Gjuetia me dinamit largon peshkun nga Adriatiku

Sep 30, 2013 | 12:30
SHPËRNDAJE

Peshkatari Vladimir Kume
DURRES – Gjuetia e paligjshme dhe përdorimi i dinamitit ka larguar peshkun nga brigjet e Adriatikut. Peshkatarët sportivë të Durrësit japin alarmin për rrezikun dhe pasojat e gjuetisë së peshkut me lëndë plasëse, duke kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të Policisë Kufitare, Mjedisorëve dhe institucioneve të tjera që përgjigjen për zbatimin e ligjit në këtë fushë. Vladimir Kume, i cili ushtron aktivitetin në fushën e peshkimit prej më shumë se 40 vitesh, shprehet se gjuetia e paligjshme me dinamit po largon dita-ditës peshkun nga brigjet e Adriatikut, ndërsa kërkon të merren masa urgjente nga strukturat përkatëse. “Gjuetia me dinamit dhe me lëndë të tjera plasëse po largojnë çdo ditë e më shumë peshkun nga brigjet e Adriatikut. Strukturat përkatëse që kanë kompetencë për këtë punë, duhet të marrin masa urgjente për parandalimin e kësaj lloj gjuetie një orë e më parë, pasi në të kundërt, pasojat do të jenë vërtet të mëdha”, shprehet Kume. Peshkatarët durrsakë, të cilët peshkimin e shikojnë si mënyrën e vetme për të siguruar të ardhura për të mbajtur familjet e tyre, shprehen se kohët e fundit peshku është larguar dhe se me gjahun që arrijnë të sigurojnë, nuk mund të nxjerrin as shpenzimet e tyre. “Siç e shikoni edhe vetë, i kemi hedhur rrjetat që nga pasditja e djeshme dhe nuk kemi kapur asnjë peshk. E njëjta punë është përditë. Peshku është larguar, pasi persona të papërgjegjshëm përdorin dinamit, i cili është armiku kryesor”, shprehet Vladimir Kume. Ladi, së bashku me ortakun e tij Lilin, dalin thuajse çdo ditë për peshkim, pasi përveç hobit, peshkimin e shikojnë si një mundësi për të mbajtur familjen e tyre me të ardhurat që fitojnë nga ky aktivitet. Ata e lidhin largimin e peshkut me disa shkaqe: nga trembja e shpërthimeve të dinamitit, inertet e hedhura në det, si dhe ngrohja globale, ku disa lloj peshqish kërkojnë ujëra të ftohta dhe si pasojë shkojnë në thellësi të detit, duke u larguar ndjeshëm nga bregu. Peshkatarët kërkojnë të merren masa urgjente për ndalimin e gjuetisë së peshkut me lëndëve shpërthyese. Përgjatë bregdetit të Durrësit, nga Golemi deri në Rodon ushtrojnë aktivitetin e tyre mbi 30 grupe peshkatarësh sportivë, të cilët gjuajnë në afërsi të brigjeve deri 2 milje larg. Ata peshkojnë me barka me rrema, ose me motorë të fuqisë së ulët.                              l.m

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura