Gjashtë artistet kosovare: Femra është shënjestër

Mar 24, 2015 | 23:19
SHPËRNDAJE

Katër nga artistet pjesëmarrëse në ekspozitë

“Femra është mbretëreshë e botës, por skllave e dëshirave …Vetëm gruaja mund të qajë dhe të qeshë për të njëjtën arsye. Ne jemi ato…”. Kështu shprehet Buqe Berisha, regjisorja kosovare që tashmë publiku shqiptar e njeh edhe si piktore.

Ajo është një nga 6 artistet kosovare pjesëmarrëse në ekspozitën “Unë jam – It’s me”, e hapur mbrëmjen e së dielës në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Ndonëse i përkasin zhanreve të ndryshme artistike, me mbështetjen e “Art& trashëgimi”, MHK dhe Ambasadës së Kosovës në Tiranë, gjashtë artistet nga Kosova, Zake Prelvukaj, Buqe Berisha, Eliza Hoxha, Mjellma Garanci Firzi, Arlinda Harjullahu dhe Blerta Surroi janë bërë bashkë për të përcjellë disa mesazhe të rëndësishme. Duke vënë në qendër të punëve të tyre kryesisht figurën femërore, ato kërkojnë t’i thonë “Stop skllavërisë bashkëkohore.

Duke qenë dëshmitare të ndikimit direkt të materiales (parasë dhe pushtetit) në degradimin e moralit shoqëror, ne njëkohësisht mbështesim dhe atakojmë segmentin femër. Misioni i dytë, por jo më pak i rëndësishëm është përmirësimi i imazhit të kosovares jashtë Kosovës, ku pashmangshëm kontribuon në përmirë- simin e imazhit të tërësishëm të Kosovës”.

Dhe këtë nuk e bëjnë vetëm në Tiranë, pasi “Unë jam” është një ekspozitë shëtitëse.

EKSPOZITA

Qasja e tyre ndaj artit është e ndryshme. Njëra është regjisore, një tjetër arkitekte, skenografe, piktore, punuese qeramike, aktore. Veç pasionit për pikturën, ato i ka bashkuar edhe një tematikë e përbashkët, ajo e figurës së femrës. Në telajot e artisteve, ato nuk janë thjesht të brishta, të bukura, qafëholla dhe sytrishta. Ato janë shënjestra dhune fizike, seksuale, psikologjike… çka e ka shfytyruar bukurinë e tyre natyrale.

Kështu, nëse për skenografen Mjellma Goranci Firzi, pedagoge në Fakultetin e Arteve, Prishtinë, jeta është thjesht e bukur dhe këtë ajo e shpreh në kolazhet e saj përmes një paralelizmi që bën mes gruas dhe luleve, duke u veshur ngjyra të ndezura, për piktoren dhe kritiken e artit, Zake Prelvukaj, po ashtu pedagoge në FA, “ajo është shënjestër, truni ynë duhet të jetë i programuar t’i ndihmojë”. Femrat e Prelvukajt të pështjellojnë. Ato nuk janë thjesht portrete, ato janë gjendje. Arkitektja Eliza Hoxha i afrohet kësaj teme përmes fotografisë.

Një seri abstraksionesh, që sipas saj bëjnë jetën, që vijnë si një interpretim vetanak ndaj gjithë stimulimeve të jashtme. Ndërsa për menaxheren dhe dizajneren Arlinda Hajrullahu, gruaja për asnjë moment nuk duhet të harrojë se është një trung e nuk duhet të bëhet një degë, sepse sipas saj, kështu, ajo do të thyhet.

“Së bashku konkluduam se ky diversitet mediumesh artistike do ta bënte më tërheqëse ekspozitën, kështu do të fuqizohej edhe më shumë zëri dhe mesazhi që do ta bartim. “Unë jam” u lind si fryt i mendimit tonë të përbashkët rreth dilemës së kamotshme të kesh apo të jesh, zotërimit dhe ekzistencës. Është evidente se dilema jonë rreth kahjes që ndjekim në jetë është zgjidhur tashmë përmes të të vepruarit tonë, meqë “Të veprosh do të thotë të ekzistosh” – Lao-Czi, por këtë do të donim ta përcillnim kudo rreth nesh, përmes mesazheve që japim me krijimet tona artistike”, shprehen pjesëmarrëset në ekspozitë.

Sipas tyre, mesazhi thelbësor i ekspozitës së tyre përmblidhet me një fjali të vetme:

“Nuk është e lehtë të arrish të thuash, por duhet të thuash “UNË JAM”, sepse ti ekziston. Ekzistencën tënde e ilustron më së miri veprimi yt, përgjegjësia ndaj veprimit tënd, si dhe përgjegjësia ndaj rrethit social”.

ALMA MILE 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura