Grabitja e 3.2 mln eurove/ Zbardhet dëshmia e drejtuesit të blindit

May 25, 2017 | 13:13
SHPËRNDAJE

Gjykata e Tiranës zbardhi arsyetimin e vendimit ndaj gjashtë punonjësve të policisë private që shoqëronin blindin, ku u grabitën gati 3.2 milionë euro, më 9 shkurt 2017, te kthesa e Kasharit.

auto_grabitja-rinas1487175437Të gjithë të pandehurit u deklaruan fajtorë për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, por i shpëtuan dënimit me burg, pasi gjykata vendosi përfundimisht lënien e tyre në liri me kusht.

Në vendimin e arsyetuar, një kopje e të cilit u sigurua nga gazeta, zbardhet deklarimi i plotë i të pandehurit Dashamir Balla, shoferit të blindit ku ndodheshin 3.2 milionë euro.

Në rrëfimin e tij para hetuesve, nga pozicioni i një dëshmitari okular në grabitje, del në dritë mekanizmi i plotë i supergrabitjes së ndodhur në aksin Kashar-Rinas.

PRITA

Pasi kanë lënë një pako në një filial të bankës përkatëse në Laprakë, blindi ka kaluar rrethrrotullimin “Shqiponja”, ka vazhduar drejt autostradës dhe te mbikalimi i Kasharit janë kthyer për Rinas.

Deklaruesi sqaron para se të shkonin tek universiteti “E…” ka parë se nga një rrugë dytësore nga krahu i djathtë po dilte një makinë tip fuoristradë “JEEP”, me ngjyrë si të errët, me xhama të zinj, e cila pasi ka dalë në rrugë kryesore ka bërë sikur po u fuste në krahun e saj për të shkuar në drejtim të autostradës dhe në momentin që është afruar makina e blinduar i është drejtuar, duke u përplasur me makinën e deklaruesit te feneri i krahut të shoferit dhe pas përplasjes makina e blinduar është spostuar, duke u afruar të bordura mbrojtëse e rrugës. Makina që i ka përplasur ka vazhduar t’i shtynte dhe makina e blinduar është fikur.

GRABITJA

Në këtë moment nga fuoristrada kanë zbritur 4 persona të veshur me uniforma të zeza me mbishkrimin “Policia”, me maska dhe doreza. Dy nga këta persona kanë pasur armë automatik në dorë, kurse dy personat e tjerë kishin në duar varre. Njëri nga personat ka qëlluar me automatik në pjesën anësore të makinës së blinduar nga krahu i shoferit, kurse një person tjetër ka goditur me varre xhamin e parë të makinës së blindit. Në këtë kohë punonjësi i SHPSF, Gentjani Dedja, që kishte automatik, e ka mbushur armën dhe po rrinte në pozicion.

Pasi nuk është thyer xhami i parë, autorët kanë filluar që të godisnin xhamin e derës së shoferit dhe pasi e kanë goditur dytri herë, xhami është thyer pllakë, duke rënë në asfalt. Gentjani ka qëlluar me armë në drejtim të dritares së thyer dhe deklaruesi është hedhur, duke kaluar në pjesën e pasme të furgonit.

Në këtë moment njëri nga autorët ka futur armën nga dritarja që është thyer dhe ka qëlluar brenda në furgon. Ka futur dorën duke hapur derën nga brenda. Kur është hapur dera, njëri nga personat është futur në furgon dhe pasi i ka marrë armën Gentjanit i kanë nxjerrë të dy jashtë makinës dhe i kanë shtrirë në asfalt.

PRESIONI PER ÇELESAT

Deklaruesi ka pohuar se nuk i shikonte veprimet e autorëve, por vetëm dëgjonte kur thoshin ku është çelësi. Pasi autorët e kanë parë që kasaforta ishte e mbyllur kanë ardhur dy autorë dhe e kanë ngritur deklaruesin. Më tej i kërkuar çelësat dhe e kanë marrë e dërguar te kasaforta. Duke e goditur në kokë dhe në bark vazhdonin t’i kërkonin çelësat. Në këtë moment deklaruesi u ka thënë autorëve se çelësin e ka përgjegjësi që ishte pas tyre me një makinë tjetër.

Pas kësaj, përsëri këta persona e kanë marrë deklaruesin duke e dërguar te makina e shoqërimit dhe e pyetën kush e ka çelësin. Deklaruesi u ka thënë autorëve se është një makinë e tretë që e sjell çelësin. Deklaruesi shpjegon se autorët i kanë kërkuar që të hapte kasafortën e makinës shoqëruese, por deklaruesi u ka thënë se nuk hapet se duhet t’i ketë dyert e mbyllura. Më pas, autorët e kanë shtrirë në tokë deklaruesin, ku ishin kolegët e tij të makinës shoqëruese.

SHKALLMIMI I KASAFORTES

Deklaruesi shpjegon se gjatë kohës që ishte i shtrirë, ka parë se autorët kanë filluar që të hapin kasafortën me gurë flesibël dhe pasi e kanë hapur kanë afruar makinën që përplasi blindin, kanë ngarkuar paratë në makina dhe janë larguar në drejtim të autostradës. Deklaruesi shpjegon se pasi kaloi makina e parë personat që po e mbanin të shtrirë kanë ikur, por deklaruesi nuk i ka parë se me çfarë makine janë larguar, por ka dëgjuar makinën që ka ikur në drejtim të autostradës.

THESI ME GPS

Deklaruesi ka shpjeguar se për lëvizjen që do të bënte për Rinas është njoftuar nga përgjegjësi i tij, shtetasi Ferdinant Hoxhallari, rreth orës 11:30 të datës 09.02.2017 dhe deklaruesi nuk ka njoftuar ndonjë person apo institucion. Deklaruesi ka shpjeguar se thesi, i cili është gjendur në furgon dhe që është i ambalazhuar si thes me para të cilin nuk e kanë marrë autorët, në të vërtetë nuk ka para brenda, por është i mbushur me letra të prera si kartëmonedha, paketuar me shiritat e bankës dhe brenda tij ka dhe një pajisje GPS.

Ky thes vendoset në mes të derës së blindit dhe të kasafortës, më qëllim se në rast të grabitjes së makinës së blinduar autorët të marrin thesin e letrave me GPS që është kollaj dhe të mos tentojnë që të hapin kasafortën. Deklaruesi ka sqaruar se makina e blinduar është e pajisur me kamera sigurie, të cilat janë të vendosura, një nga ana e jashtme te dera anë- sore e makinës së blinduar dhe tjetra është e vendosur brenda makinës pas shoferit. Deklaruesi shpjegon se nuk e di nëse kamerat janë të lidhura me sistemin e sallës operative të “Jaguar”-it apo jo.

ARSYETIMI I GJYKATES

Në vendimin përfundimtar, trupi gjykues vlerë- sonte se gjashtë të pandehurit duhet të deklaroheshin të fajshëm për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Sipas Gjykatës, ata e kanë kryer veprën penale me veprimet e mosveprimet e tyre, duke mospërmbushur në mënyrë rigoroze një seri detyrimesh që burojnë nga aktet ligjore e nënligjore që disiplinojnë veprimtarinë e personelit të shoqërisë së ruajtjes fizike gjatë procedurave të transportit, në destinacion të vlerave monetare.

“Në një konkluzion të tillë gjykata arrin duke iu referuar fakteve të provuara nga aktet e administruara si provë dhe konkretisht: mbajtja e fikur e kamera të vëzhgimit, siguria jo në nivelin e duhur e mjeteve të blinduara, mungesa e trajnimit të mjaftueshëm për të gjithë personelin e sigurisë fizike, mosmbajtja në mënyrën e duhur të aparatit të detektimit satelitar të vlerave (GPS), mungesa e një veprimi të bashkërenduar e profesional në çastin e sulmit nga ana e personelit të sigurisë fizike, si dhe rrethana të tjera që krijojnë bindjen te gjykata se jemi në kushtet e mospërmbushjes së rregullt të detyrës, e cila ka gjeneruar pasojat e rënda ekonomike, grabitjen e një sasie të konsiderueshme valute”.

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura