“Gjyqi, si u ngrit skenari vrasës për inxhinierët e naftës”

Oct 8, 2014 | 15:16
SHPËRNDAJE

Nuredin Skrapari në gjyq, 1975
Flet Nuredin Skrapari, inxhinieri i grupit “sabotator të naftës”

Prapaskenat e Byrosë Politike dhe Enver Hoxhës me tragjedinë e inxhinierëve të naftës 1974-1988.

Ka hyrë në burg 32 vjeç, më 15 mars të vitit 1974 dhe vetëm shpresa e ka mbajtur gjallë se do të ishte një ditë sërish i lirë. Nuredin Skrapari është me profesion inxhinier nafte, bashkëpunëtor i punimeve shkencore, ish-i dënuar politik me 48 vite burg, nga të cilat kreu 16 vite e gjysmë.

Mbase do të kishte ndërruar jetë në qelitë e diktaturës, apo në tunelet e minierave ku bënte punë të detyruar, në rast se nuk do të kishte përfituar nga amnistia e 1990-s, që ishte sinjal i qartë i pragrrëzimit të sistemit komunist. Aktualisht është 75 vjeç dhe është ndër të paktët që janë gjallë nga grupi i ashtuquajtur “sabotatorët e naftës”, ku u godit elita e inxhinierëve shqiptarë. Nga viti 1974 e deri më 1986, dhjetëra inxhinierë nafte u persekutuan: me jetë (u pushkatuan Koço Plaku e Milto Gjikopulli), me burg, me internim-dëbim, pa llogaritur uljet në detyrë apo pasoja të tjera. Për të gjithë këta, Nuredin Skrapari ka përgatitur një libër, të cilin e ka akoma në dorëshkrim. Paraprakisht, ai zbulon për lexuesit e gazetës “Panorama” një pjesë të këtyre shënimeve, duke bërë shpjegime të hollësishme se çfarë ndodhi vërtet asokohe me “inteligjencën e naftës”, emrat e inxhinierëve që futën në kurth nga Enver Hoxha dhe të gjitha prapaskenat e vrasjeve dhe dënimeve të tyre, përfshirë vetveten – Nuredin Skraparin…

PJESË NGA DORËSHKRIMI I NUREDIN SKRAPARIT
Ndiej detyrim moral, unë ndër të fundit e “mohikanëve” (inxhinierët e mbetur gjallë nga tragjedia e persekutimit, shën.red), për të hedhur dritë për ato ngjarje drithëruese që nisën më 25 mars 1975, për barbarizmat serialë mbi inteligjencën e naftës, korifenjtë e gjeologjisë shqiptare. Mora përsipër të shkarkoj kujtesën time, këtë peshë të rëndë nga vetja, njëherazi të lë një “gjë” të shkruar për tragjedinë e inteligjencës së naftës. Unë, i ri, pata fatin e madh të punoja me ta, të mësoja prej tyre, të “hetohesha” me ta, dhe në gjyq u dënova me ta…

TRAGJEDIA E INTELIGJENCËS SË NAFTËS, IN MEMORIUM
Për inteligjencën e naftës, ndëshkimi filloi që në vitet e para të ardhjes në pushtet të komunistëve. Diktatori Enver Hoxha hapi portën e ferrit për ing. Riza Alizotin, i cili rivuri në shfrytëzim menjëherë pas luftës, vendburimin e Kuçovës. Rivuri në funksionim dhe dy rafineritë e vogla të naftës në Kuçovë, e thirrën në Kuvendin Popullor dhe e dekoruan “Për kontribut të çmuar në ringritjen e industrisë së naftës”. E dënuan me varje me “Grupin e deputetëve”, në tetor të vitit 1947 dhe e varën në mes të Kuçovës, tek një vidh (pemë drusore që për çudi ruhet edhe sot), që i ngjante një oktapodi. Natyra i kishte lënë një degë horizontale, ku armiqtë e intelektualëve (komunistët) do të lidhnin litarin e veprës makabre, pasi degët e tjera ishin të kreshpëruara. Komunistët i morën jetën prof. dok. Stanisllav Zuber, me puset që projektoi në Kuçovë në vitin 1928 dhe në Patos, në vitin 1942, nxori sasi të madhe nafte industriale.

(Dossierin e plote e lexoni sot ne gazeten Panorama)

ELISABETA ILNICA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura