Gruaja e të vrarit në Siri: Ju lutem, më bashkoni me fëmijët

Nov 14, 2014 | 11:58
SHPËRNDAJE

Mide Dumani
Bashkëshortja e Shkëlzen Dumanit, 38- vjeçarit që u vra disa ditë më parë në Siri, ku kishte shkuar bashkë me dy fëmijët, i bën thirrje qeverisë që t’i kthejë djalin dhe vajzën e mitur.
Nëpërmjet një letre të hapur, Mide Dumani, nëna e dy të miturve, Eva dhe Endri, me të cilët për herë të fundit ka folur para 3 muajsh, kërkon ndihmë për t’u bashkuar me fëmijët. Ndërsa shpjegon se i shoqi e ka mashtruar kur i mori fëmijët me vete dhe u nis për të luftuar në Siri. “Unë që po ju shkruaj jam një nga nënat më fatkeqe të këtij vendi, pasi prej gati një viti jetoj në makthin e zhdukjes së dy fëmijëve të mi, Evës dhe Endrit. Unë kam mundur të flas disa herë me ta kur babai i tyre kthehej nga fronti i luftës, por ata flisnin gjithnjë në prani të njerëzve të armatosur dhe nuk arrinim as të çmalleshim. Ata janë pengje të një lufte pa kuptim për ta. Hera e fundit që kam folur me fëmijët ka qenë para 3 muajsh. Eva dhe Endri, 9 dhe 7 vjeç, prej disa ditësh janë pa baba dhe të pasigurt për jetën e tyre dhe të gjyshes së tyre, që shkoi muaj më vonë për t’iu qëndruar pranë. Babai i tyre, Shkëlzen Dumani, është në të vërtetë shkaku i fatkeqësisë së tyre, por jeta e fëmijëve pas vdekjes së tij është makthi im dhe i gjithë familjes”, shprehet në letër bashkëshortja e 38-vjeçarit të vrarë, Shkëlzen Dumani. Nëpërmjet letrës që ajo i ka nisur gazetës “Tema”,
Endri Dumani dhe Eva Dumani
kërkon ndihmë për t’u bashkuar me fëmijët, duke thënë se ata janë të rrezikuar në vendin më të pasigurt në botë. “Tri ditë më parë më njoftuan se babai i fëmijëve të mi është vrarë dhe unë nuk di më se ku janë fëmijët e mi dhe gjyshja e tyre, e cila me siguri po përballet me një situatë shumë më të rëndë sesa makthi ynë. Unë dua që dikush të jetë në krahun tim, në krah të Evës dhe Endrit në këto momente. Unë dua që qeveria ime, e cila nuk e ndali dot çmendurinë e babait të fëmijëve të mi, të ndalë fatin e tyre tragjik, të ndalë makthin e tyre në mes të një lufte krejt të pakuptueshme për ta. I kërkoj me përulje Kryeministrit të vendit tim, autoriteteve të sigurisë në vend, ambasadave të vendeve mike të Shqipërisë që kanë fuqi të ndikojnë në atë territor dhe çdo shqiptari apo qytetari të botës, që e kupton makthin e një nënë së cilës i kanë marrë fëmijët për t’i detyruar t’i nënshtrohen fatit të babait të tyre, të më ndihmojnë që të bashkohem me ta”, shprehet në letër Mide Dumani.

I vrari në Siri, bashkëfshatarët: Nuk predikonte tek ne

Shkëlzen Dumani
PESHKOPI – Lajmi se Shkëlzen Dumani është vrarë në Siri ka mbërritur dhe në fshatin e tij të lindjes. Banorët e mbetur në Bellovë të Dibrës shprehin habi se si djali i një familje të nderuar është mashtruar dhe ka udhëtuar drejt Sirisë për të luftuar. Në pronocimet e tyre të gjithë kanë një apel. Sipas tyre shteti duhet të bëjë maksimumin për të kthyer në Shqipëri fëmijët e vegjël dhe bashkëshorten, të cilët u mashtruan dhe u dërguan në atë vend ku luftohet dhe vriten njerëz çdo ditë. Një fqinje e familjes Dumani tha se Shkëlzeni është larguar nga fshati para 15 vitesh. “Ishte një djalë i përkryer. E gjithë familja ishin të mrekullueshëm. Këtu në fshat Shkëlzeni nuk ishte predikues. Punonte si hidraulik dhe ishte shumë punëtor. Pasi u sistemuan në Tiranë ai është marrë me fenë. Me siguri duhet ta kenë mashtruar”, thotë një banore e zonës. Të tjerë shprehen se Shkëlzeni ka gabuar që është përfshirë në këtë gjëra. “Nuk i falet gabimi tjetër, dërgimi i gruas dhe fëmijëve në Siri. Tri ditë më parë erdhi lajmi se është vrarë Shkëlzeni dhe na ka ardhur keq të gjithëve. Nëse trupi i tij vjen në Shqipëri ne do të udhëtojmë drejt Tiranës dhe do ta ngushëllojmë familjen Dumani për këtë humbje. Me siguri Shkëlzeni është mashtruar ngë ekstremistë myslimanë që veprojnë në Tiranë”, thotë një burrë i moshuar. h.p

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura