Grafistja e parë femër, ekspozitë në Galerinë e Arteve

Feb 9, 2016 | 14:37
SHPËRNDAJE

E para artiste e diplomuar për grafikë në Shqipëri hap ekspozitë retrospektive në Galerinë Kombëtare të Arteve. Nesër në mbrëmje, në GKA prezantohet krijimtaria e plotë e Lumturi Dhramit.

Një nga grafikat e Lumturije Dhramit
Një nga grafikat e Lumturije Dhramit

Një krijimtari që përfshin një periudhë 30-vjeçare (1956–1986) në grafikë. Në historinë e arteve pamore në Shqipëri, ajo renditet e para artiste femër e diplomuar për grafikë, duke dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm në zhvillimin e kësaj gjinie, krahas artistëve Pandi Mele, Safo Marko, Ibrahim Shehu e më tej si: Musa Qarri, Vlash Prifti, Anastas Kostandini etj..

Në veprën e Dhramit mbizotëron grafika e thjeshtë, realiste, e që komunikon me publikun. Pjesa më e madhe e artit të saj grafik shtrihet në periudhën e Realizimit Socialist, rrjedhimisht temat e subjektet në ciklet e punuara lidhen me këtë realitet, ashtu si krijimtaria e shumë artistëve të tjerë që aplikuan grafikën.

Sipas studiuesve, pavarësisht realitetit dhe atmosferës artistike, apo ndikimeve politike e sociale, Lumturi Dhrami përdori vazhdimisht elementët modernë të grafikës dhe veprat e saj mbeten një vlerë e pamohueshme në artin pamor shqiptar.

Artistja ka realizuar disa cikle grafike me temë nga Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare si “Shtypi ilegal”, “Vdekje fashizmit, liri popullit”, “Greva e Kuçovës”; nga jeta dhe puna e ndërtimit të socializmit: “Epoka jonë”, “Fshatari”, “Gruaja që pi ujë”, “Agronomja”, “Rruga jonë”, “Ndërtuesi”, “Punëtori i peshkimit”, “Ushtarët” etj..

Disa vepra grafike ajo ua ka kushtuar figurave të njohura të historisë shqiptare. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 21 shkurt 2016.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura