Katër zyrtarët e arrestuar në Rinas ‘krijuan kushtet për supergrabitjen’

Jul 2, 2016 | 8:32
SHPËRNDAJE

Pesë persona u arrestuan dje në mbrëmje me urdhër të Prokurorisë së Krujës në lidhje me supergrabitjen e ndodhur në Aeroportin e Rinasit tri ditë më parë.

Organi i akuzës ka urdhëruar ndalimin e disa drejtuesve dhe punonjësve të kompanisë private të sigurisë së Aeroportit të Rinasit, në vijim të hetimeve të nisura për vjedhjen e një sasie të konsiderueshme parash në pistën e fluturimeve, ngjarje e ndodhur të enjten, më datë 30.06.2016.
5-768x437

Burimet zyrtare thanë se Prokuroria ka nisur menjëherë hetimet mbi ngjarjen dhe në bazë të veprimeve të deritanishme, drejtues dhe punonjës të kompanisë së sigurimit “ICTS” dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën, duke krijuar mundësinë që tre persona të armatosur të realizojnë vjedhjen e parave në mjetin që transportonte vlerat monetare në drejtim të bordit të një avioni.

“Prokuroria e Krujës ka krijuar dyshimin e arsyeshëm se personat e ndaluar nuk kanë marrë masat e nevojshme për të siguruar qarkullimin e vlerave monetare në ambientet e brendshme të Aeroportit të Rinasit”, thanë më tej burimet.

Sipas tyre, deri në këtë fazë të hetimit, Prokuroria e Krujës, e cila po heton mbi veprimet e personelit të sigurimit, dyshon se kanë shpërdoruar detyrën dhe ka nxjerrë urdhër ndalimi për pesë persona, përfshi tre zyrtarë të kompanisë së sigurisë së aeroportit, shoqëruesin e parave nga banka dhe një zyrtar teknik të Rinasit.

  1. Arben Karafili, Drejtor Operacional i kompanisë “ICTS”
  2. Bledar Blloshi, agjent i kompanisë “ICTS” (patrullë)
  3. Fadil Jonuzaj, agjent i kompanisë “ICTS” (patrullë)
  4. Kujtim Picari, shoqërues i vlerave monetare i një banke të nivelit të dytë
  5. Vangjel Nikolla, kryetar i Degës Teknike të Aeroportit.

Urdhërat e ndalimit janë ekzekutuar nga ana e forcave të Policisë mbrëmjen e së Premtes (dt. 01.07.2016). Ndërkohë, hetimi për vjedhjen po kryhet nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda, pasi ka dyshime se vepra penale është konsumuar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura