Godina poliedrike e korrupsionit ka emrin “Urdhri i Profesionit të Inxhinierit”

Mar 20, 2024 | 8:33
SHPËRNDAJE

NGA ING. RUDIN DYRMISHI RUDIN DYRMISHI

Në këtë periudhë jeta ka marrë zhvillim të vrullshëm në çdo fushë. Kjo vjen sepse njeriu pasi e arrin një standard, nuk e vlerëson më atë ku është, por kërkon përsosmërinë dhe mirëqenien në një stad më lartë. Konkurrenca, karriera, si dhe ambicia mund të formëzojnë vetëm një ego pozitive te njeriu. Atë të profesionit, por edhe kjo duhet me patjetër të jetë e rregulluar me ligj. Në pak rreshta do të shkruaj parimisht, por jo vetëm, si një njeri i angazhuar publikisht jo pak për këtë temë, duke dhënë disa mendime lidhur me faktin që UIP dhe UIH janë modele copy-paste, nuk ofrojnë zgjidhje cilësore, ca më pak kreative e që t’i rezistojnë sfidave të kohës.

SË PARI

Inxhinieria më rezulton mbase fusha më pak e parregulluar në RSH nga legjislacioni në fuqi. Gjithsesi, edhe ajo ka nevojë për rregullime e përmirësime për të mbërritur përsosmërinë. Ne jetojmë në një realitet ku urdhrat për rregullime profesionesh kanë rezultuar pothuajse dështime, ose të jem pak i rezervuar në terma, nuk shkëlqejnë. Pra, modelet sesi funksionojnë urdhrat e tjerë të vetërregulluar nuk mund të merren dhe t’u bëhet konstituimi në inxhinieri si UIP apo UIH. Riparimi i modelit të keq shpeshherë rezulton mision i pamundur edhe në module elektronike të dhënash e jo më nëpër struktura njerëzore. Thënë kjo, sepse realja bëhet virtuale, por e kundërta jo. Problemi në inxhinieri fillon me detyrat e projektimit, e pastaj vijon më tej me ca kritere minimale për drejtuesit ligjorë të shoqërive, për të vijuar me proceset dhe veprimtarinë vendimmarrëse. Vetërregullimi si mekanizëm në RSH po dështon, për rrjedhojë në të duhen shtuar disa komponentë, apo katalizatorë që të garantojnë tempin e ecjes dhe përsosjes.

Në një moment kohe (t), individët që veprojnë në fushën inxhinierike janë (x), ndërsa interesat (y). Ajo që bënë diferencën është delta shtesa e individëve të rinj, me delta shtesat e interesave të gjeneruara prej tyre, të tjerat janë njësoj. Kjo veprimtari e individëve të rinj, nga urdhrat profesionalë pothuaj në disa vite pas diplomimi frenohet, e në vertikalet e UIP&UIH më rezulton zero. Kjo më duket e papranueshme. Klishetë që profesioni vidhet dhe nuk jepet/dhurohet, apo të hapim sytë e të parandalojmë ngjarjet e fundit duke i dhënë jetë urdhrave inxhinierikë, duken si t’i besosh djallit me fytyrë engjëlli.

SË DYTI

Rezultojnë abuzime marramendëse në fushën inxhinierike. Po patjetër, sepse është fusha që prodhon dhe konsumon më shumë para publike. Patjetër aty ku punohet më shumë, ekziston mundësia më e madhe për të gabuar nga paaftësia, si dhe për të inkriminuar veten me dashje, pakujdesi apo neglizhencë nga etja për materie që prodhon profesioni. Këto as minimalizohen e as neutralizohen me urdhra, sepse janë të njëjtët njerëz. Besoj duhet dimensionuar sjellja njerëzore, e cila ka dy rrugë: Edukimi(a) dhe Penalizimi(b). Ky i fundit ka vlerë riedukuese për individin dhe dekurajuese për shoqërinë. Besoj që penaliteti është rruga e fundit në përdorim, madje pasi të jetë ezauruar çdo mundësi dhe element edukimi.

Edukimi besoj bëhet në fakultete e jo me urdhra profesionalë. Kur nuk të “shet” njeri profesion në fakultet, si do të ta “shiskan” tek UIP apo UIH!? Kur po korruptohen dhe shantazhohen segmente të shtetit, si nuk do ndodhka ky fenomen te vertikalet e UIP nesër!? Çfarë e imunizon këtë të fundit!? Asnjë garanci nuk japin projektligjet e UIP dhe UIH për këto fenomene. Praktika dhe zbatimi urdhrave analogë në profesione të tjera janë prova e dështimit të modelit urdhra profesionalë.

SË TRETI

Vetitë e ndërrimit, shoqërimit apo ajo kalimtare na tregojnë që në fund rezultati del njësoj. Numrat janë kokëfortë, ama ata marrin kuptimin për të vlerësuar fenomene dhe dimensionuar zgjidhje. Nëse sot e garanton rregullin ministria, apo nesër UIP, rezultati besoj do jetë identik, mos më keq. Them më keq, sepse ministria veç përgjegjësisë ligjore, ka edhe atë politike (llogari periodike zgjedhore apo besim që jepet te një individ e ky abuzon me këtë besimin politik), dhe nuk po e bëjnë si duhet, apo kanë dështuar me sukses. UIP do ketë vetëm përgjegjësi ligjore, madje propozohet kolegjiale, që të mos ketë përgjegjësi penale ose kjo e fundit me raste të rralla.

Le të marrim një shembull materiali. Çeliku me seksion rrethor me diametër D, ka një aftësi mbajtëse (t) ton. Fijet e çelikut të gërshetuara, për të njëjtin diametër kanë një aftësi mbajtëse shumë më të madhe. Ky është një parim mbi të cilin duhet të ngrihen organet vertikale rregullatore të profesioneve. Dmth., duhet të ketë gërshetim të brezave në vendimmarrje. Të “vjetërit” ndikojnë në vendim me eksperiencën dhe të rinjtë me freskinë. Të parët mund t’u mësojnë rritjen, të dytët mund t’u mësojnë si të rrinë të rinj (c). Tesla thoshte se numrat 3;6;9 janë magjikë (d). GJK e RSH ka një përbërje të tillë. Me mandat nga 9 vite, të propozuar nga tri institucione, ku çdo tri vite ripërtërihen mandatet. Ky institucion në RSH ka rezultuar i vetmi me integritetin më të lartë. Jo rastësisht (e). Ky është një model suksesi për strukturën e pavarur që do të disiplinojë inxhinierët, e ku me patjetër para të cilit inxhinieri duhet të paraqitet të mbrohet vetë, me një inxhinier që e beson dhe struktura para se të dalë me vendim, merr mendim për lëndën nga ekspertë të pavarur që mund të jenë edhe inxhinierë të huaj. Këta hartojnë një raport dhe ky t’i shkojë ministrit.

Ky të dalë me vendim për licencat. Unë mendoj se regjistri elektronik kombëtar që thotë e nderuara profesorësh deputete LB, duhet të jetë për të evidentuar inxhinierin apo inxhinieren më të spikatur të brezit. Çdo brez ka një të tillë që mëson, punon dhe arrin më shumë në profesion. Mbi këta individë të spikatur duhet të investojë inxhinieria, sepse ky është një mekanizëm që rrit mundësinë të krijohet e prodhohet cilësi, por jo mekanizma të tjerë si UIP dhe UIH apo kushdo qofshin këta. Kjo mund të jetë një ide për të zhvilluar të gjitha fushat e jetës, përfshi identitetin kombëtar. Ecja para dhe edukimi kërkojnë kreativitet dhe dashuri, por jo instrumente ligjore, që nuk garantojnë as kreativitet dhe as dashuri për profesionistët e rinj.

Mendoj që matricat ofrojnë zgjidhje cilësore, aty vlerë kanë elementët e diagonales, plotësat dhe përcaktori. Projektdraftet e ligjeve për UIP dhe UIH nuk janë zgjidhje e integruar. Lënë shumë për të dëshiruar, nuk garantojnë sukses, ca më pak kreativitet dhe as pak jetëgjatësi profesionale.

Mendoj që është në nderin e Parlamentit të RSH ta ndalë këtë situatë lidhur me miratimin e UIP dhe UIH dhe të investohen kapacitetet e duhura njerëzore për të kërkuar zgjidhje cilësore, të integruara dhe kreative. Boll më me copy-paste që pasi miratohen, shndërrohen në vetë problemi fushës që rreken se do vetërregullohet, pas miratimit të urdhrit profesional.

Nuk besoj se jemi katandisur në republika që pasi e ka provuar dështimin për (k) urdhra profesionalë, i duhet me detyrimisht që ta provojë edhe për n=(k+1) të tillë!? Të jetë duke u përdorur induksionin matematik si metodë!? De-jure me ligje është jetëzuar një “godinë poliedike”, ku në çdo faqe është vendosur një urdhër i caktuar profesioni. Shkëlqen çdo faqe nga korrupsioni, por na i mungon themeli. Qofsha i gabuar dhe uroj të jem i tillë, por Urdhri i Profesionit të Inxhinierit do të shërbejë si i tillë dhe kryefaqja duket se do të jetë Urdhri i Inxhinierit Hidroteknik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura