GUCCI

Nov 19, 2018 | 11:54
SHPËRNDAJE

ARKOND CANAJ/ ARKOND CANAJËshtë misterioze aftësia që ka një artist, në një moment të jetës së vet artistike, të sintetizojë historinë e kombit të tij në një fjali, në një vepër arti, në një gjest, e për shkak të shpejtësisë që buron nga ndjeshmëria artistike të kalojë në momentin e parë krejt i pakuptuar. Është pikërisht ky xhep kohe në ndërgjegjen kulturore të një kombi, ku mendimi artistik, akademik e filozofik nuk asimilohen në kohë, i cili i jep hapësirë mendimit sipërfaqësor.

Nëse më përpara ne kemi bërë të njëjtin gabim si të gjithë kombet e tjera, duke i bërë me vonesë pjesë të ndërgjegjes kombëtare vlerat e mjeshtërve të mendimit, sot e kemi thelluar tragjikisht këtë gabim, duke i zëvendësuar këta të fundit me “mjeshtër” të tjerë, por kësaj here jo të mendimit, por të sipërfaqes. Duke qenë në një kaos të tillë vlerash, të rinjtë tanë e kanë të pamundur të gjejnë rrugën e duhur. I sheh të hidhen si majmunë në periudhë çiftëzimi, nga dega në degë, me surrat herë të zgërdhirë e herë të ngrysur, me kokën e rruar, me bishtin e përdredhur, padyshim me bluzën “Gucci” gëzofi i pandarë i epokës, në kërkim të një identiteti, i cili lind e tretet çdo ditë, diku përtej vëmendjes tonë. Rinia e ditëve tona nuk ka një teknikë të qartë në krijimin e profilit të vet, nuk mundohet të krijojë një hapësirë të re mendimi, e cila t’i përkasë përjetësisht, por kënaqet me një kolazh vlerash të ndërthurura pa një koncept të qartë, një rrugë e ndërmarrë pa pasur pikësynimin e një destinacioni. Nëse përqendrohesh për një moment e mundohesh të shquash në telajo elementet e ndryshëm që përbëjnë kolazhin kaotik, nëse përpiqesh që këtyre elementeve t’i gjesh origjinë, arsye e qëllim, do e kesh edhe ti po ashtu të pamundur të dalësh nga ai lëmsh i dendur që pluskon në sipërfaqe.

Nëse sipas Dekartit individi “mendon, pra është”, sipas të rinjve shqiptarë ata “idealizojnë, pra janë”. Shkëmbimi i mendimit me idealizimin është fenomeni më abraziv i shoqërisë tonë sot, e kryesisht armiku më i madh i rinisë, e cila do të jetë nesër brezi që do të udhëheqë vendin në një hapësirë politike e administrative shumë më të gjerë se ajo e sotme. Por çfarë pasojash ka ky shkëmbim i rrezikshëm? E depersonalizon individin e ri, individi shkëput çdo komunikim me vetveten, meditimi shkëmbehet me imazhe, tinguj a koncepte referenciale që i përkasin subjektit të idealizuar, deformohet koncepti i kohës, fillon radikalizimi i vlerave të perceptuara si vlera të padiskutueshme, të cilat promovohen nga subjekti i idealizuar, deformohet karakteri në raport me qëllimin ekzistencial sublim të idealizimit.

Çfarë jemi duke bërë ne si shoqëri për të ndaluar këtë epidemi mes të rinjve tanë? Asgjë! Përkundrazi, deri dje po thellonim çdo ditë e më shumë hendekun mes vlerave reale dhe atyre të idealizuara gabimisht, duke i dhënë kësaj epidemie një ambient ideal për të vegjetuar, duke sakrifikuar këto 27 vjet shumë jetë njerëzish, të cilët rriteshin duke parë në një krah prindërit e tyre të rropateshin 12 orë në ditë për të nxjerrë bukën e gojës, mes stresit, vuajtjeve, zënkave të pashmangshme e në krahun tjetër “të fortin e lagjes”, trafikantin, prokurorin a gjykatësin e korruptuar të jetonin mes luksit, të respektuar e të vlerësuar si burra të zotë e gra të zonja, të idealizuar nga një fëmijë i trembur poshtë një tavoline me këmbët që lëvizin, duke parë në cep të kuzhinës nënën që qan duke zënë brumin e bukës e përtej dritares idhujt e tij, duke zbritur nga makina luksoze, me rrobat e shtrenjta, përtej dritares idhulli, përtej dritares e ardhmja, ëndrra, gjithçka përveç vetvetes. E nëse do t’na duhet një moment të reagojmë e të bëjmë diçka, është pikërisht dekurajimi i këtyre “idhujve të rremë”, të cilët përditë, një e nga një, duke u kursyer me naivitet tek-tuk, po rrokullisen në fund, aty ku llumi i vesh tërësisht gurët, aty ku mund të kujtojnë me turp kohën e tyre, në një cep larg syve e veshëve të fëmijëve tanë.

Vrasja e mitit pikturë  e Adrian Çene
Vrasja e mitit pikturë e Adrian Çene

*Arkitekt

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura