Grupi “Hajri” u godit në 2015, drejtuesit ende në liri. “Koka” e bandës nuk shfaqej asnjëherë, anëtarët s’e njihnin

Jan 29, 2020 | 19:42
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Dy vëllezërit Altin dhe Emiljan Hajri nga Shijaku, u dyshuan 5 vite më parë nga autoritetet italiane e shqiptare, si drejtuesit e trafikut të heroinës që nga vendi ku sigurohej në Afganistan, duke u blerë më pas në Turqi e kaluar transit në Shqipëri me destinacion final Italinë.hajri-vellezerit

Bashkëpunimi i radhës në luftën kundër drogës mes Policisë italiane e asaj shqiptare, që më 28 tetor 2015, u konsiderua si një supeoperacion dhe një sukses i madh, duke sjellë falënderime të ndërsjella mes palëve, pati edhe një anë të errët. “Enigma”, ashtu siç u kodua operacioni në atë kohë, duket se u dekonspirua pikërisht në Shijak, aty ku mendohej se ndodheshin “koka” e grupit dhe vëllai i tij.

Operacioni për ekzekutimin e 21 urdhërarresteve të Gjykatës së Venecias shkoi shumë mirë, si nga pala italiane, ashtu edhe nga Policia në Tiranë. Por Policia e Durrësit në atë kohë, nuk arriti t’i ekzekutonte 5 urdhërarrestet, mes të cilëve edhe ato për Altin Hajrin e vëllain e tij, Emiljanin. Pati edhe një hetim nga SHÇBA në atë kohë, por vëllezërit Hajri vazhduan të ishin të lirë, madje edhe sot. Pak kohë më vonë, u pushuan edhe hetimet për Altin Hajrin.

ORGANIZATA

Në vitin 2015, Policia italiane deklaronte se vëllezërit shqiptarë kishin drejtuar grupin në një mënyrë të ngjashme me ato të organizatave mafioze, me qeliza të ndryshme, ku të gjithë e dinin se çfarë duhej të bënin, por vetë drejtuesit, kryesisht vëllai i madh, Altini, nuk kishte asnjë kontakt me pjesën tjetër të rrjetit. Jo vetëm për shkak të mënyrës që ka pasur sistemi i komunikimit, që ripërtërihej nga koha në kohë, por edhe nga mënyra se si funksiononte organizata.

Në rast se njëra qelizë zbulohej, atëherë tjetra vazhdonte punën, pa rënë në gjurmët e Policisë. Historia e organizatës ishte e lidhur ngushtë me të shkuarën e dy vëllezërve, të cilët duke u larguar nga realiteti i vështirë para 20 vitesh, emigruan drejt Italisë, duke përzgjedhur terrenin ku do të ushtronin aktivitetin kriminal, por edhe njerëzit e tyre të besuar. Altin e Emiljan Hajri, konsideroheshin nga hetuesit italianë si persona me karizëm, shkathtësi dhe vendosmëri. Shumë prej anëtarëve të grupit nuk e kishin parë asnjëherë Altinin, madje nuk i kishin dëgjuar as zërin, pasi gjithçka ishte e koduar.

TRAFIKU I DROGES

Policia pati zbuluar në atë kohë se vendi i origjinës së heroinës që trafikohej drejt Italisë, ishte Afganistani. Por asnjë prej anëtarëve të grupit nuk shkonte vetë atje, pasi çmimi ishte i arsyeshëm edhe në Turqi. Droga blihej në Turqi me 5 mijë euro për kg, duke sjellë një fitim gati 10-fish, pasi merrej parasysh se vlera e shitjes me pakicë është 40 mijë euro për kg (40 euro doza). Të gjitha paratë që përfitoheshin nga kjo veprimtari, transferoheshin në Shqipëri duke u investuar në sasi të tjera heroine apo pasuri të patundshme.

QELIZAT E GRUPIT KRIMINAL

Organizata kriminale ndërtohej nga një qelizë shpërndarjeje dhe dorëzimi të lëndës narkotike me bazë në Trento dhe një qelizë e dytë logjistike në Trento e ngarkuar për mbledhjen e parave në dorë dhe të transferimit të tyre në Shqipëri nëpërmjet korrierëve. Gjithashtu, ekzistonte edhe një grup i ngarkuar për pritjen, përpunimin dhe shpërndarjen e ngarkesave të heroinës, që ndodhej në Roverkiara dhe një strukturë kriminale që ndodhej në Padova, e cila kishte si detyrë lidhjen ndërmjet trafikantëve të zonës dhe krerëve të organizatës, gjithashtu merrej dhe me shpërndarjen e lëndës narkotike dhe me mbledhjen e parave.

VELLEZERIT

Sipas të dhënave hetimore të Policisë italiane, vëllezërit Altin e Emiljan Hajro drejtonin prej të paktën 5 vitesh (aq koha se ishin në vëzhgim nga Policia), trafikun e heroinës Turqi-ShqipëriItali. Por, nga provat e siguruara në atë kohë nga hetuesit, vitet e fundit, ata ishin larguar nga Italia dhe drejtonin anëtarët e tjerë të grupit me anë të kodeve të ndryshme, por nga Shqipëria, saktësisht nga Shijaku, ku edhe banonin.

Për hetuesit, ishte mjaft i dyshimtë edhe fakti që vëllai më i vogël, Emiljani, kishte udhëtuar drejt Italisë një muaj para operacionit në 2015-n. Emri i tij ishte regjistruar në sistemin Tims në Aeroportin e Rinasit, më 28 shtator 2015 dhe destinacioni i tij ka qenë Italia. Por në sistem nuk kishte më datë hyrjeje të tij në Shqipëri.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura