Gratë në qeverisje, Ban Ki Moon vlerëson Ramën

Sep 30, 2013 | 12:16
SHPËRNDAJE

Rama gjatë takimit me Ban Ki Moon
Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara,  Ban Ki-Moon, priti Kryeministrin Edi Rama pas fjalimit që kreu i Ekzekutivit mbajti në Asamblenë e Përgjithshme.
Njoftimin për këtë takim e ka publikuar zyra e Ban Ki-Moon, ku thuhet se biseda është fokusuar te prioritetet e qeverisë se re shqiptare. “Sekretari i Përgjithshëm inkurajoi qeverinë në vijimin e luftës ndaj korrupsionit dhe përparimin me reformat që lidhen me drejtësinë dhe shtetin e së drejtës”, thuhet në njoftim. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së përshëndeti emërimin e një numri ministresh femra në qeveri dhe pozicionet e tjera drejtuese, duke shpresuar që kjo tendencë të vazhdojë.
Në fund të njoftimit për shtyp, zyra e Ban Ki-Moon thotë se gjatë takimit me Edi Ramën, Sekretari i Përgjithshëm shprehu mirënjohjen për përqafimin e reformave të OKB-së dhe mbështetjen e nismës “Veprojmë si komunitet i vetëm”, si dhe pjesëmarrjen aktive në axhendën për zhvillim pas 2015-s. Ata gjithashtu biseduan lidhur edhe me zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, ku Sekretari i Përgjithshëm ka një angazhim të veçantë në Kosovë dhe në raportet e këtij shteti me Serbinë.Rama theksoi se marrëveshja mes dy shteteve mbyll një kapitull konfliktesh në Ballkan dhe i hap rrugë një fryme të re bashkëpunimi në rajon. Kryeministri Rama u shpreh i kënaqur për 104 vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara që e kanë njohur Kosovën dhe kërkoi që procesi i njohjes së Kosovës të vazhdojë dhe të pranohet edhe nga vende të tjera.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura