Guvernatori: Rritja ekonomike pozitive, sistemi bankar likuid

Jul 18, 2018 | 11:00
SHPËRNDAJE

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, takoi dje përfaqësuesit e misionit të FMN-së, të kryesuar nga shefi i ri, Jan Kees Martijn. Guvernatori Sejko i njohu përfaqësuesit e FMN-së me zhvillimet kryesore ekonomike, ku u shpreh se mjedisi makroekonomik është i qëndrueshëm dhe ofron kushte të përshtatshme për një rritje pozitive ekonomike.

Sejko

“Të dhënat zyrtare tregojnë se ekonomia shqiptare u rrit me 4.45% në tremujorin e parë të vitit, rritje kjo e bazuar kryesisht në rritjen e prodhimit dhe të eksportit të energjisë elektrike”, tha Sejko. Guvernatori vlerësoi se sektorët potencialë që pritet të luajnë një rol të rëndësishëm në rritjen ekonomike të vendit në të ardhmen, janë zhvillimi i turizmit dhe i bujqësisë.

Guvernatori Sejko theksoi se sistemi bankar shqiptar karakterizohet nga norma të larta likuiditeti dhe është i mirëkapitalizuar. Guvernatori u kushtoi rëndësi të veçantë masave të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë për ruajtjen dhe garantimin e stabilitetit të çmimeve në vend. Në këtë kontekst, ai njohu të pranishmit me vendimet e Bankës së Shqipërisë për inflacionin dhe kursin e këmbimit, ku theksoi se ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë në tregun e brendshëm valutor ka dhënë efekte pozitive dhe është pritur pozitivisht nga agjentët e tregut.

Ruajtja e nivelit të inflacionit në 3% mbetet objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë dhe, në këtë drejtim, Guvernatori Sejko u shpreh se, sipas parashikimeve të Bankës së Shqipërisë, inflacioni pritet të kthehet në objektiv brenda vitit 2020. Banka e Shqipërisë po ndjek një politikë monetare lehtësuese, e cila është transmetuar pozitivisht në tregje financiare. Gjatë këtij takimi, Guvernatori i njohu përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe me rezultatet pozitive në kuadër të uljes së kredive me probleme.

Të dhënat më të fundit tregojnë për një rënie të kredive me probleme në nivelin 13.3%, në muajin maj. Më tej, ai i njohu dhe me projektin më të ri të Bankës së Shqipërisë në këtë drejtim, Tirana Approach, i cili synon t’u japë zgjidhje kredive me probleme për kredimarrësit e mëdhenj. Një tjetër çështje me rëndësi e diskutuar gjatë këtij takimi ishte edhe konsolidimi i sistemit bankar dhe hyrja e aktorëve të rinj në treg. Guvernatori Sejko u shpreh se këto ndryshime po kryhen sipas ligjeve dhe rregulloreve në fuqi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura