Greqi, shqiptari vret gruan në sy të fëmijëve

Aug 31, 2011 | 11:42
SHPËRNDAJE

GREQI – Një grua shqiptare, 44 vjeçe, është vrarë në mënyrë barbare nga bashkëshorti i saj. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në Greqi. Sipas mediave greke, shtetasi shqiptar, 55 vjeç, dhe gruaja e tij patën një mosmarrëveshje të fortë rreth orës 10:30 të ditës së djeshme. Konflikti ka nisur me të bërtitura dhe më tej ka vazhduar me sharje dhe fyerje. Policia greke ka thënë se raportimi për vrasjen është bërë zyrtarisht në orën 11:00, kur fqinjët e çiftit shqiptar kanë lajmëruar në lidhje me ngjarjen. Vrasja ka ndodhur në një nga dhomat e banesës ku qëndronin shqiptarët. Zhurma e madhe që vinte nga brenda shtëpisë mësohet se ka tërhequr edhe fëmijët e çiftit që nuk kanë qenë në banesë në momentin kur filloi konflikti mes prindërve. Ngjarja ka ndodhur në Lasithi, zonë e ishullit të Kretës dhe saktësisht në Gra Lagias, Ierapetra, ku emigranti shqiptar, 55 vjeç, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, ka qëlluar me sende të forta në kokë gruan e tij. Disa media raportonin dje se viktima është qëlluar me shufër hekuri në kokë dhe pas disa goditjeve ka rënë përdhé e vdekur. Në kohën kur nëna e tyre ka qenë në çastet e fundit të jetës, dëshmitarë të krimit janë bërë edhe fëmijët 16, 14 e 10 vjeç. Ata dëgjuan zhurmën e sherrit mes prindërve dhe menjëherë hynë në banesë për të parë çfarë po ndodhte. Ndërkohë aty mbërriti policia, e cila, pasi kontrolloi banesën, tha se bashkëshorti i viktimës kishte tentuar të largohej nga vendi i ngjarjes. Shqiptari 55-vjeçar ka rënë në pranga pak minuta më pas nga ndjekja e policisë, jo shumë larg banesës ku ndodhi krimi. Ndërsa gruaja 44-vjeçare ka gjetur vdekjen në vend nga plagët e rënda të marra prej goditjeve me sende të forta.

Sherri mes bashkëshortëve për xhelozi

Shkaqet e ngjarjes së ndodhur dje në banesën e familjes shqiptare që jetonte në Greqi janë ende të panjohura. Megjithatë, policia ka marrë në pyetje fqinjët e çiftit, të cilët, për disa minuta dje kanë dëgjuar debatin me zë të lartë që është zhvilluar mes viktimës dhe autorit të vrasjes. Sipas fjalëve të përshkruara nga fqinjët e familjes së emigrantëve shqiptarë, shkak i ngjarjes ka qenë një konflikt i ashpër për xhelozi. Mediat greke theksonin dje se autori i ngjarjes kishte dyshime për një raport të gruas së tij me një person banues të zonës, 10 vjet më i ri. Sipas fjalëve të dëshmitarëve, bashkëshorti këmbëngulte për këtë dyshim të tij dhe ndërkohë e shoqja e ka kundërshtuar disa herë duke i konsideruar fyerje thëniet e të shoqit. Debati është acaruar më pas me fjalë të rënda dhe të bërtitura, derisa 55-vjeçari ka qëlluar në kokë bashkëshorten. Policia tha se ajo ka gjetur vdekjen nga hemorragjia e brendshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura