Haradinaj pas takimit me Mattis: Transformimi i FSK-së në disa etapa, SHBA-ja do të ndihmojë

Sep 28, 2018 | 14:20
SHPËRNDAJE

Mbetet e paqartë nëse amerikanët kanë dhënë dritën jeshile që ushtria e Kosovës të krijohet me ligj ashtu siç ka paralajmëruar kryeministri Haradinaj. Në njoftimin për media po ashtu nuk përmenden as ndryshimet kushtetuese të nevojshme për krijimin e ushtrisë. Pas takimit me Mattis, kryeministri Haradinaj thotë se ushtria do të krijohet sipas “planit strategjik të paraparë” dhe SHBA do të ndihmojë në secilën etapë.

 

Në njoftimin për media thuhet se Ramush Haradinaj është pritur me nderime të larta ushtarake nga Sekretari i Departamentit të Mbrojtjes së ShBA-ve, James Mattis, në selinë e Pentagonit në Washington.42642148-272788860236051-8184543546737426432-n_1538134869-6866900

Thuhet se në veçanti është diskutuar për procesin e nisur në transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës.

“Të rinjtë tanë, nga FSK-ja kanë pasur fatin që të mësojnë nga profesionistët më të mirë të ushtrisë amerikane, përmes programeve që na janë ofruar përgjatë viteve. Kjo eksperiencë e fituar është baza më e mirë që e kemi për transformimin e FSK-së dhe Kosova është e gatshme për këtë etapë”, ka thënë kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Qeveria e vendit është e fokusuar që të vazhdojë partneritetin me Pentagonin dhe Uashingtonin zyrtar dhe ka kërkuar nga Sekretari Mattis përkrahjen e tij, në anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat e sigurisë dhe në NATO.

“Aleatët më të mirë të Kosovës në kohë krize dhe në kohë paqeje kanë qenë dhe janë ShBA-të. Ajo që kanë bërë ushtarët amerikan duke shërbyer në Kosovë, është vepër për të cilën ne ndjehemi krenarë, për të cilën ju duhet të ndjeheni krenar”, ka shtuar Kryeministri Haradinaj.

Sipas njoftimit bëhet e ditur se sekretari Mattis ka shprehur gatishmërinë dhe përkushtimin e e Qeverisë Amerikane për të ndihmuar Kosovën në procesin e dialogut por edhe në të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon Kosova. Në këtë kontekst sekretari Mattis konfirmoi edhe njëherë mbështetjen e fuqishme për FSK-në dhe procesin e ndërlidhur me transformimin e kësaj force konform planit strategjik të paraparë. Në këtë plan Sekretari Mattis konfirmoi se ShBA do të punojë ngushtë në implementimin e secilës etapë të këtij plani.

Pritja zyrtare me nderime ushtarake në Pentagon nga sekretari i Mbrojtjes James Mattis është një nga takimet e posaçme në kuadër vizitës zyrtare që kryeministri Haradinaj është duke e zhvilluar në ShBA./Express/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura