Hapet ekspozita që ka ndalur kohën

Aug 7, 2016 | 10:34
SHPËRNDAJE

Një fotoreporter francez, Michel Setboun, ka zgjedhur të bëhet dëshmitar përmes aparatit të tij fotografik i mjaft momenteve të rëndësishme të Shqipërisë, sidomos të periudhës komuniste, por edhe më vonë.

“Kronikë në Dropull” quhet ekspozita e tij fotografike që do të hapet sot në Qendrën Kulturore të Derviçanit, në Dropull, pikërisht pse prej kësaj zone janë edhe momentet e kapura nga objektivi.

ekspozita

“Kur, për herë të parë ndesha fotot e tij dhe veçanërisht ato të para viteve ‘90, sinqerisht u befasova me forcën e të vërtetave që ato imazhe mbartin në vetvete. Fotografi esenciale, embrionale, aspak të përkëdhelura apo shablloniste, shumë herë disi të huaja me arketipat pamore që ne banorët e Shqipërisë komuniste ishim mësuar të shohim, shumë larg prej delireve propagandistike që na servirte mekanizmi i hekurt shtetëror.

Duhet të thuhet se regjimi komunist (1944-1990) kishte monopolin e të fotografuarit dhe prodhimit të imazheve fotografike, të cilat duhet të mbrujteshin me normat dhe idealet e kauzës komuniste, dhe nuk mund të perceptohej një produkt fotografik i shkëputur nga kornizat strikte ideologjike të propagandës së kuqe shtetërore”, thotë kuratori Toni Maliqi.

Në një mënyrë, nga pamjet që shohim, të duket se Setboun ka ndalur kohën, e ka burgosur midis imazheve të tij kaq të mprehta. Ekspozita “Kronikë në Dropull” merret kryesisht me një përmbledhje të disa momenteve nga jeta e minoritetit grek në Shqipëri, më saktësisht me banorët e Dropullit, por edhe të qytetit të Gjirokastrës në tërësi, për të shënjuar më qartësisht dimensionin social/ kohor/ gjeografik.

Ekzistojnë në ekspozitë disa fotografi të vitit 1981 në Gjirokastër, të cilat dëshmojnë më së miri, nga njëra anë, arkitekturën e mrekullueshme të këtij qyteti unik dhe nga ana tjetër, marrëzinë ideologjike/propagandistike të regjimit komunist. Dhe pikërisht në mes të kësaj katrahure: njerëzit, banorët e Gjirokastrës, i sheh të qetë, të shpenguar, të përhumbur.

Një seri e rëndësishme fotografike është edhe ajo e dasmave dropullite. Është tërësisht unike, pikërisht për faktin se gjejmë kaq natyrshëm të stampuara në foto, rituale, tradita dhe çaste nga jeta e banorëve të Dropullit përgjatë periudhës komuniste, që kaq shumë na mungojnë sot, të para të gjitha këto përmes një prizmi kaq autentik.

Duket sikur përmes tyre ruhet, qoftë edhe në formë modeste, kujtesa kolektive. Një tjetër vlerë e këtyre imazheve është se kanë ruajtur në kujtesë momentin e hapjes së kishave; të rikthimit të së drejtës së besimit.

Gjithaq të rëndësishme janë edhe fotografitë e fëmijëve, të para si shpresa për të ardhmen, në gjithë zymtësinë që mbyste jetesën. Përveç fotografit, për muratorin Toni Milaqi, ishte e rëndësishme edhe Eleana Zhako, që pati idenë të realizohej gjithçka.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura