Harta, 1982 monumente në të gjithë Shqipërinë, 112 të shkatërruara

Dec 22, 2015 | 15:02
SHPËRNDAJE

Janë plot 1982 monumente kulture të kategorisë së parë dhe të dytë, të identifikuara në Shqipëri, ndërsa 600 janë ende në përpunim.

Më në fund, pas gati 3 dekadash, Instituti i Monumenteve të Kulturës mund të japë një informacion të saktë mbi monumentet që ekzistojnë në Shqipëri, gjendjen e tyre, infrastrukturën, si mund të shkohet atje, punimet që janë kryer dhe çdo element që do t’u shërbente specialistëve të fushës, por edhe pushtetit vendor për t’i bërë ato të aksesueshme nga vizitorët.

mirelaaaaaaaa

Dje, në Ministrinë e Kulturës, u prezantua krijimi për herë të parë i hartës WebGIS, databazës së unifikuar me të gjitha materialet e arkivave të IMKsë. Kjo databazë standardizon mënyrën e hedhjes dhe analizimit të informacionit, kategorizimin korrekt të monumenteve sipas një strukture të organizuar.

“Është një sistem shumë i rëndësishëm për të bërë gjithë pasqyrën e monumenteve, për të përcaktuar prioritetet, për të pasur nën kontroll gjithë territorin. Që sot e tutje, specialistët mund të hedhin në kohë reale raportin që kanë bërë në monument, për kryerjen e punimeve, supervizimin etj.”, u shpreh drejtoresha e Institutit të Monumenteve të Kulturës, Arta Dollani.

E pranishme në këtë prezantim, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, vuri theksin në rëndësinë e këtij informacioni të rëndë- sishëm, duke u shprehur: “Jemi angazhuar përpara dy vjetësh për hartimin e të dhënave të plota dhe krijimin e një strukture të organizuar të informacionit të monumenteve të kulturës. Nga inspektimet në terren u njohëm nga afër me mospërputhjet me të dhënat ekzistuese të pasurisë kulturore, të papërditësuara prej 25 vjetësh.

Sot kemi një informacion të saktë të të gjithë monumenteve të aksesueshëm. Vetëm një javë më parë prezantuam edhe krijimin e sistemit WebGIS për veprimtarinë arkeologjike në terren të Agjencisë së Shërbimeve Arkeologjike për vitet 2008-2015. Me këto dy harta WebGIS plotësojmë angazhimin e Ministrisë së Kulturës, në respekt të plotë të trashëgimisë kulturore”.

HARTA GIS

Për herë të parë një databazë e unifikuar me të gjitha materialet e arkivave të IMKsë (një arkiv prej më shumë se 1600 monumentesh).

Kjo ndihmon në gjetjen e të gjitha monumenteve që kanë nevojë urgjente për ndërhyrje, gjetjen e monumenteve sipas kategorive të përcaktuara (objekte kulti, ndërtime inxhinierike, arkeologji, art etj.). Tanimë është e thjeshtë të mësosh vendndodhjen e saktë të çdo monumenti në Republikën e Shqipërisë, pozicionin e tij, gjurmën që zë monumenti në terren, zonën e mbrojtur, si edhe shfaqjen e Zonifikimeve të Qendrave Urbane.

Ky informacion i vjen në ndihmë publikut, por dhe të gjitha institucioneve që kanë nevojë për të. Ky informacion jepet nëpërmjet WebGIS, bashkë me të dhënat e detajuara të kartelave për secilin nga monumentet. Bashkangjitur edhe informacionet e tjera, si rrjeti rrugor, projektet arkeologjike, pasuritë e paluajtshme (nga ASIG), ortofotot, imazhe satelitore, harta topografike, zonat e mbrojtura natyrore etj.

INVENTARI

Kanë kaluar më shumë se 3 dekada që nga hera e fundit kur është bërë inventarizimi i monumenteve të kulturës në të gjithë Shqipërinë. Në listën e vjetër ekzistonin emra monumentesh që sot nuk gjenden më, në terren apo objekte që nuk ka pse të quhen të tilla.

“Nga përditësimi i listës së monumenteve të kulturës kemi konstatuar në këtë inventar të fundit, 138 objekte që figuronin formalisht në listë, por që nuk ekzistojnë më në terren”, u shpreh ministrja Kumbaro. Për të ilustruar këtë fakt, Kumbaro solli si shembull Mullirin e Nivicës.

“Kur shkuam në terren, ekzistonin 7 mullinj, por nuk e dinim se cili prej tyre ishte monumenti i kulturës. Nuk kishim asnjë të dhënë. Kështu që na u desh t’i analizonim një për një, për të gjetur ato elemente që e bënin ndonjërin prej tyre monument kulture”. Po ashtu Kumbaro shtoi se në listën e monumenteve ekzistonte ende si e tillë shtëpia e Partisë në Rrashbull. Me këtë rast, Kumbaro bëri me dije edhe gjendjen aktuale të monumenteve të kulturës dhe, sipas saj, në listën prej 1982 monumentesh, 112 të tilla janë tërësisht të shkatërruara, ndërsa 332 janë në rrezik.

“Duhet theksuar se procesi i hartëzimit dhe inventarizimit të monumenteve do të vazhdojë të përditësohet, shumë shpejt do të kemi një sistem dixhitalizimi të monumenteve të kulturës, falë investimit të qeverisë shqiptare në Qendrën Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore, i cili në përputhje me reformën territoriale do t’u shërbejë biznesit vendas dhe atij të huaj, pushtetit lokal, ekspertëve të trashëgimisë kulturore, turizmit dhe publikut të interesuar”.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura