Gjiknuri në Marinzë: S’ka vend për panik, kompania të dëmshpërblejë banorët

Apr 1, 2015 | 16:31
SHPËRNDAJE

Shpërthimet në puset e naftës këtë të mërkurë kanë çuar ministrin e Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri paradite në fushën e Patos Marinzës në Fier për të ndjekur nga afër situatën e krijuar dhe punën e strukturave shtetërore në menaxhimin e saj. Në një deklarat për mediat ministri nënvizoi: 

Ministri Damian Gjiknuri ne Patos Marinze, pas shperthimit te puseve te naftes kete mengjes

“Prioriteti ynë kryesor mbetet jeta e qytetarëve. U informova se evakuimi është i plotë dhe nuk ka asnjë rrezik për jetën e tyre. Nga të dhënat e para të ekspertëve rezulton se gazi i rrjedhur nuk është helmues, nuk është nga ato gazra që mund të shkaktojnë shpërthime. Kjo është diçka e rëndësishme pasi bën që rreziku të jetë sa më i vogël”,- tha ai. 

Sipas Gjiknurit, këto janë fenomene që ndodhin në fusha të naftës por me rëndësi është që autoritetet shtetërore dhe kompania të bëjnë punën e duhur. 

“Mbi të gjitha kompania e cila ka përgjegjësinë kryesore që përmes masave të posatshme të ju përgjigjet këtyre të papriturave që ka sektori hidrokarbur. Nuk ka vend për panik. Jam këtu për të garantuar se qeveria shqiptare ka gjitha strukturat në dispozicion dhe po i kërkon kompanisë që ka të gjitha kapacitetet të kryejë të gjitha operacionet e duhura që rreziku të shmanget sa më shpejt”, theksoi Ministri Gjiknuri. 

Pas vizitës në terren, Ministri mblodhi në një takim në zyrat e Albpetrolit, Prefektin e Qarkut të Fierit, përfaqësuesit e kompanisë Bankers Petroleum, përfaqësuesit e pushtetit lokal dhe drejtuesit e emergjencave civile. 

Gjatë këtij takimi, Ministri kërkoi marrjen e masave për të tejkaluar sa më shpejt situatën dhe mundësuar kthimin e sigurtë të banorëve në shtëpitë e tyre. Ndërkaq, ministri kërkoi që pas tejkalimit të rrezikut, kompania sëbashku me Prefekturën të bëjnë një evidentim të pasojave të shkaktuara dhe të merret përsipër prej saj dëmshpërblimi i banorëve. Kompania Bankers Petroleum, e cila ushtron aktivitetin në këto puse ka aktivizuar planin e emergjencës që në orët e para të së mërkures ndërsa strukturat e shtetit janë vënë plotësisht në koordinim për shmangien e çdo rreziku për jetën e banorëve të cilët janë evakuuar plotësisht.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura