Vrasja e Lamajt, pranohet si provë eksperimenti. Gjykata administron procesverbalin, rrëzoi alibinë e Frrokut

Mar 3, 2015 | 8:00
SHPËRNDAJE

Mes kundërshtish të forta, Gjykata për Krimet e Rënda pranoi dje si provë eksperimentin hetimor të 25 shkurtit, i kryer në funksion të procesit gjyqësor ndaj biznesmenit Arben Frroku.

Momenti i nisjes së eksperimentit

Para vendimmarrjes, trupi gjykues u përball me argumentet e avokatëve të të pandehurit, të cilët kërkuan deklarimin të pavlefshëm dhe të papërdorshëm të eksperimentit. Sipas avokatëve, gjatë eksperimentit Gjykata ka shkelur ligjin.

Mbrojtësit shfaqën kundërshti për shoferin e zgjedhur për faktin se, sipas tyre, automjeti i eksperimentit kishte pasur fenelina policie, shpejtësia “e çmendur” e lëvizjes dhe deri te mosfilmimi i eksperimentit nga Gjykata. Mbrojtësit shprehën gatishmëri për ripë- rsëritjen e tij.

Në ndryshim nga avokatët, përfaqësuesit e Prokurorisë mohuan pretendimet e mbrojtësve. Pjesë e debatit në sallën e gjyqit u bë edhe vetë i pandehuri, i cili kërkoi me ngulm që Gjykata të verifikojë qelizën e tij të telefonit, për të provuar që në momentin e ngjarjes ai ndodhej në Elbasan.

“Nëse provohet që s’kam qenë në Tiranë, po në prefekturën e Tiranës, unë e marr përsipër vrasjen”, tha i revoltuar nga kafazi i hekurt Frroku. Seanca e djeshme ndaj të akuzuarit si i përfshirë në vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, më 24 shkurt 2013, zgjati përtej orarit zyrtar të punës në Gjykatë

Arben Frroku në Gjykatë

DEBATI

Eksperimenti kohor, me qëllim verifikimin e kohës që i nevojitej një automjeti të ngjashëm, në kushte të ngjashme atmosferike, për të përshkuar aksin nga vendi i ngjarjes në pikëkalimin kufitar të Kapshticës, ishte kërkuar nga avokatët në proces.

Në seancën e djeshme ishin po avokatët, ata që kërkuan vlerësimin e tij si të papërdorshëm. Sipas avokatëve, Gjykata nuk kishte arritur të krijonte kushte të përafërta me ato të ditës së ngjarjes.

“Automjeti i eksperimentit ka pasur fenelinë policie, që janë mbajtur ndezur gjatë udhëtimit. Kjo ka bërë që të gjitha automjetet që haste para t’i jepnin përparësi kalimi”, tha avokati Genci Gjokutaj. Më tej, avokati, i cili ishte i pranishëm në eksperiment, tha se udhëtimi ka qenë një tmerr i vërtetë, për shkak se drejtuesi i jepte me shpejtësi 170- 180 km/h. Sipas tij, autovetura e eksperimentit nuk i kishte ndaluar katër postblloqeve policie.

“Bazuar në ligj, Gjykata duhet të urdhëronte fotografimin apo filmimin e eksperimentit”, vijoi mbrojtësi. Ndërsa, avokati tjetër, Tonin Prendi, në eksperiment nuk është marrë parasysh ndalesa gati 10-minutëshe që ka bërë Frroku ditën e ngjarjes për furnizim me karburant dhe kryerje nevojash personale gjatë rrugës.

Përfaqësuesit e Prokurorisë mohuan pretendimet e mbrojtjes. “I gjithë aksi është 190 km. Nëse do të ishte ecur me shpejtësi 180 km/ h do kishte mbërritur për gati një orë në Kapshticë, ndërkohë që automjeti arriti për 2 orë e 46 minuta”, tha prokurori Anton Martini. Sipas Prokurorisë, shpejtësia mesatare e lëvizjes së automjetit të eksperimentit ka qenë rreth 68.7 km/h.

FILMIMI 

Argumenti i Gjykatës, se mosfilmimi i eksperimentit nuk sjell papërdorshmëri të tij, nuk i bindi mbrojtësit, të cilët vetofruan pamjet. “Mund t’ju vëmë në dispozicion pamjet e regjistruara nga TV ‘News24’ me qëllim dokumentimin e asaj që pretenduam”, thanë avokatët.

Në seancën e radhës, më 4 mars, Gjykata pritet të shprehet dhe me kërkesën e avokatëve për të dëgjuar një prej bisedave telefonike të Arben Frrokut ditën e ngjarjes, të përgjuara nga Prokuroria.

Armand Bajrami  

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura