Gara për trajnerin e ri të Vllaznisë, tërhiqet turku Engin Firat

Aug 12, 2018 | 9:35
SHPËRNDAJE

Turku Engin Firat, i cili ishte një nga garuesit për të dyja pozicionet vakante te Vllaznia, atë të drejtorit sportiv dhe trajnerit, mësohet se nuk do të presë më që të përzgjidhet nga drejtuesit më të lartë të klubit. Po ashtu, edhe ish-trajneri Baldo Raineri nuk ka më besim në këtë përzgjedhje. Kjo do të ndihmojë jo pak edhe numrin një të klubit, kryebashkiaken Voltana Ademi, që të përzgjedhë emrin e ri të pankinës dhe të drejtorit sportiv.

turku

Kandidatët – Alternativa më e mundshme për një nga dy postet, atë të drejtorit sportiv, nga burime të tërthorta mësohet se do të jetë Alban Hasani. Ai mban postin e drejtorit sportiv të akademisë Vllaznia, ku pa dyshim merita në ecurinë e mbarë të kësaj akademie ka edhe vetë Hasani. Ndërsa në postin e trajnerëve, alternativat janë reduktuar në dy: ata që po presin për vendin vakant në krye të stolit kuqeblu janë Edi Martini dhe Hasan Lika. Këta dy të fundit janë edhe emrat më të diskutuar në ambientin sportiv në Shkodër sa herë që bëhet fjalë për një temë të rëndësishme si kjo e përzgjedhjes së trajnerit.

Gjithsesi, asnjëri prej tyre nuk duket se ndihet më i avantazhuar. Si Martini edhe Lika e njohin mirë Vllazninë dhe kjo i bën ata që të jenë edhe besues që numri një i klubit, kryebashkiakja Ademi, do të arrijë që të përzgjedhë njërin prej tyre.

Bisedimet – Me Likën mësohet se është biseduar deri më tani, i cili besohet se ka marrë një OK-in për këtë gjë. Po ashtu shprehet edhe Martini, që beson se pas votës së dhënë nga administratori dhe bordi, do të ketë një vendim pozitiv edhe nga kryebashkiakja. Tani koha kalon dhe presidentja Ademi do të thotë fjalën e saj, por për të mësuar se kush do të jetë trajneri i ri, duhet të presim akoma.

A.Uruçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura