Gjekmarkaj boton shkrimet “reaksionare” për letërsinë

Oct 28, 2016 | 8:47
SHPËRNDAJE

“Në disa faza të shkollimit tim më kanë shoqëruar konceptet përparimtare dhe reaksionare. E vetëkuptueshme që reaksionarët na servireshin si dreqi me brirë, si armiq të Shqipërisë, si armiq të humanizmit dh të njeriut. Mbaj mend se në vogëli dhe adoleshencë, një zemërim i brendshëm na kaplonte sa herë shqiptonim këtë term. Por ishim me fat se dikush kishte menduar për ne dhe na kishte çliruar prej tyre, ama duhej të ishim vigjilentë dhe t’i urrenim me të gjithë forcën e emocioneve dhe vibrimin e zërit. Në çdo fushë të jetës, kjo dikotomi ishte prezente”.

gjek

 

Pas thyerjes së madhe, ai do të kuptonte se të qenët “reaksionar” nuk ishte edhe aq keq, madje, do të kishte qenë shumë mirë po të kishte qenë pjesë e tyre, anipse gjatë viteve të diktaturës ata konsideroheshin “armiq të popullit dhe partisë”.

Brenda kësaj familjeje “reaksionarësh” hynte kleri i të gjitha besimeve, por mbi të gjithë, ai katolik, përfshiheshin elita intelektuale e viteve ’30, familje të mëdha, kishte ndër ta firmëtarë të Pavarësisë, ishqeveritarë e vetë familja mbretërore… por edhe shumë shkrimtarë, leximi i veprave të të cilëve do t’i hapte një dritare tjetër, që do ta bënin t’i donte këta reaksionarë, t’i studionte ata dhe të dëshironte të ishte një prej tyre.

Ndaj edhe ai është vetëquajtur “Reaksionari”. Kështu e ka titulluar librin e tij Agron Gjekmarkaj, një botim i shtëpisë botuese “Fishta”, një përmbledhje shkrimesh kritike e analiza, kryesisht me karakter letrar.

Kopertina
Kopertina

Ndonëse viteve të fundit Gjekmarkaj ka krijuar profilin e një analisti politik, raporti që ai ka me letërsinë është i pandryshueshëm dhe i pazëvendësueshëm. Interesi i tij për letërsinë mbetet primar, edhe pse problematika e ditës, ajo me karakter politik, etik, social, nuk mund ta lerë indiferent.

E ndërsa analistin politik ia ka lënë më së shumti faqeve të shtypit të përditshëm, e konkretisht gazetës “Panorama”, këtë libër ia ka kushtuar letërsisë. Janë shkrime, të botuara më herët në faqet e “Panoramës”, por edhe të tjera, që shohin dritën e botimin për herë të parë.

Ndaj edhe në këtë përmbledhje gjejmë si shkrime të karakterit akademik, ashtu edhe të një natyre më divulgative, që i drejtohet një lexuesi më të gjerë se ai i auditorëve, studiuesve apo studentëve të letërsisë. Ashtu siç e dikton edhe titulli i librit, ka diçka prej reaksionari në çdonjërën prej trajtesave të tij, kjo sepse objekt i tyre, është më së shumti vepra e ish-reaksionarëve të dikurshëm.

Por tashmë ai është i lirë të flasë për ta, pa pasur drojën e “përparimtarëve”. Vepra e At Zef Pllumit, me të cilin Gjekmarkaj ka më shumë se një lidhje shpirtërore, zë një vend të dukshëm në analizat dhe refleksionet e tij, për të vijuar me të tjerë reaksionarë, si Mustafa Kruja, At Daniel Gjeçaj, At Gjergj Fishta, Sami Repishti, At Zef Valentini etj. Një “reaksionar” në llojin e vet është edhe Ismail Kadare, ndaj veprës së të cilit Gjekmarkaj është gjithnjë i vëmendshëm.

Një kapitull i rëndësishëm i librit është ai me kritika ndaj veprave të shkrimtarëve bashkëkohorë, si Parid Teferiçi, Agron Tufa, Lazër Stani, Besnik Mustafaj, Ben Blushi, Gentian Çoçoli, apo edhe veprave me karakter studimor, si në rastin e Sabri Hamitit apo Dhurata Shehrit.

Të një karakteri tjetër janë veprat “Skënderbeu” i Aurel Plasarit, “Jeta që na dhanë” e Bardhyl Londos, apo edhe rrëfimet e avokat Ngjelës, ndaj edhe Gjekmarkaj i trajton si fenomene të mëvetësishme në një kapitull që lidhet me heroin, deheroizimin apo rebelizmin.

Larg interesit të tij nuk qëndrojnë edhe veprat me karakter historik, por as ato që si mjet nuk përdorin fjalën, të cilat më shumë se të tilla janë fenomene kulturore, si vepra e piktorëve Lin Delija, Alush Shima apo këngëtari lirik Lluk Kaçaj.

Të shkruara në kohë të ndryshme, të nxitur nga situata apo edhe qoftë dalja e një titulli të ri, Gjekmarkaj i mbledh të gjithë nën një çadër, sepse siç thotë vetë ai, leximet ngjajnë rastësore, por nuk janë të tilla, nxisin njëri-tjetrin, “ti e ndien që duhet të rrinë bashkë, pa kërkuar shumë arsye shpjeguese”.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura