Gazi i gjeneratorit helmoi për vdekje gratë pas dasme

Oct 31, 2012 | 13:04
SHPËRNDAJE
Shtëpia e familjes Gega, ku ndodhi ngjarja

Gazi karbonik nga djegia e gjeneratorit dyshohet se shkaktoi vdekjen e dy dasmoreve dhe rrezikoi jetën e nuses së re në fshatin e Krujës. Ekspertët e Mjekësisë Ligjore janë shprehur paraprakisht për shkakun e vdekjes së grave të helmuara ditën e diel. Analizat paraprake flasin se kemi të bëjmë me një helmim nga dioksidi i karbonit, që u përhap nga një gjenerator që ishte ndezur në ambientet e brendshme të banesës së familjes Gega, gjatë kohës që mungonte energjia elektrike. Sipas ekspertëve, vajza i ka shpëtuar mrekullisht vdekjes, pasi ka fjetur me kokë mbuluar dhe si pasojë ka thithur vonë ajër të helmuar. Kur familjarët kanë mbyllur banketin e ceremonisë së dasmës së Pashke Gegës dhe janë kthyer në banesën e tyre, kanë vënë re se në shtëpi nuk ka pasur energji elektrike. Ata kanë ndezur gjeneratorin në korridorin e katit të parë, pranë dhomës së Pashkes, aty ku fjetën edhe dy viktimat, Mrika Gega dhe Prenusha Prendi. Gratë kanë qenë të lodhura dhe për shkak të orëve të vona i ka zënë menjëherë gjumi, prandaj dhe nuk e kanë vënë re ajrin e rëndë që ishte krijuar në dhomë. Policia e ka hedhur paraprakisht poshtë pistën e një ngjarjeje të qëllimshme, pasi sipas saj, banesa e familjes Gega gjatë orëve që ata ishin në dasmë është mbikëqyrur nga një rojë i pajtuar nga familjarët. Nga burimet e Policisë pohohet se përgjigjja e Mjekësisë Ligjore është bazuar tek analizat e gjakut, të cilat dalin më shpejt. Megjithatë, ajo cilësohet vetëm një pjesë e përgjigjes së plotë që do t’i japë fund hetimit mbi shkaqet e vdekjes së dy grave në ditën e dasmës së 21-vjeçares Pashke Gega. Pritet që pas 1 jave të mund të sigurohen dhe përgjigjet e analizave të tjera, kryesisht të stomakut e mëlçisë, për të konfirmuar arsyet e ngjarjes së rëndë. Fatkeqësia në familjen Gega u shënua duke u gdhirë dita e diel, pak orë pasi ishte mbyllur darka e nuses, vajzës së vetme të shtëpisë. Dyshohet se ambienti i mbyllur ku ka rënë për të fjetur nusja, bashkë me nusen e xhaxhait dhe krushkën e familjes është rënduar më tepër nga prania e barit të miut dhe të molës, si dhe nga produktet kozmetike të përdorura ditët e festimeve. Ngjarja e papritur bëri që familjarët të dyshonin për një helmim të qëllimshëm, ndonëse nuk kishin asnjë konflikt me persona të tjerë.

KRUJE/ LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura