Grabitja në Rinas/ Zbardhen bisedat mes Çerpjes dhe Avdulajt, ja roli i tij

Feb 19, 2017 | 9:02
SHPËRNDAJE

Një sasi e konsiderueshme monetare në euro dhe paund u gjet dje nga policia në vazhdim të aksionit “Patriot”, për kapjen e grabitësve që kanë vepruar në rrugën Tiranë-Rinas.

Jetmir (Admir) Çerpja
Jetmir (Admir) Çerpja

Pasditen e djeshme në Bathore, në afërsi të banesës së Admir Çerpjes, personit të pestë të arrestuar, policia tha se është gjetur një tenxhere me presion e groposur dhe e mbushur me euro e paund.

“Tenxherja ishte e groposur. Po vijojnë kërkimet, pasi dyshohet për sasi të tjera”, thuhej në komunikatën e Policisë mbrëmjen e djeshme.

“Shuma e gjetur nuk është numëruar ende, por sasia e kartë- monedhave të vendosura aty është e konsiderueshme”, thanë burimet e Policisë.

Sipas tyre, ka dyshime të forta se paratë e vendosura në tenxhere me presion janë shuma të vjedhura në dy grabitjet e ndodhura, më 3 dhjetor 2015 dhe 9 shkurt 2017. Madje, një burim tha dje se tenxherja e gjetur në Bathore ishte fare e padëmtuar nga faktorët atmosferikë, duke krijuar kështu dyshime se paratë e gjetura mund të jenë të grabitjes së ndodhur vetëm pak ditë më parë në rrugën e Rinasit.

ROLI I ÇERPJES

Bazuar në dëshmitë e ishkomandos Neim Avdulaj dhe të penduarit Fatjon Xhyliu, Admir Çerpja, i arrestuari i pestë, ka pasur rolin e informatorit. Neim Avdulaj dëshmon se ka njohje me Admir Çerpjen nëpërmjet kushëririt të tij, me të cilin ka qenë ushtar në Afganistan.

Ditën e ngjarjes, pra, më datë 03.12.2015, Neim Avdulaj ka qenë në shtëpi kur i ka ardhur një mesazh nga Ditjon Memlika me tekstin “kemi lëvizje sot”. Një mesazh ditën e ngjarjes, Neim Avdulajt i ka ardhur edhe nga Fatjon Xhyliu, i cili e njoftonte për lëvizjen e mjeteve për në Rinas.

Pas kësaj, Neim Avdulaj ka vënë në dijeni me SMS personin që në celular e kishte të shënuar me emrin “shoku”. Neim Avdulaj nuk e dinte se kush ishte personi që atë ditë kishte numrin celular ku ka nisur mesazhin.

Nga “shoku” i është kthyer përgjigjja “OK, në rregull”. Më pas, ndërsa ka qenë në banesë, Neim Avdulaj ka marrë vesh nga televizioni për vjedhjen në aksin Qafë-Kashar-Rinas. Pas dy ditësh, në shtëpinë e Neim Avdulajt ka shkuar një person i quajtur A. (pa gjeneralitete të plota) dhe i ka dhënë 5 çanta me lekë. Pas kësaj, Neim Avdulaj ka marrë në telefon Admir Çerpjen dhe i ka thënë “hajde se mbaroi”.

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura