Gjendet e vdekur nga një plumb 67-vjeçarja

Jul 31, 2014 | 12:00
SHPËRNDAJE

PESHKOPI – Një 67-vjeçare humbi jetën nga plaga që mori nga një armë zjarri. Ngjarja e rëndë ndodhi dje paradite në fshatin Grevë të komunës Melan, në rrethin e Dibrës. Sulbie Dyfeku mbërriti e pajetë në spitalin e Peshkopisë, ndërkohë që policia nisi menjëherë hetimet për zbardhjen e ngjarjes. I pari është shoqëruar nipi i Dyfekut, djali i vajzës së Sulbies, të cilin ajo e ka rritur që në moshën njëvjeçare, bashkë me nënën e tij. Pjesëtarë të grupit hetimor sqaruan se viktima është gjetur në njërën nga dhomat e shtëpisë së saj, në afërsi të oxhakut, në gjendje kritike për jetën.  “Nipi i viktimës i tha grupit hetimor se gjyshja e tij ka vrarë veten me një armë zjarri, tip pushkë 10-she. Sipas tij ajo është vetëvrarë, por nuk përmendi shkaqet që e çuan të ndërmarrë këtë akt”, thanë efektivë të Policisë, që nisën pak orë pas ngjarjes shoqërimet e personave të dyshuar për vrasjen e Sulbie Dyfekut. Trupi i viktimës është dërguar në morgun e spitalit dhe mjeku i ekspertizës ligjore ka kryer të gjitha hetimet për ngjarjen. Gruaja ka marrë një plagë në qafë, e cila ishte vdekjeprurëse. Policia e Dibrës tha dje se të gjitha të dhënat flasin për një vetëvrasje nga ana e 67-vjeçares për motive që ende nuk dihen. h.p

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura