Gërdeci, Spahiu: Jam i pafajshëm

Jan 31, 2012 | 14:47
SHPËRNDAJE

Nga gjyqi i Gerdecit

Shpëtim Spahiu: Reparti i Gërdecit na ishte hequr nga përgjegjësia e administrimit, e mori MEICO

Ish-komandanti i Forcës së Bashkuar: Njoftuam për rrezikun

Shpëtim Spahiu, ish-komandant i Forcës së Bashkuar, gjeneral majori i akuzuar për “shpërdorim detyre” në dosjen “Gërdeci”, paraqiti dje para Gjykatës së Tiranës argumentet e tij mbrojtëse. Spahiu e deklaroi veten të pafajshëm dhe kërkoi drejtësi para gjykatës. Në një material prej 48 faqesh, të mbushur me nota njerëzore dhe citate nga romane apo filma me protagonistë ushtarakë, i pandehuri Spahiu e konsideroi absurde akuzën e ngritur ndaj tij nga Prokuroria. “Unë ende nuk e kuptoj se ku qëndron përgjegjësia ime për shpërthimin e Gërdecit”, tha gjeneral Spahiu, ndaj të cilit Prokuroria ka kërkuar 8 vjet burg në pretencën e akuzës. Sipas tij, Komanda e Forcës së Bashkuar kishte detyrën e lëvrimit të municioneve dhe lidhjen e kontratës për tokën e punishtes konform urdhrave dhe autorizimeve të Ministrisë së Mbrojtjes, gjë që, sipas Spahiut, e kishte plotësuar në mënyrë korrekte. Por, sipas tij, “KFB nuk kishte asnjë detyrë kontraktimi, monitorimi, mbikëqyrjeje, apo kontrolli mbi të”.
Mbrojtja e gjeneralit
Para tre gjyqtarëve të dosjes, i pandehuri Spahiu argumentoi se kjo ndodhte pasi Ministria e Mbrojtjes e kaloi këtë objekt në përdorim të subjektit privat. Njëkohësisht ai tha se vlerësimi i KFB-së për eprorët mbi rrezikshmërinë e Gërdecit kishte rënë në vesh të shurdhët. “Në momentin kur Ministria e Mbrojtjes e kaloi këtë objekt në përdorim të një subjekti privat SAC e MEICO, KFB kërkoi te eproret e vet që: Së pari, ky vend paraqiste probleme për ngjarje të jashtëzakonshme dhe se dyti, kjo pronë të hiqej nga administrimi i reparteve vartëse të saj. Kërkesa e parë ra në vesh të shurdhët, ndërsa e dyta ndodhi. Më datë 25.10.2007, Forca Ajrore (vartëse e KFB-së) e dorëzoi pronën te ndërmarrja MEICO, duke shkëputur kështu të gjitha lidhjet dhe përgjegjësitë për administrimin e saj. Pra, pas kalimit kapital të kësaj prone, për KFB-në ai nuk ekzistonte më te njësitë e vartësisë në kuptimin administrativ”, u shpreh Spahiu. Sipas tij, më vonë, për shkak të një urdhri të mëvonshëm të Ministrisë dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, KFB-ja u ngarkua që në bashkëpunim me MEICO-n “të bënte ruajtjen e jashtme të këtij objekti, i cili ndërkohë kishte ndërruar administrator”. Në vijim, duke cituar versionin e Prokurorisë se shpërthimi i Gërdecit ishte aksidental, gjenerali u shpreh: “Në këtë rast unë kam të gjithë të drejtën e ligjit, të logjikës e të Zotit të pyes e të pyes: A ka ardhur shpërthimi si pasojë e mungesave në ruajtjen e jashtme?”. Në përfundim të konkluzioneve të tij mbrojtëse, gjeneral Spahiu nuk pretendoi shprehimisht pafajësi para gjykatës, por vetëm i kërkoi asaj drejtësi. “E vetmja gjë që mund të kërkoj është drejtësia. Drejtësi nga një vend të cilit i kam shërbyer gjithë jetën, e të cilit i kam kushtuar gjithçka”, përfundoi i pandehuri Spahiu. Procesi gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit është drejt fundit, pasi shumica e të akuzuarve nga Prokuroria kanë dhënë pretencën e mbrojtjes së tyre. Ndërkohë, disa seanca më parë, prokuroria paraqiti kërkesat e saj për dënimin e të pandehurve dhe tashmë gjykata është pranë shpalljes së vendimit përfundimtar. Tragjedia e Gërdecit ndodhi më 15 mars 2008 dhe shkaktoi vdekjen e 26 personave, si dhe plagosjen e më shumë se 300 të tjerëve.

SHPËTIM SPAHIU PARA GJYKATËS:
KFB nuk kishte asnjë detyrë kontraktimi, monitorimi, mbikëqyrjeje, apo kontrolli mbi Gërdecin.

Kam njoftuar zyrtarisht eprorët se vendi i përzgjedhur paraqiste probleme për ngjarje të jashtëzakonshme.

Bëra presion të vazhdueshëm për heqjen e pronës nr.126 (ish -reparti i Gërdecit) nga administrimi i Forcës Ajrore, vartëse e KFB-së.

Kam takuar Ylli Pinarin në Gërdec. Kisha nevojë për ekspertizën e tij për dërgimin e një helikopteri ushtarak, për riparim në Zvicër.

Nuk kam dhënë asnjë urdhër as me shkrim dhe as me gojë që të lejohej kompania private të fillonte punimet më dt. 28. 04. 2007, pa kontratë, dhe as urdhër të tillë për të favorizuar kompaninë “Albademil”.

Minxolli: Punësova të mitur, u thashë prindërve

“Makineritë i solli Patrik Henri, ai bëri edhe dokumentet”

Dritan Minxolli në Gjyq

TIRANE – Dritan Minxolli, ish-drejtori i fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec, i akuzuar për “vrasje në rrethana cilësuese” e “shkatërrim të pronës me eksploziv”, kërkoi dje pafajësi nga Gjykata e Tiranës. Sipas Minxollit, hetimi i Prokurorisë ka qenë i mangët, tërësisht tendencioz dhe është pranuar apriori vetëm versioni i zjarrit të shkaktuar nga karroca e salduar si shkaku i shpërthimit tragjik të 15 marsit 2008. I pandehuri Minxolli u shpreh se Prokuroria në konkluzionet përfundimtare, ku kërkoi dënimin kapital me “burg përjetë” ndaj tij, i ishte përmbajtur vetëm provave të marra gjatë hetimit paraprak dhe jo atij gjyqësor. Ai përsëriti deklaratën e thënë gjatë gjykimit, se Gërdeci nuk ishte inspektuar ndonjëherë nga Ministria e Mbrojtjes. “Nuk më rezulton t’i kem ‘mbyllur dyert e fabrikës’ ndonjë kontrolli apo inspektimi të strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes mbi atë proces pune që zhvillohej. U shpreha jo pa qëllim ‘dyert e fabrikës’, sepse i kujtoj trupit gjykues se fabrika u ngrit brenda një territori ushtarak ekzistues, të rrethuar dhe çelësat e hyrjes në atë territor ushtarak besoj se i mbante tjetërkush, ashtu si dhe ruajtjen e mbikëqyrjen e përgjithshme të tij”, u shpreh Minxolli. Sipas tij, të gjitha përgjegjësitë për projektet e demontimit i takonin amerikanit Patrik Henri, në cilësinë e presidentit të SAC-së dhe administratorit teknik të “Albademil”. “Është z. Patrik Henri, në cilësinë e administratorit teknik të ‘Albademil’ sh.p.k., i cili ka udhëzuar dhe ka trajtuar personalisht të gjithë procesin e magazinimit dhe tregtimin e barutit të dalë nga demontimi i municioneve në të dyja projektet. Po kështu, është po ky person, në cilësinë e menaxherit të përgjithshëm për “Albademil” sh.p.k., që ka bërë edhe kërkesat për lejet e eksportit për produktet që dilnin nga demontimi”, u shpreh Minxolli. Në konkluzionet e tij Minxolli kundërshtoi versionin e Prokurorisë se shkaku i shpërthimit ishte një karrocë e salduar dhe e paftohur.
TË MITURIT
Në lidhje me akuzën e Prokurorisë për punësimin e të miturve në Gërdec, Minxolli tha se i ishte përmbajtur Kodit të Punës. “Kriteri bazë për moshën ka qenë ai i përcaktuar nga Kodi i Punës, duke u konsideruar edhe nevojat e dëshirat e gjithsecilit që afrohej të kërkonte punë, në plotësimin e nevojave personale e familjare të tyre. Megjithatë, duke parë edhe spekulimin e madh që bëhet për këtë pjesë, më duhet të theksoj edhe faktin që mosha minimale e lejuar për të kryer punë sipas nenit 7 të Kodit Civil është 14 vjeç dhe kjo e realizuar duke dhënë miratimin e prindit që është përfaqësuesi ligjor i atij personi”, tha Minxolli.

ARMAND BAJRAMI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura