“Hajduti i 713 milionëve në Bankën e Shqipërisë s’ka paguar kredinë”

Apr 19, 2015 | 14:12
SHPËRNDAJE

TIRANE- Ardian Bitraj, i akuzuari kryesor për vjedhjen e 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë, pretendon se i ka shpenzuar të gjitha ato në kumar. Nga ana tjetër, një vendim i Gjykatës së Tiranës zbulon se ai nuk ka paguar një kredi prej 6 milionë lekësh të vjetër.

Ardian Bitraj në Gjykatë

Teksa ndodhet në qeli për llogari të gjyqit për vjedhjen e Thesarit të Shtetit, Gjykata e Tiranës ka lëshuar urdhrin e ekzekutimit për kredinë e pashlyer prej tij. Sipas gjykatës, bëhet fjalë për kërkesën e një banke të nivelit të dytë, ku Bitraj ka marrë një overdraft prej 600 mijë lekësh të rinj.

Kontrata e kësaj kredie është lidhur në 25.08.2008, por ajo nuk është respektuar nga ana e Bitrajt. Sipas bankës, përfshi interesat dhe gjobat, Bitraj detyrohet të shlyejë 671 mijë lekë. Për këtë shkak, banka e nivelit të dytë i është drejtuar Gjykatës, duke kërkuar lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për këtë kontratë.

“Nga ana e kredimarrësit nuk janë respektuar kushtet e kontratës, duke mos kthyer kredinë e marrë e duke ndërprerë marrëdhëniet me ‘Banka …’ në mënyrë të njëanshme. Shuma totale e detyrimit të pa paguar që kredimarrësit Ardian Bitraj detyrohet t’i shlyeje palës kërkuese sipas vërtetimit datë 02.03.2015, është në masën 671,227 lekë, shumë kjo që përbëhet nga principali, interesat dhe gjoba”, thuhej në vendimin e Gjykatës.

Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues e ka çmuar kërkesën të drejtë, duke vendosur lëshimin e urdhrit të ekzekutimit.

“Urdhërohet Shërbimi përmbarimor Tiranë për ndjekjen e zbatimin e këtij vendimi”, shprehej Gjykata.

Pas këtij vendimi, nëse Bitraj nuk shlyen detyrimin vullnetarisht, përmbarimi operon me bllokimin e pasurive të tij financiare, të tundshme apo të patundshme në shumën e 671 mijë lekëve. Vendimi në fjalë është shpallur vetëm pak ditë para se Prokuroria e Tiranës të kërkonte deklarimin fajtor të Bitrajt, për vjedhjen e 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë.

Në përfundim të konkluzioneve, përfaqësuesit e akuzës kërkuan dënimin e tij me 20 vjet heqje lirie. Prokurorët i kërkuan Gjykatës aplikimin e uljes së një të tretës së kësaj mase dënimi, për shkak se procesi gjyqësor u zhvillua me procedurën e gjykimit të shkurtuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura