Gjykata e Apelit hedh poshtë kërkesën e Klement Balilit, do dënohet me 10 vite burg

Oct 17, 2019 | 14:31
SHPËRNDAJE

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka hedhur poshtë kërkesën e Klement Balilit për të fituar pafajësinë, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda.klement-balili-gjyq

Kjo e fundit e ka dënuar Klement Balilin me 14 vite burg, i cili për shkak të gjykimit të shkurtuar, do të vuajë 10 vite heqje lirie. Ndërsa në vendim, Gjykata e Apelit ka saktësuar që vuajtja e dënimit duhet të kryhet në një burg të sigurisë së lartë. Klement Balili e apeloi vendimin e Shkallës së Parë, duke kërkuar pafajësinë, me pretendimin se Gjykata nuk kishte prova kundër tij, por Apeli ka rrëzuar dje kërkesën e tij.

Ai akuzohet për “Trafik ndërkombëtar droge”, “Grup të strukturuar kriminal”, “Pastrim parash”. Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, në seancën e mëparshme, kërkoi 9 ditë kohë për të shpallur vendimin e formës së prerë për Klement Balilin. “Duke vërejtur se detajet e çështjes gjyqësore janë të shumta, këtij kolegji i nevojitet me tepër kohë nga dita e sotme dhe u vendos të shtyhet shpallja e vendimit”, tha kryesuesja e trupës gjyqësore, Saida Dollani.

Balili u gjykua në Apel nga trupa e drejtuar nga Dollani dhe me anëtarë Albana Boksin dhe Sokol Binajn. Më herët, avokati i Balilit, Sokol Hazizaj, dhe prokurori Altin Dumani u përballën sërish për provat në dosje, duke parashtruar pretendime të kundërta. Avokati Hazizaj kërkoi pafajësi për klientin e tij, duke pretenduar se Prokuroria nuk kishte provuar përtej çdo dyshimi se Balili ishte përfshirë në trafikimin e kanabis sativës drejt Greqisë.

“Prokuroria nuk identifikoi se nga janë kryer thirrjet në dy numrat grekë dhe ata shqiptarë që pretendohet se janë përdorur nga Balili”, tha Hazizaj në sallën e gjyqit. Ai shtoi më tej se organi i akuzës nuk ka kryer asnjë veprim hetimor për të konstatuar se në emër të kujt ishin të regjistruar numrat si dhe nuk ishte kryer ekspertimi i zërit.

“Si ka mundësi që në mungesë të këtyre elementëve të përcaktohet se është ai?”, iu drejtua Hazizaj trupës gjykuese, i cili e konsideroi vendimin e Shkallës së Parë si tej çdo vendimi racional.

Ai kundërshtoi akuzën e grupit të strukturuar kriminal, duke argumentuar se nuk mund të arrihej te kjo vepër penale nëse nuk identifikohej dhe specifikohej veprimtaria e Balilit, ndërsa kundërshtoi edhe akuzën e pastrimit të parave. Në fund, avokati Hazizaj tha se klienti i tij nuk ka qenë i proceduar më parë dhe se ka reputacion të mirë.

“Kërkojmë pushimin e çështjes ose ndryshimin e vendimit duke mos u njohur fajësia”, tha avokati Sokol Hazizaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura