimit të kohës.

Shteti duhet t’i garantojë çdo individi, banori të tij të ketë akses në drejtësi, të ketë kohën dhe mundësitë financiare për t’u dëgjuar dhe përfaqësuar. Me propozimin e bërë, mbyllen në shkallë të parë 20 gjykata, ndryshimi me drastik në këto 30 vjet dhe siç do shohim më poshtë me drastik në gjithë modelet e rajonit. KLGJ e ka bërë matjen e afërsisë së individit me gjykatën bazuar në aplikacionin (“OSRM” dhe “Google map”), dhe jo me matje efektive dhe kjo do mjaftonte që ta mbyllnim këtu diskutimin, thuajse këta jetojnë në Finlandë dhe jo në Shqipëri, ku vetëm për 4 km në Tiranë nga Lapraka në Gjykatën e Apelit Tiranë duhen 45 min nga 10 min që jep aplikacioni.

Por cili është propozimi i KLGJ sikur të marrim të dhënat mbi kohën imagjinare të tyre? Sot, një individi për të shkuar në Gjykatë të Shkallës së Parë i duhet max nga 1 orë (Tiranë, Elbasan, Korçë, Pogradec, Kukës, Tropojë etj.) deri në 1.5 orë (Gjykatat Shkodër, Pukë). Propozimi që bëjnë është se duke mbyllur gjykatat e vogla, koha që do t’i duhet individit do të jetë nga 2 orë e 30 min në 3 orë e 30 min, respektivisht vetëm për gjykatat e Shkallës së Parë.

Ndërsa duke mbyllur tërësisht Apelet dhe duke lënë vetëm Tiranën, individit i duhet të shkojë në Gjykatë të Apelit Tiranë nga 2.5 orë që është sot maksimumi në 5 orë. Pra, një individi që jeton në Konispol, Vermosh, Pukë do t’i duhet sipas KLGJ (bazuar ne aplikacionet që përdoren në USA dhe EU), 5 orë për të ardhur dhe 5 orë për t’u kthyer, pra, 10 orë për të ndjekur një proces gjyqësor. Sikur kaq të kishin shkruar që në fillim të propozimit, mjaftonte për të thënë JO!

Ky propozim nuk e përmirëson aksesin në drejtësi, pra, afërsinë e individit me gjykatën, por përkundrazi e dërrmon këtë parim. Pra, në konkluzion, harta e re propozon një qytetari që do t’i duhet të shkojë nga gjykatat e mbyllura tek ato të propozuara dyfishin e kohës deri në 2.5 orë për në Shkallë të Parë dhe deri ne 5.5 orë për Apelin. Por aksesi në drejtësi ka të bëjë dhe me kostot që i duhet individit dhe në Shqipërinë tonë ku nuk ka shërbim publik të transportit, kostot që do t’i duhet të përballojë janë minimumi dyfish.

Një individi nga fshatrat e Shkodrës, Pukës, Korçës, dhe Gjirokastrës, që ka një proces në orën 9:00 në Gjykatën e Apelit Tiranë, do t’i duhet të niset sipas KLGJ minimumi në orën 3 të mëngjesit që të jetë min në 8:45 në Gjykatë, dhe po kaq edhe avokatit që do t’i duhet të zgjedhë, dhe po 6 orë për t’u kthyer në vendin e tij. Kujtojmë se Gjykatat e Apelit nuk janë si Gjykata e Lartë, e cila procesin e zhvillon kryesisht në dhomë këshillimi dhe/ose në prani vetëm të avokatëve, pra, nuk kanë paralele.

Reduktimi i gjykatave do të sjellë edhe reduktimin e zyrave ligjore dhe avokatëve duke u përqendruar në Tiranë. Edhe sot kam parë disa dhoma avokatie të rretheve që selinë e kanë në Tiranë, edhe pse më duket e pavend. Por nëse edhe ky shërbim, pra, zyrat e avokatëve do të përqendrohen në Tiranë, atëherë individit do t’i duhet ta bëjë disa herë itinerarin për të takuar avokatin në Tiranë dhe kostot e këtij shërbimi do të jenë stratosferike, duke i hequr individit mundësinë për t’iu drejtuar Gjykatës, pra aksesin në drejtësi.

Unë nuk dua ta lodh lexuesin sot me dhjetëra raporte të KiE (2000-2019) dhe organizatave të tjera që kanë evidentuar shkelje të aksesit në drejtësi për individin kur largësia e tij me gjykatën është më shumë se 1 orë teorikisht dhe jo me 5 orë siç propozohet, por do ta bëj në një moment të dytë nëse kërkohet. Kështu, pra, problemi me sistemin e drejtësisë nuk zgjidhet po kemi një problem te ri!

Negativizim të aksesit të individit në drejtësi. a) uljen e kostove, me qëllim përdorimin me efektshmëri të burimeve publike; Por, mos ndoshta kjo do të sjellë uljen e kostove të burimeve publike, pra, kursim të buxhetit? Problemi kryesor i projektit është se i mungon një studim fizibiliteti dhe po aq një planifikim mbi kohën e shtrirjes dhe aplikimin e tij. Përqendrimi i gjykatave dhe prokurorive në gjykata e prokurori më të mëdha kërkon një studim fizibiliteti që unë nuk e gjeta në materialin 170-faqesh. Të vizatosh në hartën e Shqipërisë duke hedhur disa statistika dhe të bësh propozime në letër, bazuar në “Google map”, është një proces shumë i lehtë, në krahasim me të projektosh idetë me këmbë në tokë që është një proces i vështirë.

Pyetjet që lindin menjëherë për një njëri me arsyetim racional bazik janë:

1- Sa është kostoja e blerjes së hapësirave, dizajnit inxhinierik, ndërtimit të godinave të reja, sallave të gjyqeve, mobilimit, ndërtimit të sistemeve IT që propozohet duke u bazuar në parimin 3 gjyqtarë, një salle gjykimi?

2- Sa është kostoja e mësipërme për prokuroritë që do bashkohen?

3- Sa është kostoja shtese vjetore që do t’i duhet Drejtorisë së Burgjeve për t’i sjellë të paraburgosurit nga Korça e Shkodra në Apelin e Tiranës? Edhe atyre do t’i duhen minmalisht 3 orë rrugë në ardhje dhe 3 në kthim përfshi dhe rrezikun e transportit.

4- Po gjyqtarët e Apelit Korçë, Gjirokastër, Vlorë, Shkodër që do të detyrohen të vijnë në Tiranë, shteti do t’i përballojë shpenzimet për akomodimin këtu? Sepse ata nuk mund të bëjnë 8 orë rrugë çdo ditë vajtje-ardhje sepse edhe këtu do të kishim një shkelje tjetër këtë radhë për gjyqtarët.

Unë e di se kjo për qytetarët mund të duket ironike se thonë se gjyqtarët janë korruptuar, por e vërteta është se jo të gjithë janë të tillë, njoh mjaft gjyqtarë e prokurorë të ndershëm që jetojnë në gjykata periferike dhe jetojnë me rrogën e tyre, dhe nëse duam t’i mbajmë në sistem të ndershëm, duhet të bëjmë edhe këtë planifikim. Po e mbyll me kaq këtë analizë të kësaj pike pasi duket qartë se projektit i mungon studimi i fizibilitetit, koha kur do të shtrihet, fondet dhe sigurisht del një problem i ri: Rritja e kostove për buxhetin e shtetit, taksat e qytetareve dhe jo reduktim i tyre. Përdorim i paefektshëm i sistemit të burgjeve etj.

b) rritjen e cilësisë dhe përshtatshmërisë së shërbimeve të ofruara. Për të analizuar këtë kriter themelor gjithashtu për këtë proces, po u referohem statistikave të sotme. Një individi i duhet 3-6 muaj për të përfunduar një proces në Shkallën e Parë në rrethin e Pukës, Shkodrës, Pogradecit, Korçës, Vlorës dhe 6-10 muaj në Gjykatën e Apelit.

Për shkak të asfiksimit të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe asaj Administrative, sot i duhen nga 3-4 vjet në Apelet e tyre dhe jo më pak se 7 vjet në Gjykatën e Lartë. Nëse do të pranohet propozimi i bërë që do të fshihen gjykatat e Apeleve, atëherë minimalisht individët e 5 qarqeve të tjera do t’i bashkohen fatit të keq të atyre të qarkut të Tiranës që do t’i duhet minimalisht të presin 3- 5 vjet për procesin, sepse sigurisht që gjyqtarët e Gjykatës Kombëtare të Apelit do t’i trajtojnë njëlloj me çështjet që janë në pritje.

Rastet e Gjykatës së Apelit Tiranë dhe modeli i Gjykatës së Apelit Administrativ në Tiranë, siç e kam thënë dhe më parë, janë pikërisht modeli sesi nuk duhet të ndiqen dhe jo modeli që duhet marrë shembull. Kaq do të mjaftonte që të thoshim që këtu që ky propozim nuk është favor të cilësisë së shërbimeve të ofruara. Por lind një problem edhe më i madh, negativizimi i këtij shërbimi edhe më keq, lidhur me kohën që i duhet një individi për të marrë drejtësi. Edhe këtu nuk dua ta lodh sot lexuesin me vendimet e Gjykatës së Strasburgut për Shqipërinë dhe vende të tjera, por do e bëj në një moment të dytë.

SFONDI RAJONAL DHE MODELET E VENDEVE TË TJERA NË 10 VITET E FUNDIT

Në mënyrë që sërish të mos bëjmë të njëjtin gabim siç bëmë me Reformën në Drejtësi ku synonim që vendet e rajonit të na merrnin si shembull dhe aplikonin dhe arritëm sot pas 5 vitesh ku vendet e rajonit thonë do bëjmë Reformë në Drejtësi, por vetëm si ajo e Shqipërisë jo, është gjë e mirë që ekspertet e huaj duket se ia kanë paraqitur grupit të punës.

Unë nuk dua t’ju flas sot as për modelin e Suedisë, Finlandës dhe Danimarkës që flet KLGJ-ja, por dua të përshkruaj shkurtimisht vendet europiane rreth nesh me sipërfaqe dhe popullsi të përafërt max 3-5 mln banorë dhe qasjen e tyre në këto 10 vitet e fundit rreth këtij procesi që duhet të ndiqet nga profesionistë të mirëformuar.

Përveç Kosovës, e cila ka një sipërfaqe dhe popullsi shumë më të vogël se e jona, asnjë vend europian nuk ka vetëm një Gjykatë Apeli siç propozohet. Kështu, Sllovakia ka 8 Gjykata Apeli: Kroacia ka 21 dhe po synon t’i ulë në 15; Bosnja ka 16 Gjykata Apeli; Sllovenia ka 4, dhe Maqedonia ka po 4 Gjykata Apeli.

Është tërësisht e pakrahasueshme as situata e mbingarkesës me çështje gjyqësore që gjendet sistemi ynë i drejtësisë me vendet e rajonit dhe as infrastruktura rrugore apo shërbimi publik ku vendi ynë mund të ketë model krahasimi vetëm Bosnjën dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat kanë nga 4 deri në 16 Gjykata Apeli.

Konkluzioni, pra, është se asnjë nga vendet europiane me popullsi dhe sipërfaqe të ngjashme me ne, nuk ka vetëm një Gjykatë Apeli siç propozohet dhe modeli që ne kemi prodhuar në këto 30 vjet me një Gjykatë Apeli në Tiranë ka qenë i dështuar. Rasti i Apelit Administrativ është i ndryshëm për shkak të natyrës së kompetencës territoriale që i është dhënë me ligj ku i padituri është në të shumtën e rasteve organi qendror (pasi përfundon ankimi administrativ shkohet në gjykatë) dhe selia e organeve (institucioneve) qendrore ndodhet në Tiranë. Por edhe ky model, ndonese komod për administratën, është jo i përshtatshëm për individin dhe koha e shqyrtimit të një çështje ka shkuar mbi 3 vjet.

*SKENARI MOLDAV DHE SHQIPËRIA

Moldavia, e cila nuk e ka sistemin gjyqësor në një kolaps të tillë si ne, e ka filluar këtë proces shumë herë më mirë se ne. Përgatiti hartën në vitin 2013, duke kërkuar reduktimin e gjykatave të rretheve nga 42 ne 15 dhe apelet nga 5 ne 4. Këtë projekt ia propozoi USAID në 2014. USAID kërkoi një studim fizibiliteti. Projekti sipas tyre kushtonte mbi 60 mln usd, të cilat u gjetën nga Banka Botërore me një kredi për 17 vjet. Më pas e diskutuan me grupet e interesit dhe zgjodhën një opsion e miratuan draftin në vitin 2017 me afat aplikimi 10 vjet deri në vitin 2027.

Pas 5 vjetësh, ku duhej të ishin reduktuar të paktën gjysmat e gjykatave, pra, nga 27 të ishin reduktuar min 13, në realitet është arritur të reduktohet vetëm 1. Kostoja e shtuar vetëm për transportin e paraburgosurve ishte më shumë 80.000 usd në vit. Pra harta e propozuar atje në 2014 pas 8 vitesh është ende ongoing por efekti i saj është negativ. Është vetë Banka Botërore që mbështeti financiarisht këtë projekt para 5 vjetësh, e cila shprehet shumë kritike për aksesin në drejtësi në Moldavi “kur flasim për zonat e largëta dhe rurale ku banojnë 57 për qind e banorëve të Moldavisë, dhe këta përbëjnë 84 për qind të popullsisë së varfër në Moldavi” (cituar nga dokumenti i KLGJ).

KONKLUZIONE DHE REKOMANDIME

Riorganizimi gjyqësor nuk është një proces që duhet stigmatizuar. Unë jam kritik ndaj tij, por gjykoj se duhet të bëhet. Por edhe kritikët e tjerë duhen dëgjuar doemos. Optimizimi i burimeve njerëzore në drejtësi, rritja e cilësisë së shërbimit pa dëmtuar aksesin në drejtësi, janë procese që duhet të kryhen. Por përgatitja e një propozimi të tillë si ky i KLGJ, një propozim i pambështetur në një analizë profesionale, pa një studim fizibiliteti, por me një propozim drastik të padëgjuar dhe bazuar vetëm në statistika dhe “Google map” është i papranueshme dhe i paaplikueshëm.

Ngjan më propozimin publik të disa eksperteve të huaj në 2015 për Reformën në Drejtësi që thanë: t’i heqim direkt sot 800 gjyqtarë e prokurorë dhe t’i zëvendësojmë me të tjerë. Ky propozim populist dhe i pamenduar duket akoma më qesharak sot pas 7 vjetësh, ku janë larguar vetëm 20 % të tyre dhe sistemi është në kolaps se nuk kemi burime, jo më të gjithë siç propozonin në 2015.

Ndaj dhe propozimi i hartës më duket pak i ngjashëm. T’i shkrijmë të gjitha Gjykatat e Apelit dhe të lëmë vetëm një, kur skenari moldav na mëson shumë. Rekomandimi im me syrin kritik është që harta për riorganizimin gjyqësor të shihet me kujdes.

1. Të hartohet një dokument me disa opsione dhe disa skenarë. Mund edhe të mbyllet ndonjë gjykatë Apeli, por jo të gjitha. Mund edhe të mbyllen disa gjykata rrethesh, por jo largësi më shumë se 1.5 orë për individin.

2. Të zgjidhet një nga opsionet që do dalë nga diskutimi me grupet e interesit. Të dëgjohet shqetësimi i avokatëve sepse mbyllja e gjithë gjykatave do të sjellë edhe mbylljen e zyrave ligjore nëpër rrethe duke reduktuar edhe këtë shërbim për qytetarët atje.

3. Dhoma Kombëtare e Avokatisë të përgatisë një ekip me propozime konstruktive që të pasqyrojë shqetësimet e dhomave të rretheve. Për ne avokatët në Tiranë mund të mos sjellë shqetësim, por për ata të rretheve, nga Shkodra në Korçë, e nga Saranda në Dibër, kritikat e tyre duhen dëgjuar me kujdes dhe duhen përcjellë me vendosmëri.

4. Të përcaktohet qartë koha që do të duhet të aplikohet ky riorganizim gjyqësor që qytetarët, por edhe vetë gjyqtarët e prokurorët, të jenë të qartë lidhur me procesin dhe se kur do ndodhë ai. Pasiguria i bën ata të ulin fort rendimentin në punë dhe të ofrojnë shërbimet e kërkuara.

5. Të përgatitet një studim fizibiliteti për kostot e këtij projekti, për hapësirat, godinat, sallat e gjyqit, dizajnin, projektet inxhinierike dhe IT, për prokuroritë, për transportin e të paraburgosurve, kostot e lëvizjes së gjyqtarëve etj. Duhet të ngrihemi mbi nivelin e skenarit moldav e pastaj të nxjerrim mësime nga ai për ta bërë këtë proces pak më mirë se ata.

Në fund, një këshillë edhe për ekspertët e huaj: dëgjoni zërat kritikë edhe kur ata të mos ju pëlqejnë dhe bëni rekomandime, të cilat i përshtaten interesit afatgjatë si të vendit tim, ashtu edhe të vendeve që ju përfaqësoni. Unë jam i bindur se ne kemi nxjerrë të gjithë mësime nga mungesa e dëgjimit të zërave kritike për Reformën në Drejtësi, ndaj dëgjoni zërat kritikë, të ecim jo me projekte të shkruara bukur në letër me ngjyra të ndezura dhe të prezantuara në salla pompoze, por me profesionalizëm dhe studime të thelluara të asaj që do e presë zbatimin pas 5-10 vjetësh.

Duke ecur kështu ndihmojmë edhe vendin tim, edhe vendet tuaja që edhe paratë e tyre mund të shpenzohen në mënyre efikase. Raporti i auditorëve europianë publikuar pak ditë më parë se në Shqipëri publiku po humbet besimin te Reforma në Drejtësi dhe se problemet e shkaktuara janë akute sipas vëzhguesve të pavarur (f. 39-40) si dhe rasti i 60 mln USD të dhëna në Moldavi për Hartën Gjyqësore atje (faqe 146 e dokumentit të KLGJ) na tregojnë më së miri së zërat kritikë duhen dëgjuar dhe jo stigmatizuar dhe se kështu mund të kemi një produkt më të mirë edhe kur mos jemi në ato detyra, por në të mirë të atyre që paguajnë nga taksat, qytetarëve respektivë.

* Avokat i së drejtës private ndërkombëtare

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura