Greg Rama nis shigjetat në prezantimin e parë “Fidem”, kush mori pjesë në ekspozitën e djalit të Kryeministrit

Sep 13, 2018 | 15:55
SHPËRNDAJE

ANI JAUPAJ/ Dyert e ekspozitës “Fidem” të Greg Ramës nuk ishin të hapura, nëse ti shkoje disa minuta përpara hapjes së lajmëruar, në orën 19:00.

Greg Rama dhe kuratori Vladimir Myrtezaj, dje në hapjen e ekspozitës “Fidem”
Greg Rama dhe kuratori Vladimir Myrtezaj, dje në hapjen e ekspozitës “Fidem”

Gregu bashkë me kuratorin Vladimir Myrtezaj, e kishin menduar kështu! Të krijonin një ndjesi pritjeje, përpara së bardhës që do të hapej e dendur dhe e thellë, pak minuta më pas. Ndërkaq, Gregu e kishte tensionin e pritjes të shumëfishtë. Ngjante se dikur bisedonte me ndonjë prej të ftuarve, por, në fakt, më shumë krijonte portrete reagimesh të hamendësuara, pasi dera e ekspozitës së tij të parë të hapej. U duk edhe më kjo kur e pyeta nëse kishte emocione për të ndarë, pikërisht për këtë.

Emocionet, Gregu po i ndante në fakt, edhe pa qenë nevoja të fliste diçka. I tërhequr prej natyrës, kërkoi të qëndronte i tillë edhe në këtë rast, duke e përzier mirësjelljen me ca doza droje që duhet t’ia njohin ata që e kanë takuar në rrethana të reja. “Do të them disa gjëra më pas, nëse do mund të prisni…”.

ekspo1

Greg Rama kishte përgatitur diçka për ta lexuar pas momentit të parë që të ftuarit ishin njohur me instalacionin e tij. Shigjetat që drejtoheshin në të bardhën e murit e që pas depërtimit vijonin në hapësirën e dytë e të tretë, për t’iu qasur pa prekur një sferë gjithaq të bardhë. I ngarkuar edhe më me emocionet e një ngjarjeje të parë të rëndësishme, me peshën e syve e të veshëve që ndiente mbi kostum, Gregu arriti të përcjellë disa nga përjetimet mendime, duke u kujdesur sërish të kërkojë falje nëse fjala e tij do të dukej tepër e gjatë… “Artisti është krijuesi i gjërave të bukura.

Kritiku është ai që mund të përkthejë në një tjetër material, përshtypjen që krijojnë te ai gjërat e bukura. Mënyra biografike është forma më e lartë e kritikës por edhe më e bukur. Ata që gjejnë shpjegim të shëmtuar te gjërat e bukura, janë të korruptuar dhe jo tërheqës për askënd. Ky është një gabim i madh. Ata që gjejnë shpjegime të bukura te gjërat e bukura janë njerëzit e kultivuar, ata njerëz që nuk duhet të humbasin shpresën. Ata, të cilët gjërave të bukura nuk iu veshin gjë tjetër veç bukurisë, ata janë të përzgjedhurit. Nuk ekziston një vepër arti morale apo imorale.

Greg Rama i është prezantuar publikut për herë të parë me këtë instalacion, që do të qëndrojë nga sot i hapur për një javë në galerinë “FAB”
Greg Rama i është
prezantuar publikut për herë të parë me këtë instalacion, që do të qëndrojë nga sot i hapur për një javë në galerinë “FAB”

Një vepër arti është e realizuar mirë ose jo. Urrejtja e shekullit tonë për realizmin është tërbimi i një kanibali kur shikon fytyrën e tij në pasqyrë. Urrejtja e shekullit tonë për romantizimin është tërbimi që ndjen një kanibal kur nuk shikon dot fytyrën e tij në pasqyrë. Jeta morale e një njeriu përbën temën mbi të cilën artisti punon, por moraliteti në art nënkupton përdorimin perfekt të një mjeti joperfekt. Nuk ka artist që dëshiron të dalë kundër artit. Asnjë artist nuk ka simpati për etikën.

Te një artist, simpatia për etikën është e pafalshme. Artisti nuk është asnjëherë i brishtë, mund të shprehë gjithçka. Mendimet janë për artistin mjetet e punës, me të cilat krijon artin e tij. Në pikëpamjen e formës, mënyra e të shprehurit më e drejtpërdrejtë është loja e muzikantit. Në pikëpamjen e ndjesisë është ajo e aktorit. Çdo art është njëkohësisht sipërfaqe dhe simbol… Mendimet që sjell një vepër arti, tregojnë që kjo është diçka e re, komplekse e jetësore. Kur kritikët janë në mosmarrëveshje me njëri-tjetrin, artisti është në mirëkuptim të plotë me veten e tij. Dikujt nuk i falet krijimi i një gjëje pa vlerë, fill në momentin që nuk e adhuron këtë gjë”,- duartrokitjet që tingëllonin më tepër mbështetëse për kapërcimin e këtij momenti dukshëm jo të lehtë për të, ishin vetëm prej miqve moshatarë dhe pak artistëve.

Nuk dimë nëse do të kishte kaluar më lehtë apo do të bëhej edhe më i rëndë ky moment për Gregun, nëse mes të pranishmëve do të kishte qenë edhe babai i tij, Edi Rama. Të paktën deri disa minuta pas fjalës së tij dhe prezantimit të instalacionit, nuk ishte i pranishëm asnjë prej familjarëve.

“FIDEM”, SIPAS KURATORIT VLADIMIR MYRTEZAJ

Besim, komunikim i hapur dhe afrimitet është një trekëndësh që shënjon një territor të personalizuar, për artistin e ri Greg Rama, i diplomuar pak vite me parë në Universitetin e Arteve në Tiranë. Si përpara çdo subjekti, në trokitjet e para për t’u identifikuar, autori i kësaj ekspozite shpall sfidën e tij për të dalë përpara publikut, duke na kujtuar kështu ngërçin e madh të hapit të parë që përjeton çdo artist.

Përpos trashëgimisë familjare, ai përballet po aq edhe me nevojën për një stacionim të mendimit dhe aktit krijues, duke i besuar më shumë ndijimeve dhe përvojave personale si conditio sine qua non për krijimtarinë. Besimi i hapur mbi çfarë mund të gjente në korrentet e eksperimentit, shoqëruar me një intuitë premtuese që e lidh artistin me shenjën, tingullin dhe dendësinë e formës me të cilën afrohet, i hapin atij një rrugë të qenësishme ku përfshihet të besojë. Përmes lojës me hapësirën, ai ndërton një ekuilibër mes konceptit dhe trupëzimit të një energjie që e identifikon, duke i hequr gravitetin arkitektonik mediumit, duke përdorur po aq edhe një lloj transfigurimi thjeshtëzues drejt trajtave elementare e parake.

Pika, vija, rrafshi, mungesa e gravitetit bashkërendohen për të (ri)lexuar konceptin e një ndërhyrjeje hapësinore, jo më si një ngjarje lineare, por me asociime qëndrimesh të aksidentuara e vertikale, duke na afruar atë përvojë që mund ta quajmë vëllim i shformuar elementesh ose energji e kulluar pastër. Perceptimi është i pakohë dhe larg analizës së zhvendosur në kohë, sepse koha në këtë rast ekziston vetëm si një element i qëruar nga rrethanat tipizuese, duke shfrytëzuar ecejaket e një ndjeshmërie të veçuar. I vetëmjaftueshëm në elemente krejt të thjeshtë, por shumë pranë një sinkroni energjish që zhbën narrativën apo rrethanën site-specific, autori krijon veprën dhe gjuhën e saj në të njëjtën kohë.

Greg Rama ka një shprehi të “lindur”, në afri me fjalën, të shkruarit dhe komunikimin, ndaj dhe shfaqja e tij e parë nën kupolën “Fidem” – “Besim”/ ”Vërtetësi” përvijon një lëvizje komunikuese nëpërmjet një mediumi, i cili përfshin hapësirën ku ai zhvendos strukturën e tij. Fuqia e interpretimit dhe e asociimit krijon një territor kulturor të ndërmjetëm ku frymon ndjeshmëria e artistit. Autori e ndien veten në rrokullimat e shpeshta mohuese, aq domethënëse për një artist në rritje, për të hapur kështu rrugën e tij, që tanimë i duhet ta ndajë edhe me publikun, si një mundësi për të rimenduar dhe riparë sheshpushimet si akte ndikimesh të panjohura apo të rishikuara artistike.

Greg Rama vjen si një komunikim i pamundur i gjithë atij monologu të brendshëm e kaotik që së shumti nuk ndahet drejtpërdrejt, por i kamufluar përmes gjuhës së ndërmjetësuar të artit. Dalja e tij e parë në publik është pikënisje e këndvështrim i hapur që do të mundësojë hapjen e tij të radhës në kurajën e parashikimet e ndërgjegjes së tij si artist në një rrugë të gjatë e të vështirë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura