Hapet “thesi” për tenderat pa garë/ Prokurimet publike në shëndetësi me flamur të kuq, jepen afër fondit limit dhe pa konkurrencë

Mar 29, 2023 | 21:30
SHPËRNDAJE

Dhënia e tenderave pa garë dhe në kufijtë e fondit limit në sistemin shëndetësisë në fillim të këtij viti, duket se është kthyer në një proces normale. Vetëm në dy muajt e parë të këtij viti janë dhënë miliona euro tendera pa u zhvilluar një proces i pastër tenderimi.

Konkretisht, Agjencia e Prokurimeve Publike ka njoftuar më datë 14 shkurt të këtij viti shpalljen e tenderit nga ana e Spitalit Gjinekologjik Koço Gliozheni për “Furnizim Vendosje te Pajisjeve Mjekësore për Shërbimin e Ri të Riprodhimit të Asistuar Mjekësor”. Vlera limit e caktuar për këtë tendër është 185 milionë lekë të vjetër. Më datë 7 mars është njoftuar edhe shpallja e fituesit. Kontratën publike e fitoi kompania Euromed SHPK. Ky tender rezulton me flamur të kuq dhe theksohet se është dhënë pa garë, një procedurë që ndiqet kryesish kur paracaktohet subjekti që do fitojë tenderin dhe vendosen detaje teknike që plotësohen nga një kompani. Vlera me të cilën është fituar tenderi nga Euromed ka një diferencë shumë të ulët në krahasim me fondin limit. Nga 185 milionë lekë që ishte fondi limit, EUROMED SHPK e ka fituar tenderin në vlerën 179 milionë lekë të vjetër.

Në fakt kompania Euromed SHPK në pronësi të Ëngjëll Hoxhës dhe Hervin Forës, duket se është e preferuar nga spitalet dhe Ministria e Shëndetësisë. Kjo kompani rezulton se ka marrë 221 kontrata publike me një vlerë afro 9.5 milionë euro, nga të cilat Ministria e Shëndetësisë ka dhënë 5 tendera me një vlerë afro 1.3 milionë euro.

Ky nuk është rasti i vetë ku institucionet e shëndetësisë japin tendera me procedura të dyshimta pa garë. Me të njëjtën procedurë si rasti i mësipërm është dhënë edhe tenderi nga Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” Tiranë. Më 13 shkurt ky spital ka hapur tenderin me vlerë limit 223 milionë lekë të vjetër. Kontrata publike është fituar nga bashkimi i dy operatorëve Distrimed SHPK dhe sërish edhe Euromed SHPK. Bie në sy gjithashtu se në tender mungon gara dhe vlera e fondit me të cilin është fituar është afër fondit limit, pra 222.7 milionë lekë. Kujtojmë që dhënia e tenderave pa garë sipas KLSH në shumë raste I shkakton dëm ekonomik institucioneve shtetërore të cilat paguhen nga taksat e shqiptarëve.

Me të njëjtën skemë është përfshirë edhe Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Pa garë dhe me fond limit QSUT i ka dhënë tender 231 milionë lekë kompanisë “MONTAL” sh.p.k e cila rezulton 100% në pronësi Skënder Lufit. Ky i fundit rezulton të jetë një tjetër kompani e preferuar. Lufi rezulton se ka marrë 222 kontrata publike me vlerë mbi 10 milionë euro. Sipas Open Prokurment, ajo që bie në sy në të gjitha rastet është fakti se të gjitha kompanitë rezultojnë me aktivitet të lartë në prokurimin publik që nga koha kur në pushtet ka ardhur Partia Socialiste

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura