Haradinaj kthehet në Kosovë i pafajshëm, e presin si hero

Nov 30, 2012 | 11:43
SHPËRNDAJE
Pritja zyrtare e Haradinajt në Prishtinë

Gjykimi i dytë, Haga liron ish-kryeministrin Haradinaj, Balajn dhe Brahimajn.

Thaçi me Gardën në aeroport, pritet krijimi i një koalicioni të fortë.

Ramush Haradinaj u prit në Kosovë me të gjitha nderet, me protokoll shtetëror, si dhe me pritje heronjsh në sheshet e qyteteve të Kosovës.  Përkrahës të liderit të AAK-së, Haradinajt, dolën për ta pritur atë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, duke vallëzuar me tupanë dhe curle. Pas shumë vitesh beteje ligjore personale, por edhe simbolike për të gjithë luftën e UÇK-së, Haradinaj dhe dy ish-bashkëluftëtarët e tij, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj, u shpallën të pafajshëm nga Gjykata e Hagës në orën 09:57 të mëngjesit të së enjtes. Seanca u ndoq drejtpërdrejtë në të gjithë Kosovën, me monitorë të mëdhenj të vendosur nëpër sheshe nga partia e tij, AAK. Në Prishtinë, Deçan, Gjakovë, Pejë e qytetet e tjera, mijëra qytetarë të dalë nëpër sheshe kanë brohoritur dhe kanë ngritur duart lart pasi dëgjuan verdiktin për pafajësi, e duke përqafuar njëri-tjetrin të përlotur. Fishekzjarrët mbushën qiellin e Kosovës dhe jehona e këtij gëzimi preku të gjitha tokat ku jetojnë shqiptarët. Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka arritur në Prishtinë rreth orës 17:15, me një fluturim të veçantë nga Holanda. Në Aeroportin e Prishtinës e priti Garda e Forcës së Sigurisë së Kosovës, e shoqja e tij, Anita Haradinaj dhe Kryeministri Hashim Thaçi, por edhe qindra mbështetës. Pritja u organizua nga zyra e Kryeministrit Thaçi.
Pas mbërritjes në aeroport, Haradinaj dhe Hashim Thaçi i janë drejtuar popullit nëpërmjet mediave. “Unë kam jetuar me ju, me vendin… Jam i gëzuar që edhe drejtësia ndërkombëtare e ka konfirmuar se rruga jonë për liri ka qenë e pastër dhe e drejtë… Unë ju siguroj që do të punoj me gjithë ju, në mënyrë që të zhvillojmë vendin”, tha ai. Thaçi tha se lajmi për lirimin e Haradinajt me bashkëluftëtarët e tij konfirmon luftën e drejtë dhe të pastër të UÇK-së.
Pas aeroportit, Haradinaj u kthye në shtëpinë e tij, me premtimet për t’u angazhuar fort në politikën e Kosovës. Lirimi i Haradinajt u përshëndet nga e gjithë sfera politike, pozitë apo opozitë, në Kosovë dhe në Shqipëri. Për angazhimin e tij në politikë, prej shumë kohësh është folur për një koalicion mes AAK-së së Haradinajt dhe PDK-së së Thaçit. Numri dy i AAK-së, Blerim Shala, tha se “Lirimi i Ramush Haradinajt do të sjellë ndryshime të mëdha në politikën kosovare” dhe se Haradinaj është një figurë e pakontestueshme në skenën politike kosovare, i cili është i gatshëm të japë kontributin e tij në çështjet e rëndësishme shtetërore. Shala tha se mënyra më e mirë e mundshme për ta bërë këtë është që Haradinaj të jetë në krye të qeverisë së Kosovës. Babai i Ramush Haradinajt, Hilmi Haradinaj, tha se shpallja e tij i pafajshëm është një fitore e madhe për Kosovën dhe për UÇK-në.

Si u përfshi Haradinaj në luftë, politikë e gjykimi dy herë në Hagë
Ramush Haradinaj ka lindur më 23 korrik 1968 në fshatin Glodhanë, afër Deçanit. Ai përfundoi shkollën e mesme në Gjakovë. Pas demonstratave të vitit 1989 dhe represionit në Kosovë, Haradinaj emigroi në Zvicër, ku punoi në ndërtim dhe si rojë sigurie për tetë vjet. Në Zvicër ai u bashkua me Lëvizjen Nacionale të Kosovës, nga e cila më pas doli Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Haradinaj u kthye në Kosovë në vitin 1998, kur lufta sapo ishte ndezur. Ai u shqua si një nga luftëtarët më të zotë. Pas vitit 1999, kur NATO hyri në Kosovë dhe UÇK-ja u çarmatos dhe u kthye në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, Haradinaj ishte zv.komandant, nën drejtimin e Agim Çekut. Pas luftës, Haradinaj ndoqi Universitetin e Kosovës, Fakultetin Ligjor, si dhe një master për Biznes në Universitetin Amerikan në Kosovë. Në prill të vitit 2000, ai iu fut politikës dhe formoi partinë e tij, AAK. Në tetor 2004, ai hyri në koalicion me LDK-në e drejtuar në atë kohë nga Ibrahim Rugova, një aleancë që rezultoi me zgjedhjen e Haradinajt si Kryeministër. Ramush Haradinaj ka shërbyer vetëm 100 ditë si Kryeministër, përpara se të dilte mandati për arrest nga Haga për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve të luftës. Haradinaj dorëzoi mandatin dhe u dorëzua vullnetarisht në Hagë. Mbrojtja e tij është drejtuar nga Ben Emerson, një nga avokatët më të njohur në botë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ai u lirua më 3 prill 2008, për pamjaftueshmëri provash. Më 19 qershor 2010, Haga nxori një tjetër mandat arresti për Haradinajn dhe dy ish-bashkëluftëtarë të tij, për rigjykim të pjesshëm. Më 29 Nëntor 2012, Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj u shpallën të pafajshëm nga Gjykata e Hagës.

Del Ponte
Avokati i Ramush Haradinajt, Ben Emerson, i është drejtuar dje Karla del Pontes, ish-kryeprokurores së Hagës, e cila shpesh ka ngritur akuza të ashpra kundër kosovarëve të gjykuar në Hagë, që të kërkojë falje për Haradinajn pas shpalljes së tij për herë të dytë si i pafajshëm. “Madame Karla del Ponte, e cila edhe ka ngritur aktpadinë kundër tij, duhet t’i kërkojë falje zotit Haradinaj dhe të gjithë kosovarëve për gabimet e rënda të gjykimit të saj në këtë rast”, tha Emerson. Ndërkohë, Del Ponte ka mbrojtur qëndrimin e saj. “Nuk jam aspak e befasuar nga lirimi i Haradinajt. Mbledhja e provave dhe dëshmive ka qenë një proces shumë i vështirë”, tha ajo.

Reagimi, Serbët: Turp, vendimi zhgënjen ata që presin paqe në rajon 
Nuk pritej që serbët të gëzonin për lirimin e Ramush Haradinajt, Idriz Balajt e Lahi Brahimajt. Zëdhënësi i qeverisë së Serbisë, Millivoje Mihajlloviç, tha se vendimi i Gjykatës së Hagës për të liruar ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haradinaj, Balaj dhe Brahimaj “është një goditje e rëndë për drejtësinë dhe një pengesë serioze për vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Me këtë vendim do të zhgënjehen të gjithë ata që mendojnë se do të ketë pajtim në rajon”. Kabineti i Presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikoliç, e cilësoi vendimin e Gjykatës së Hagës si: “të pabazuar në të drejtën dhe drejtësinë”. Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë se lirimi i Haradinajt ka qenë i pritur dhe është i fundit në një sërë vendimesh politike dhe jo juridike të Tribunalit. Ndërsa sipas Rasim Lajiçit, kryetar i Këshillit Kombëtar Serb për Bashkëpunim me Gjykatën e Hagës, vendimi e ka dëmtuar edhe më tej besueshmërinë e Gjykatës. Drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiç, tha se lirimi ka qenë i pritur, por kjo “nuk do të thotë se nuk ka pasur krime”.

Berisha
Kryeministri Sali Berisha e vlerësoi vendimin e Gjykatës së Hagës për lirimin e ish-komandantit të UÇK-së, Ramush Haradinaj, duke e ftuar atë në Shqipëri. “Ishte lajmi më i gëzuar që më erdhi mua dhe gjithë shqiptarëve këtë ditë. Nuk kam pasur kurrë dyshim te drejtësia dhe pafajësia e z. Haradinaj. E ftoj në Shqipëri të festojmë së bashku këtë ditë të madhe, këtë vit të madh”, tha Berisha.

Rama
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e ka përshëndetur shpalljen të pafajshëm dhe lirimin e ish-komandantit të UÇK-së Ramush Haradinaj nga Gjykata e Hagës, si një moment të jashtëzakonshëm. Rama the se “qysh prej sot, të gjitha hijet e hedhura nga keqdashësit mbi lavdinë e UÇK-së dhe heroiken e luftëtarëve të saj janë fashitur një herë e përgjithmonë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura