Gjoba 3.6 milionë euro ndaj “Birra Tiranës”, Gjekmarkaj: Lajm i keq për klimën e biznesit

Mar 15, 2023 | 8:21
SHPËRNDAJE

Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, e ka cilësuar një lajm të keq për klimën e biznesit vendosjen e një gjobe 3.6 milionë euro “Birrës Tirana”.

gjekmarkaj

Në një postim në faqen e tij në rrjetet sociale, Gjekmarkaj shkruan se kjo “gjobë edukative” ka ardhur për shkak të linjës editorale të mediave “News 24”, “Balkanweb” dhe “Panorama”.

REAGIMI I GJEKMARKAJT

“Gjoba e rëndë mbi fabrikën e ‘Birrës Tirana’ në pronësi të Irfan Hysenbelliut në Tiranë është një lajm i keq për klimën e biznesit, për prodhimet ‘made in Albania’, një lajm i keq për qindra punëtorë, të cilët rrezikojnë vendet e punës ne rast se kjo fabrikë shtyhet drejt mbylljes në pamundësi të përballimit të një gjobe të tillë. Tregu i punës në Shqipëri nuk ka stabilitet dhe njerëzit emigrojnë teksa edhe aty ku ka siguri vepron represioni selektiv. Zbatimi i ligjit në një vend demokratik është pikë së pari detyrë e shtetit, e administratës, e biznesit, e qytetarëve e kështu me radhë.

Në vendet e zhvilluara shteti ndërhyn kur bizneset që ndikojnë në mirëqenien sociale janë në rrezik jo më ti rëndojë si në këtë rast si ky ku përfaqësuesit e kësaj kompanie pretendojnë që nuk kanë kryer shkelje. Me dhjetëra herë shteti italian ka ndërhyrë që ‘Fiat’ të mos falimentojë e as të largohet nga Italia. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, as Irfan Hysenbelliu, por as nën të. Një ndërtues në Tiranë ndërton kate pa leje, e për të mbyllet një sy.

Zhbalancime kësisoj krijojnë dy standarde dhe mbi të gjitha tendencë. Zbatimi i ligjit dhe tendenca kundërshtojnë njëra tjetrën. Lidhja mes këtij biznesi dhe medias ‘News 24’, ‘Panorama TV’, ‘Balkanweb’, ‘Gazeta Panorama’, ‘Gazeta Shqiptare’, me linjë editoriale kritike me qeverinë e komprometon edhe më shumë këtë ‘gjobë edukative’. I bëj thirrje qeverisë dhe administratës si shkop në duart e saj të kthehet tek arsyeja, te mbështetja ndaj biznesit duke tejkaluar gjuhën e forcës, këtë gjuhë primitive që rri si vragë në fytyrën e demokracisë shqiptare”, shkruan Gjekmarkaj.

INDINJATA E PUNONJËSVE

Sulmet e vazhdueshme nga Drejtoria e Tatimeve po çojnë birrën drejt falimentit, duke lënë punëtorët pa paga prej katër muajsh. Janë afro 300 persona, kryefamiljarë që punojnë prej dekadash në Birrën Tirana e në asnjë moment nuk janë përballur me një situatë të tillë, të paprecedentë. Këta të fundit dolën dje në shenjë proteste, duke i kërkuar qeverisë të rishikojë vendimin. Administratori Adrian Kostaqi tha se janë të hapur dhe se do të bënin gjithçka që kjo padrejtësi të zgjidhet dhe të vendosen para çdo lloj Komisioni. Por nga ana tjetër, edhe Tatimet të marrin përsipër përgjegjësinë që iu takon. “Punonjësit janë mbledhur këtu.

Kemi marrë një gjobë në shumën 3.6 milionë euro, që është e frikshme. Si pasojë e kësaj gjobe jemi detyruar të ndërpresim prodhimin. Ne nuk kërkojmë asnjë gjë, veçse të drejtën. Ne jemi shumë të hapur për çdo dokumentacion teknik dhe financiar, por kjo gjobë është e padrejtë.

Të gjithë punonjësit më njoftuan se do t’i dërgojnë një letër të gjitha institucioneve shtetërore, Presidentit, Kryeministrit, Ministrisë së Financave, kryetares së Kuvendit, Grupeve Parlamentare që të mblidhen dhe të krijojnë një grup ekspertësh dhe në prezencës e Komisionit të Financave dhe Komisionit të Ligjeve le t’i shqyrtojnë kush është motivi që bëhet kjo përllogaritje e gabuar në mënyrë që ne të lirohemi nga kjo barrë e rëndë dhe punëtorët të kthehen në vendet e tyre të punës”, deklaroi Kostaqi, duke shtuar më tej se ky biznes gjatë kohës së pandemisë nuk ka marrë asnjë ndihmë nga shteti dhe të gjithë punonjësit janë paguar. Ajo që po ndodh aktualisht është e paprecedentë. “Prej 4 muajsh, prodhimi është ndërprerë, por i kemi paguar dhe po përgatitet të paguajmë dhe pjesën tjetër. Ne mbajmë përgjegjësi ligjore në rast se kemi bërë shkelje. Por, nëse është bërë me dashje dhe kanë abuzuar me të drejtat e tyre, atëherë edhe ata duhet të mbajnë përgjegjësitë e tyre”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura