Grabitën dy motra në Tiranë, 16 vjet burg 4 anëtarëve të bandës

Nov 30, 2012 | 12:48
SHPËRNDAJE

TIRANE – Katër të rinj janë dënuar me 16 vjet burg në total nga Gjykata e Tiranës, pasi u deklaruan të fajshëm për grabitjen me dhunë të dy motrave në kryeqytet. Sipas vendimit, të pandehurit Alban Paplekaj, 21 vjeç, Orest Mulaj, 21 vjeç, Bledar Kolbucaj, 24 vjeç dhe Fatjon Shtrungëza, 22 vjeç, janë autorët e grabitjes me dhunë të çantave të dy vajzave më 18 prill të këtij viti në rrugën “5 Maji” në kryeqytet. Në arsyetimin e vendimit, të shpallur më 13 nëntor, pohohej se të pandehurit i kanë goditur me grushte dhe i kanë tërhequr nga flokët derisa i kanë shtrirë përtokë dy motrat, për t’u marrë atyre çantat. Në gjykim, të pandehurit kanë pranuar akuzën për vjedhjen, por kanë mohuar dhunën. Gjykimi i tyre është bërë më kohë të shkurtuar, prej të cilit ata kanë përfituar uljen e një të tretës së masës së dënimit. Përfundimisht, gjykata ka vendosur dënimin me nga 3 vjet e 4 muaj burg për akuzën e “vjedhjes me dhunë”, në bashkëpunim, për të pandehurit Alban Paplekaj dhe Orest Mulaj. Të pandehurit Bledar Kolbucaj dhe Fatjon Shtrungëza u dënuan përfundimisht me nga 2 vjet burg, për akuzën e “vjedhjes” në bashkëpunim.  Në vendimin e zbardhur të gjykatës thuhej se “më datë 18.04.2012, rreth orës 23:30, të pandehurit Bledar Kolbucaj, Alban Paplekaj, Orest Mulaj dhe Fatjon Shtrungza kanë qenë duke bërë xhiro me automjetin tip “Benz”, me targe TR xx22 P, që drejtohej nga i pandehuri Bledar Kolbucaj. Gjatë udhëtimit ata kanë biseduar dhe kanë bërë një marrëveshje gojore me njëri-tjetrin se do të rrëmbenin çantën e ndonjë femre dhe se do të kryenin ndonjë vjedhje”. Në vijim, teksa po kalonin në rrugën “5 Maji”, ata kanë parë dy femra në hyrjen e një pallati. “I pandehuri Bledar Kolbucaj ka ndaluar automjetin. Kanë zbritur të pandehurit Alban Paplekaj dhe Orest Mulaj, të cilët kanë vajtur te dy shtetaset duke i goditur me grushte pas qafe dhe duke i tërhequr nga flokët derisa i kanë shtrirë përtokë, duke iu rrëmbyer çantat që ato kishin me vete”, thuhej në vendim. Sipas gjykatës, dy të dëmtuarat kanë sinjalizuar policinë. Pak minutë më vonë të rinjtë janë arrestuar, ndërsa në automjetin e tyre policia sekuestroi edhe dy çanta të tjera, në të cilat gjendeshin portofola, celularë dhe sende femrash.                ar.ba

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura