Grip e dëmtime, sulmuesit trembin Tiranën. Ngo humb stërvitjen, Torasa dhe Kale…

Feb 25, 2020 | 9:19
SHPËRNDAJE

Tirana vjen në derbi me moralin më të mirë të mundshëm. Këtë e kanë sjellë jo vetëm rezultatet e fushës, por edhe përballimi i situatave të ndryshme brenda skuadrës. Dje, bardheblutë kanë zbritur në terrenin e rinovuar me bar natyral të “Skënder Halilit”, për të përgatitur ndeshjen e radhës përballë skuadrës tjetër të kryeqytetit. Por, trajneri Emanuel Egbo ka pasur një organikë jo me të gjithë titullarët në dispozicion.

Tirana

PA TRE TITULLARË

Majkëll Ngo, Agustin Torasa dhe Elton Kale nuk kanë qenë dje të gatshëm për t’u stërvitur me skuadrën e parë. “Panorama Sport” ka mësuar edhe seancën stërvitore të skuadrës kryeqytetase gjatë paradites së djeshme, e cila i ka paraprirë derbit të vogël, mes Tiranës B dhe Partizanit B. Për këtë, është dashur që kryeqytetasit ta afrojnë orarin e stërvitjes, në 11:00, disi më herët sesa ditët e tjera.

majkell ngo

MAJKËLL NGO

Kjo ka bërë që sulmuesi anglez, Majkëll Ngo, të paraqitet me vonesë në stërvitje. Ngo ka humbur pjesën e nxehmjes me shokët e ekipit dhe për pasojë nuk është futur në stërvitjen taktike. Ndaj, në fushën stërvitore, ai ka kryer vetëm pjesën atletike për të marrë ngarkesën stërvitore.

torasa

AGUSTIN TORASA 

Agustin Torasa, i cili doli në minutat e fundit ndaj Kukësit me një dëmtim, dje ka punuar nën kujdesin e stafit mjekësor. Pas terapisë, mesfushori me tipare ofensive ka kryer vetëm vrapime të kronometruara rreth fushës dhe ushtrime të kontrolluara në palestër.

KALE

ELTON KALE 

Braziliani Elton Kale ka marrë një ditë pushimi më tepër sesa shokët e tij, si masë parandaluese për një gjendje jo të mirë shëndetësore që po kalon. Futbollisti ka shfaqur shenja gripale dhe për këtë, stafi i ka përgatitur atij një trajtim mjekësor për të dalë nga kjo situatë. Gjithsesi, optimizmi në kamp është i tillë që të tre lojtarët, me trajtimin e veçantë dhe të kontrolluar, të kenë gjendje optimale për ndeshjen e radhës, ditën e premte në orën 19:00 në “Air Albania”.

OLSI TUJANI

(INTERVISTËN E PLOTË E LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT”)
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura