Gjyqi për vrasjen e Pjerin Xhuvanit/ Gjykata rrëzon Prokurorinë e Elbasanit, deputeti Gazmend Bardhi nuk do të dëshmojë. Ende mister kush qëlloi në konfliktin e përgjakshëm

Mar 29, 2023 | 9:06
SHPËRNDAJE

Në Gjykatën e Elbasanit vijon gjyqi kundër Arbër Paplekajt, i cili është vënë nën akuzën e vrasjes së mjekut dhe aktivistit të Partisë Socialiste Pjerin Xhuvani dy vjet më parë.

bardhi e pjerin xhuvani

Prokuroria vijon me marrjen në pyetje të dëshmitarëve okular në vendin e ngjarjes, në atë ditë të 21 prillit, vetëm 4 ditë para se sa të zhvilloheshin zgjedhjet e përgjithshme në vend, të cilat jo vetëm përgjaken Elbasanin por edhe tronditen opinionin publik.

Ndërkohë që prokuroria i ka kërkuar gjykatës që në sallë të vinte për të dëshmua personi që drejtonte fushatën e Partisë Demokratike, ende as policia, as prokuroria dhe as Gjykata nuk i kanë dhënë përgjigje pyetjes themelore të asaj ngjarjeje të rëndë: kush qëlloi mbi dy personat, ishefektivë të Policisë që gjendeshin në të njëjtin mjet me Arbër Paplekajn, ish-specialin që u dorëzua në repartin e tij?

Mirëpo prej javësh, në Gjykatë kanë dëshmua një mori personash që kanë qenë në vendin e ngjarjes momentin kur ka ndodhur krimi. Prej këtyre dëshmitarëve gjykata ka urdhëruar prangosjen e dy prej tyre të cilët kanë kryer dëshmi të rreme, ndërsa procesi vijon vetëm me një të pandehur, edhe pse rezultoi se në vendin e ngjarjes u gjenden predha të dala nga tre armë zjarri! Edhe pse policia e Elbasanit, madje dy nëndrejtorët e asaj policie dhe një mori efektivësh të tjerë u gjendën aty në momentin e përplasjeve mes dy grupeve, ende sot e asaj dite mbetet mister se kush qëlloi mbi mjetin në të cilin gjendeshin personat e skuadrës së ruajtjes së votës.

Madje, nga krahu i militantëve të Partisë Socialiste të cilët u tha se ishin të shumtë në numër në momentin e përplasjes u arrestua vetëm një person, i cili më vonë rezultoi i pastër për hetimin dhe më pas për gjykatën e Elbasanit.

SEANCA

Numri 2 i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, nuk do të dëshmojë për vrasjen e eksponentit të Partisë Socialiste, Pjerin Xhuvani, pavarësisht se ishte i pranishëm në vendin e ngjarjes.

Prokuroria kërkoi në seancën e kësaj të marte të thirret në cilësinë e dëshmitarit, por Gjykata e Elbasanit e rrëzoi kërkesën. Sipas trupit gjykues, Bardhi mund të ishte thirrur më herët, por përderisa nuk është përfshirë në hetim, nuk do të thirret në këtë moment të gjyqit.

Bardhi, në atë kohë ishte drejtues politik i Partisë Demokratike për Elbasanin dhe ka qenë i pranishëm në momentin kur ndodhi konflikti i armatosur me pasojë vdekjen e Pjerin Xhuvanit.

Në bankën e të akuzuarve ishte ish-efektivi i RENEA-s, Arbër Paplekaj, i cili në zgjedhjet e 2021 ishte bërë pjesë e strukturës së mbrojtës së votës. Ai qëlloi Xhuvanin pas një konflikti mes militantëve të dy palëve për blerjen e votave. Pjerin Xhuvani mbeti i vrarë në Elbasan pasi u qëllua me armë nga Arbër Paplekaj, shoqëruesi i kreut të listës së Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

Nga ngjarja e 21 prillit, të plagosur mbetën edhe katër persona të tjerë, Emiljan Prenga, Pavlo Vuksani, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota (punonjëse e Policisë). Paplekaj pranoi krimin dhe u vetëdorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë duke thënë se qëlloi për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga persona që sipas tij po blinin vota.

Ngjarja zbuloi edhe skandalin e PD-së për ngritjen e një grupi të armatosur, të vetëshpallur Struktura për Mbrojtjen e Votës, ku një pjesë e mirë e anëtarëve të së cilës rezultuan persona të njohur edhe për strukturat ligjzbatuese në vend.

Këtë e bëri publik me zë dhe me figurë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi duke bërë me dije se Arbër Paplekaj që vrau Xhuvanin të paarmatosur, ishte pjesë e kësaj strukture.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura