Grezda: Shënova golin më të bukur të karrierës. Me Panuçin jemi në rrugën e duhur

Sep 13, 2017 | 23:13
SHPËRNDAJE

Në futboll mjaftojnë pak minuta, mjafton një prekje e topit për të shndërruar në hero. I tillë ishte edhe Eros Grezda për Osijekun në ndeshjen e fundjavës kundër Hajdukut të Splitit. Shënoi në minutën e 93-të duke vulosur këtë sfidë dhe u zgjodh lojtari më i mirë i javës. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai thotë se ky gol ishte më i bukuri në karrierë, ndërsa zbulon arsyen pse nuk e ndërroi fanellën me Memollën në fundin e ndeshjes.

grezda

A ishte goli ndaj Hajdukut një nga më të bukurit në karrierën tuaj?

Ishte një gol shumë i veçantë dhe mund të them që ishte më i bukuri deri tani në karrierën time. Luanim ndaj një rivali të madh dhe direkt në luftën për të arritur objektivat. Për më tepër erdhi në sekondën e fundit dhe kjo ia shton akoma më shumë vlerat.

Cili ishte urimi më i bukur që morët pas këtij goli?

Urimi më i bukur gjithmonë pas suksesit vjen nga familja. Urimin më të bukur e kam marrë nga babai im. Atij ia kisha premtuar golin e parë në kampionat me Osijekun dhe e mbajta fjalën. Ai u ndie krenar dhe i lumtur për mua që shënova në këtë mënyrë dhe vendosa ndeshjen.

Një gol që i prishi festën shokut tuaj Hysen Memolla…

Me Memollën bisedova shumë përpara ndeshjes dhe kontaktuam me njëri-tjetrin edhe për dy ndeshjet e Kombëtares shqiptare. Pastaj nuk pata mundësi ta takoja në fundin e saj.

Nuk i ndërruat fanellat me njëri-tjetrin?

Nuk i ndërruam, sepse unë ia kisha premtuar kë të gjë një tjetër lojtari dhe duhet ta mbaja premtimin e bërë përpara ndeshjes.

grezda

Cili është objektivi juaj këtë sezon me Osijekun?

Kampionati sapo ka filluar dhe rruga që duhet të bëjmë është e gjatë. E kemi nisur mirë dhe duhet të vazhdojmë kështu. Objektivi për ne është ta mbyllim në një nga dy vendet e para, sepse kemi një skuadër realisht shumë të fortë. Duhet të mbajmë ritmin pozitiv.

Me Osijekun shënuat shumë shpejt. Po goli me Kombëtaren kur do të vijë?

Në fakt, golat nuk duhet të parashikohen dhe nuk duhet t’i vësh objektiv vetes që këtë herë do të shënosh. Goli kur vjen, vjen dhe shpresoj që të vijë sa më shpejt me Kombëtaren. E rëndësishme është që skuadra të arrijë rezultatet pozitive, pak rëndësi ka kush shënon.

Një shans e humbët që nuk luajtët me Maqedoninë. Ju erdhi keq?

Më erdhi keq sepse problemet shëndetësore nuk më lejuan të luaja në ndeshjen e dytë ndaj Maqedonisë.

Si po ju duket puna e Panuçit në Kombëtare?

Mund të them që Panuçi ka bërë një punë shumë të mirë dhe në të dyja ndeshjet kemi marrë rezultate pozitive. Fituam ndaj Lihtenshtejnit dhe morëm barazim në Maqedoni. Nuk është aspak e lehtë, por jemi në rrugën e duhur.

Ju uroi për golin e shënuar?

Jo. Me trajnerin Panuçi nuk kam pasur kontakte që pas grumbullimit në Maqedoni.

GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura