Gjurmë Çamërie në Shkodër

Jul 18, 2020 | 13:53
SHPËRNDAJE

download (1)

Nga Pertefe Leka

Shqipëria natyrale në Europën e Bashkuar

“Uroj që bashkimi, zgjuarsia dhe veprimtaria e shqiptarëve, të mos lejojnë që vëmendja e paqëndrueshme e Evropës, të përqëndrohet gjetiu! Sot vitet vlejnë shekuj, historia ecën me hapa të shpejtë para syve tanë, kjo nuk duhet harruar.”

Dora D’Istria thirrje nga Çamëria.

Gjurmë Çamërie në Shkodër. Kushdo që ka vizituar qytetin e vjetër historik të Shkodrës është joshur nga çfarë natyra e ka stolisur. Në hyrje të pret kalaja hijerëndë, ku përpara syve të shfaqet Rozafa, që të krijon imazhin e një nuseje me tabaka në dorë, që të uron mirëseardhjen. Lumejtë, Drini dhe Buna që bashkohen pak metra larg kalasë e plotësojnë pejsazhin me ishujt plot gjelbrim, që lundrojnë në ate gjerësi ujore. Hija e Taraboshit që reflektohet në ato ujëra rrethues, merr ndriçim nga rrezatimi i valëve të Liqenit, duke i dhënë një forcë mbrojtëse.

Në hyrje nuk kanë mbetur shumë gjurmë nga qytetërimi i vjeter,(janë prishur gjatë periudhës së komunizmit) prap se prap në qendër të qytetit të Shkodrës ndeshesh me ndërtime të një arkitekture të stilit klasik, të trashëguar nga dora e artistit të madh shkodranë, Kolë Idromeno.

Dikur Pjaca e vjeter, sot Pedonale, është e shtruar me gur dekorativ, që krijojnë një mozaik të harmonishëm me ndërtesat karakteristike, në të dy anët e sheshit.

Arkitektura e Pjacës së vjetër nuk ka ndryshuar. Inxhinieri arkitekt, K.Idromeno, ka përshtatur stilin e ndertimeve veneciane, që i kanë rezistue kohës, duke ruajtur edhe sot autenticitetin. Në ate shesh të mirëorganizuar, është përfshirë edhe Muzeumi Kombëtar i Fotografisë Marubi, që mban koleksionin më të famshëm të fotografisë shqiptare që prej vitit 1865.

Si nxënës i Pjetër Marubit, në pikturë dhe në fotografi,edhe Kola djalë i ri e realizoi një studio të tillë, kur u kthye nga studimet nga Venecia.Ai hapi një Atelie Fotografie “Dritëshkronja e Kolës”, ku mori vlera si një artist gjithnjë në rritje.

Duke ecur në Pedonale të bie në sy ndërtesa e “Kafës së Madhe”, si lokali më atraktiv, po edhe kjo vepër e K.Idromenos, që të le përshtypjen sikur po kalon në një rrugë të vjetër vjeneze. “Kafja e Madhe” asht vendi më i preferuar për takimet e Shkodranëve, gjithashtu edhe për të huajt që vinin të vizitonin qytetin e lashtë të Teutës.

Emri i Kolë Idromenos është bërë i njohur më shumë me pikturat e famshme “Motra Tone” dhe “Dasma Shkodrane” që e identifikojnë lehtë emrin e autorit, si Mikelanxhelo i Shqipërisë. Të gjitha pikturat e tjera të Idromenos kanë vlera sepse secila ka veçantinë e vet artistike. Më pëlqen të veçoj pikturën “Oborri shkodranë” se më duket vetja si në shtëpinë time, sepse jam rritur në një mjedis të tillë me lule shumëngjyrëshe dhe pemë dekorative, ashtu siç i ka harmonizue me dorë të lirë, artisti i madh, në ate telajo. Në parajsën e gjelbrimit që rrethojnë pusin me gur të gdhendur ndihet edhe kënga dhe melodite që kompozitori Idromeno ia ka kushtuar luleve. Edhe lulet në ate oborr duket sikur këndojne, sepse ngjyrat i kanë dhënë muzikalitet atij pejsazhi. Nuk besoj të ketë një vend tjeter si në Shkodër që t’ju kenë kënduar me kaq pasion luleve; Karafilit e zambakut, lule borë e marangjylit, drandofiles e lule vjollcës … që personifikojnë bukurinë rinore, dashurinë e sinqertë, delikatesn njerëzore, shpirtin e pastër dhe fjalën e ëmbël . Në Shkodër edhe kur të shajnë të thonë ;

“T’ martë e mira ! “ose” Ta marrsha t’keqen”. E pra ky artist I madh, piktor, fotograf, kompozitor, arkitekt, asht Nikollë Kolë Idromeno (1860-1939). I lindur në Shkodër, por me origjinë nga Çamëria.

Familja e tij me origjinë nga Arvanitasit e ishullit Hidro të Greqisë, i përkisnin religjionit ortodoks. Ata erdhën në Shkodër nga Parga e Çamërisë. I jati, Arseni, ushtronte profesionin e marangozit, ku shpesh merrte edhe Kolën e vogël me prirje për të vizatuar, të zbukuronte orenditë që mbaronte.

Martesa e Kolës me vajzën qytetare, Roza Saraçi, e shkodranizoi edhe më shumë, u dha pas muzikës popullore, kompozimit dhe instrumentit. Merrte pjesë në ceremoni dasmash bashkë me motrën Tone e cila këndonte sikur të kishte mbaruar shkollë për kanto.( Shiko pikturën ‘Dasma Shkodrane” ) Më vonë vdekja e djalit të vetëm dhe e motrës Tone në moshë të re e pikëlluan thellësisht, por kurrë nuk u tërhoq nga rruga e një artisti patriot. Lidhjen me paraardhësit, Kolë Idromeno e ka paraqitur në pikturën “12 luftëtarët e Pargës në Lundër”.

Mendja menjëherë të shkon për të identifikuar trimat luftëtarë të Pargës dhe të mbarë Çamërisë. Lundra në vetvete mbart një histori sa heroike, aq edhe të dhimshme. Ata që ishin në lundër mund të ishin ortodoks shqiptarë, që u detyruan të largoheshin, sepse nuk pranonin të quheshin grek për hir të religjionit. Ata mund të ishin myslimanë shqiptar që ua mohonin nacionalitetin, tokën pasurinë dhe trashigiminë, për këte i zbonin me forcë nga vendlindja.

Në ate varkë mund të ishin edhe paraardhësit e Mitrush Kutelit të religjionit ortodoks, nga fisi i përmendur Kuteli nga Arta e Çamërisë që i përjetësoi në vargje biri i tyre, Dhimitër Pasko, duke ngritur zërin vendosmërisht : “Se jam këtu, kur s’kish njeri dhe as kufi, as fqinjëri…..Se ..

Nga një det në tjatrin det isha zot vetë… Unë jam këtu dem baba dem …M.Kuteli. Por të gjithë ata në lundër ishin luftëtarë shqiptarë, në përpjekje të përbashkët për të shpëtuar kombin nga pretendimet gllabëruese të fqinjëve. Ishin ata që bashkuan idealet dhe armët në “Lidhjen Shqiptare të Prizrenit “.Atje ku u bashkuan Abedin Dino i Prevezës, personalitet i përmasave mbarë kombëtare, me Daut Boriçin, kryetar i lidhjes së Prizrenit për Shkodrën, dijetar i shquar. Abdyl Frashëri me Hodo Sokolin, Hoxhë Hasan Tahsini i Çamërisë me Prengë Bib Doda ….Atje u bashkuan edhe dy më të rinjtë e kuvendit, Çami i ri nga Shkodra Kolë. Idromeno( 1860-1939) me Isa Boletinin e Mitrovicës,(1864-1916) për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë dhe dhënien e Çamërisë, Mbretërisë Greke.

Mbrojtjen e këtij pretendimi e deklaroi me forcë edhe Vaso Pashë shkodrani, i cili mund të ishte në lundrën e Idromenos së bashku me Abedin Dinon e Prevezës dhe Hoxhë Tahsinin e Ninatit të Camërisë.

Kur shkruante: “Qyshë prej Tivarit deri n’Prevezë //Gjithkund lshon Dielli vap’ edhe rrezë // Asht tok’ e jona prindtë na e kanë lanë // kush mos na preki, se desim ‘ tanë .”P.Vasa

Atje ku ishte Bashkimi Shpirtëror i Kombit, aty ishte Vaso Pasha. Që kur ishte I ri kishte luftuar me armë në dorë në Itali, krahas Garibaldit për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të Italisë. E me ate eksperiencë , si Mazzinian, luftëtar dhe idealist themeloi institucionin e tolerancës fetare, në funksion të bashkimit kombëtar me emrin “Feja e shqyptarit asht Shqyptaria” me të cilën nderohemi edhe sot me këte trashëgimi. Në nderim të ketij Apostulati, Shkodrani nuk u kursye për të vepruar në të gjitha drejtimet. Me dijetarin Hoxhë Hasan Tahsinin e Çamërisë etj .Në vitet 1860 me një grup intelektualësh, Zef Jubanin, Vaso Pasha e Hasan Tahsini ….organizuan kryengritjen antiosmane në Shqipërinë e Veriut, në Mirditë.( Për dijeni Hoxhë Hasan Tahsini kishte kaluar shumë vite në Shkodër, kur i jati ishte caktue si Myfti në qytetin verior dhe, Hasani, vazhdoi shkollën në Medresenë e Mustafa Bushatit, ku u bënë shokë me Daut Boriçin dhe të dy më vonë u bënë të përmendur për dituri.)

Përsëri ishin bashkë, Vaso Pasha, Hasan Tahsini, Abedin Dino, Sami Frashëri…. në shumë organizime.

Gjatë luftës Ruso-Turke, kur forcat greke zbarkuan nga Korfuzi në Sarandë, të mobilizuar nga Rusia në emër të Panortodoksisë dhe shqiptarët përjashtoheshin si subjet i së drejtës kombëtare, këta intelektualë luftëtarë, krijuan në Stamboll, komitetin për mbrojtjen e të drejtave kombëtare.

”Komiteti i Stambollit” ngriti në këmbë gjithë Çamërinë e Labërinë, në mbrojtje të territoreve shqiptare nga invazioni grek.

Vaso Pashë Shkodrani, kur ishte këshilltar pranë Valiut të kosovës me 1877, ishte ndër nxitësit kryesor me Hasan Tahsinin e Çamërisë, Abdyl Frashërin, Abedin Dinon e Çamërisë, ishin në krye të tubimit mbarë kombëtar, “Lidhja e Prizrenit “ me 1878.

Kështu ishin së bashku në krijimin e Alfabetit të gjuhës shqipe në Stamboll dhe në shumë aktivitete mbarëkombëtare. Nga shumë piktura të Kolë Idromenos,portreti i Angjelinës i vitit 1925, ruhet sot në Galerinë e Arteve. Angjelina ishte e bija e Anastas Papanikut, nga Parga e Çamërisë, si duket kishin ardhur në një kohë me familjen e Idromenos. A.Papaniku kishte “Kafe Adriatik”në pijacën e Shkodrës.

Në këte kafe, që vlonte ahengu shkodranë, punonte edhe Palokë Kurti,(1860-1920) të cilit ia kishin vra të jatin që kur ishte 3 vjeçar .Ishte rritur në jetimoren, drejtuar nga françeskani P.Tomë Markoçi, arbëresh, ku kishte marrë shumë dije muzikore prej tij. Për arsye ekonomike, e ëma e kishte dërguar të punonte te Kafja Adriatik, ku krijoi shoqëri me Gjonin, djalin e Papanikut. Vdekja në moshë të re e Gjonit e lidhi edhe më shumë me familjen e Çamëve.Më vonë u kurorëzua me martesen e Palokës me Angjelinen. Kështu, Palokë Kurti, u bë pjesë e familjes se Pargaliut. Në këte ‘Kafe’ iu rrit pasioni për muzikën popullore dhe evropiane, sepse aty ekzekutonin pjesë shumë italianë, që kishin ardhë pas bashkimit të Italisë 1860.

Me 1878, Giovani Canale, arbëresh, krijoi të parën orkestër frymore të qytetit e të gjithë Shqipërisë që përkoi me “Lidhjen e Prizrenit”, ku ndër shumë instrumentistët ishin edhe Paloke Kurti, Kolë Idromeno, Mati Logoreci ….Banda u bë e njohur me emrin “Daulla”, drejtimin e të cilës e mori pas dy vitesh P.Kurti duke e vënë ate formacion muzikor në shërbim të ” Lidhjes Prizrenit,” dega e Shkodrës, 1881.

Kjo ngjarje u kurorëzua me krijimin e Marshit,”Bashkimi i Shqypnisë”, për të cilën Kurti punoi shumë në ekzekutimin e kësaj vepre, duke e zgjeruar më vonë repertorin muzikor, me potpuri këngësh shkodrane, në koncertet në lulishtën e qytetit. Aktiviteti I Kurtit, si kundërshtar i pushtonjësve e bëri të kalonte në kalvarin e disa internimeve: Turqit e internuan për veprimtari patriotike në Diarbekir për 20 muaj.

Me 1916 trupat austro-hungareze e arrestuan dhe e burgosën bashkë me të birin Zefin në Grossau për një vit dhe trupat Franceze me 1919, e internuan në Korfuz. Aktiveti,muzikor e patriotik e bëri të njohur dhe e radhiti me rilindësit tanë të shquar. Bajram Curri e thirri Palokë Kurtin në Gjakovë, të

themelonte një bandë muzikore me marshe e këngë popullore. Enkas për Banden e Gjakovës, Palokë Kurti kompozoi:”Lamtumirë mori Jakovë”.

Kënget-arie, të P.Kurtit I përjetësoi e pavdekshmja Marie Kraja, Bik Ndoja…… Mos të harrojmë këngëtaren shkodrane aq të dashur, me origjinë nga Çamëria,Myfarete Laze,se sa bukur i ka përvetësue ato kengë duke i kënduar me mjeshtëri të lartë.

Djali I madh I Palokë shkodranit dhe I Angjelinës nga Parga, Lec Kurti, avancoi edhe më shumë Jo vetëm në muzikë por edhe në jetën politike e diplomatike. Përveç studimeve në Akademinë e arteve të bukura në Venecie, vazhdoi edhe për shkenca politike në Romë, kështu u bë diplomat i shtetit shqiptar, ku u emërua disa herë, konsull ne Bari, Athinë, përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë dhe ministër fuqiplotë i Mbretërisë Shqiptare në Londër. Pas pushtimit fashist, nuk pranoi t’i dorëzojë përfaqësuesit italian ambasadën, duke i bërë

apel -ndihmë qeverisë britanike, për mbrojtjen e Shqipërisë. Me thirrjen që i bëri Faik Konica, për të marrë kryesinë e Vatrës, qëndroi për pak kohë sepse u kthye në Shqipëri, ku iu bashkua frontit të rezistencës me Mit-hat Frashërin, Abaz Ermenji, Fuat Dibra….Me nënën nga Parga e Çamërisë, Lec Kurti, ishte akoma më i zjarrtë për bashkimin e trojeve shqiptare të marrura padrejtësisht.

E zgjodhen nënkryetar të përgjithshëm të Ballit Kombëtar dhe kryetar për Ballin Kombëtar të Shkodrës.

Sipas disa të dhënave të nipit tij Albert Kurti, dhe studiueses Prof.Z. Shuteriqi: Lec Kurti është i pari kompozitor profesionist në historinë e muzikës shqiptare dhe i operas së parë “Arbëresha” nga e cila kanë mbetur vetëm pak fashikuj. Përveç shumë kompozimeve kurrë nuk do të harrohet “Hymni i Flamurit” 1913 i kompozuar prej tij me tekst të Gjergj Fishtës ,”Porsi feja e Ejllit t’Zotit “…….etj.

Si poet e përkthyes zë një vend të merituar në letërsinë shqipe por nuk është kujtuar gjatë diktaturës prej aktivitetit tij politik. Martesa e prindërve të tij Palokë Kurti me bijën e Çamërisë, Angjelina Papaniku, qe e suksesshme, por Lec Kurti vdiq jashtë Shqipërisë me andrrën e parealizuar për Bashkimin e Trojeve Shqiptare.

Edhe Faik Konica, (1875-1942) i ndaluar nga diktatura, ka lënë gjurmë në Shkodër, për të cilën shkruan: “Shkodra është pothuaj vendi më interesant i Shqipërisë së sotme, argjendarët dhe punëtorët e tjerë të saj janë të famshëm në gjithë Europën e jugës dhe të Lindjes.” Mësimet e para I mori në vendlindje, Konicë,që i përkiste Vilajetit të Janinës, dhe me pas në Shkodër, ku ndoqi kolegjin Saverian të Jezuitëve, ku përvetësoi shumë gjuhë të huaja: italisht, latinisht, frengjisht, gjermanisht…Me bazat që mori në Shkodër, vazhdoi studimet në universitetet më të njohura: Paris, Dizhon, Stamboll, deri në Harvard të Bostonit, ku formimi I tij si gazetar, albanolog, opinioninst, botues e diplomat e radhitën ate në një nga njerëzit më të ditur të kulturës shqiptare. Botimi i revistës “Albania” në Bruksel,1897, ku botonte here pas here edhe dokumente veneciane që lidheshin me Shqipërinë (nga hulumtimet 5 vjeçare që kishte bërë në Muzeumin Britanik ) e cilësuan si themeluesin e kritikës letrare.

Vitet në SH.B.A. 1909-1913 ku merr në dorëzim prej Fan Nolit redaksinë e gazetës Dielli dhe më vonë kryeredaktor i saj, qenë rezultative se përveç botimeve bashkoi të gjitha shoqëritë kulturore rreth Vatrës. Misioni i tij politik si kryetar në “Kongresin e Triestës” Shkurt, 1913, ku morën pjesë nga të gjitha kolonitë shqiptare, ishte përpjekja më e madhe për bashkimin kombëtar kundër copëtimit të Shqipërisë dhe rreziqeve që po i kanoseshin. Karrierën e tij si veprimtar politik me prirje përendimore, e mbylli si ambasador i Shqipërisë në Sh.B.A.

Si “nxënës i përjetshëm”, siç e quante veten Konica, mësimet e tij janë aktuale edhe për ne sot.

Edhe vajzat shkodrane, edhe Zef Jubani, edhe Pashko Vasa, nderojnë bijën e Çamërisë, Elena Gjika.

Një personalitet i shquar i kulturës dhe historisë shqiptare, që e nderon qytetaria

Shkodrane.. Një dijetare e njohur në të gjithë Evropën e deri në Amerikë, është Princesha Rumune, Dora D’Istria, me origjinë shqiptare, me nënë nga Çamëria. Më pëlqen të zgjatëm me Këte figurë sepse i bën shumë nder Kombit tonë jo vetëm, si grua e vitytshme por edhe për mësimet këshilluese që ka lënë, të cilat i kanë rezistue kohës dhe jane aktuale për politikën evropiane, pjesë e së cilës jemi edhe ne.

Ajo është e afirmuar si shkrimtare, publiciste, shkencëtare e nivelit botëror. Personaliteti më në zë që ka pasur historia jonë e cila kishte lidhje me njerëzit më të shquar si De Rada …..Ajo dha një kontribut të çmuar edhe për ”Lidhjen e Prizrenit”.

Ajo nga studimet e folklorit shqiptar nxori veprën “ Kombësia shqiptare sipas kengëve popullore “ 1866. Ajo që ngriti zërin për emancipimin e gruas shqiptare dhe të kombësive të tjera. Gruaja më e shquar e shek.19 dhe e të gjithë kohërave, me një zemër fisnike, një mendimtare rigoroze e nivelit më të lartë intelektual.

Ajo la porosi të vyera për zgjidhjen e problemeve kombëtare.

“ Përpjekjet që do të bëjnë shqiptarët, për të krijuar bashkimin e tyre intelektual, shkencor e moral, është baza e bashkimit politik, ata që do të kryejnë këte vepër do të hedhin themelet e Shqipërisë së ardhshme “

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura