Gazetari amerikan: Prapaskenat e ‘Gërdecit’, zgjidheshin vajza të reja

Jul 11, 2015 | 17:10
SHPËRNDAJE

Efraim Diveroli nuk kishte lidhje direkte me tragjedinë e Gërdecit, por aferat e tij me biznesmenë e politikanë shqiptarë u nxiti lakminë këtyre të fundit që të fitonin ç’të mundnin nga rezervat e mëdha të armëve që la pas komunizmi. Ishin sasi të tëra municionesh që duheshin asgjësuar e nga të cilat mund të fitoje ende para. Veç fishekëve, ishin edhe municionet e rënda, predhat, veshja e bakërt e të cilave mund të siguronte ende fitime.

Shperthimi ne Gerdec

Në sagën prej gati 300 faqesh të gazetarit investigativ të “New York Times”-it, Guy Lawson, ka një kapitull më vete edhe për Gërdecin. “Armët dhe çunat: Si u bënë tre drogamanë nga Majami Biç trafikantët më të pazakontë në histori”, është libri best-seller i Lawson, i cili pas suksesit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tashmë është në duart e lexuesit shqiptar nga shtëpia botuese “OMSCA 1”.

Përmes tij, lexuesi mund të mësojë më shumë rreth prapaskenave të një afere, që nuk nisi e mbaroi në Shqipëri. Shqipëria ishte vetëm një linjë furnizimi mes shumë të tjerash, por që fatkeqësisht pësoi një tragjedi me 26 të vdekur.

***

Lakmia e Efraim Diverolit e kishte bërë Kosta Trebickën armikun e tij për vdekje, tamam si lakmia e Henri Thometit kishte bërë që AEY-ja të blinte fishekë “kinezë”. Tani, lakmia e shqiptarëve që kishin prishur kontratën për 100 milionë fishekë vetëm që të fitonin 500 mijë dollarë më shumë, qe gati të sillte pasoja dhe andralla të tjera. Nga fundi i vitit 2007, puna e Southern Ammunition për çmontimin po i afrohej fundit, ngaqë fishekët AK- 47 me veshje bakri po mbaronin. Por ministri i Mbrojtjes, Mediu, kishte të tjera plane lidhur me rezervat e mbetura të Shqipërisë.

Duke kërkuar të shtrydhnin edhe dollarin e fundit nga rezervat e vendit, shqiptarët vendosën të çmontonin predhat e kalibrit të madh, që të përfitonin kështu gëzhojat e tyre prej bakri. Çmontimi i municioneve të kalibrit të madh kërkonte punë shumë të kualifikuar dhe shumë të ndryshme nga ajo për çmontimin e fishekëve AK-47. Për zbrazjen e lëndës shpërthyese nevojiteshin pajisje të sofistikuara. Duheshin zbatuar protokolle të rrepta, të mbikëqyrura nga specialistë. Duheshin respektuar edhe një varg i ndërlikuar traktatesh, ligjesh e praktikash ndërkombëtare.

Plani fillestar, ai zyrtari, kishte qenë që Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja të ndihmonin shqiptarët në zbrazjen e vendit prej rezervave qindratonëshe të municioneve të kalibrit të madh. Kurse tani shqiptarët po vepronin me kokën e tyre. Por kishte një kleçkë: operacioni shkelte ligjin shqiptar dhe duhej mbajtur i fshehtë. Në janar të vitit 2008, Mediu nxori urdhra të fshehtë, që i gjithë municioni shqiptar i kalibrit të madh, predhat me gëzhoja bakri, të transportoheshin në një bazë ushtarake në fshatin Gërdec.

Në rrugët që të çonin në fshat, nisën të gumëzhinin kamionët që transportonin koka raketash, predha artilerie dhe mina detare. Ashtu si edhe municioni i kalibrit të vogël që kishte blerë AEY-ja, këto municione paraqitnin rrezik serioz për popullatën civile në Shqipëri. Në vitin 1997, kur u zbulua se sistemi financiar në Shqipëri ishte një skemë piramidale e tipit Ponzi dhe shqiptarët humbën mbi 1 miliard dollarë brenda pak ditësh, shpërtheu rebelimi që çoi në grabitjen e rezervave të armatimeve të vendit: u vodhën 656 mijë armë të llojeve të ndryshme, bashkë me 1.5 miliard fishekë dhe 3.5 milionë granata. Më shumë se dy mijë njerëz u vranë në rrëmujën që pasoi. Asgjësimi i municionit shqiptar përbënte nevojë strategjike, por jo në mënyrën si u planifikua nga politikanët që synonin fitime vetjake nga kjo punë.

Në vend që të zbatoheshin masat standarde të sigurisë, projekti i çmontimit u bë me shkujdesjen më të madhe; punëtorët nuk ishin udhëzuar dhe nuk u përdor asnjë pajisje e përshtatshme për municionet shpërthyese. Ishte çështja e kohës: shqiptarët nguteshin për të përfituar sa më shumë bakër, para se vendi të pranohej në NATO, sepse më pas ushtria do të detyrohej të zbatonte rregulla të rrepta. Fshati Gërdec ishte vendi ideal për çmontimin e municioneve. Vetëm pesëmbëdhjetë kilometra larg Tiranës, baza ushtarake ishte e fshehur në rrëzë të kodrës, duke qenë njëkohësisht edhe shumë pranë, edhe larg syve kureshtarë. Gjatë dimrit të vitit 2008, te porta e bazës mblidheshin dhjetëra fshatarë vendës, me synimin që të përzgjidheshin nga përgjegjësi.

Pagesa qe 20 dollarë në ditë, rrogë e madhe kjo në Shqipëri. Përzgjidheshin kryesisht gra dhe vajza të reja, sepse kishin duar të vogla e të përshtatshme për punë të imëta. E shtuna e 15 marsit 2008 ishte ditë e bukur pranvere në Shqipëri. Në qiellin e kaltër lundronin re fluturake dhe fytyrën ta përkëdhelte puhiza e ngrohtë që vinte nga Adriatiku. Por në mesditë u pa diçka e tmerrshme: një zjarr që lëvizte përgjatë dyshemesë së bazës ushtarake. Flakët qenë të vogla, ndoshta me lartësi një metër, por po lëviznin drejt depos së madhe, ku mbaheshin mijëra tonë municione të kalibrit të madh. Atje kishte edhe dhjetëra thasë me barut, çka e bënte depon, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, fuçi baruti. Qindra punëtorë vendës nisën të largoheshin me vrap, sapo panë të ngrihej tymi.

Shpërthimet e fishekëve të kalibrit të vogël mbytnin klithmat e tyre. Askush nuk e kuptoi ku u shfaqën së pari flakët: një shkëndijë, një cigare, sabotim. Ishte edhe mundësia e një shpërthimi rastësor, po të mbahej parasysh natyra e paqëndrueshme e municioneve. Pastaj shpërtheu depoja kryesore, duke flakur në ajër copëza predhash si në skenat e filmave aksion të Hollivudit. Shpërthimi plagosi shumë punëtorë, dhe varrosi të gjallë nën rrënoja edhe shumë të tjerë. Ata që nuk u dëmtuan, vrapuan në kodrat përreth dhe vetëm pak zemërtrima u kthyen në bazë, duke u përpjekur të ndihmonin të plagosurit e të mbeturit nën rrënoja. Predha të vetmuara vazhduan të shpërthenin aty-këtu: bam-bam. Dukej sikur më e keqja kishte ndodhur. Kaluan pesëmbëdhjetë minuta.

Shpërthimi i dytë ishte edhe më i tmerrshëm se i pari, me një forcë apokaliptike. Koka raketash, predha artilerie të kalibrit të madh, tonelata të tëra baruti, krejt baza ushtarake u zhduk në çast nga faqja e dheut. Forca e shpërthimit të llahtarshëm flaku në ajër dhjetëra trupa. Pastaj drejt qiellit u ngrit një lëmsh i zjarrtë, i pasuar nga reja e zezë në formë kërpudhe që ngjante me atë të Hiroshimës. Ishte një nga shpërthimet më të mëdha jobërthamore që qenë parë qysh nga koha e Luftës së Dytë Botërore. Gjëmimi u dëgjua qindra kilometra larg dhe në kryeqytet u thyen xhama dritaresh. Njëzet e gjashtë njerëz u vranë në Gërdec. Shumë prej tyre qenë gra e fëmijë.

Si tetëvjeçari Erison Durdaj, që kishte shkuar t’i çonte drekën së ëmës e që po rrinte te porta e bazës, kur shpërthimi i dytë e ngriti vrik në ajër. Treqind të tjerë u plagosën. Më shumë se katërmijë shtëpi dhe biznese u dëmtuan ose u shkatërruan. Katastrofa e Gërdecit shkaktoi zemërim në Shqipëri. Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, u detyrua të jepte dorëheqjen.

Ylli Pinari dhe Mihal Delijorgji i Alb-Demilit u prangosën si shkaktarë. Një prokuror i pavarur hartoi padinë prej pesëqind faqesh. Dukej sikur do të dilte e vërteta. Por hetimi u tulat shpejt. Mediat botërore pothuajse nuk e zunë në gojë ngjarjen; vendin kryesor në gazeta e zinte beteja elektorale e 2008- s ndërmjet Barak Obamës dhe Hilari Klintonit, si dhe rebelimet në Afganistan e në Irak. Shpërthimi u zhduk shumë shpejt nga lajmet botërore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura